EmailFacebookKontakt

Krishtlindjet

Mirë mëngjes, zonja, zotërinj,
Lutemi na pranoni;
Në këtë çast me qetësi
Një lajm gazmor dëgjoni:

Mbi Vithleemin hebraik
Yjet shkëlqejnë për çudi,
Sepse u bë zbulim misrik
Dhe gjithësia u përtëri.

Si sot Fjala e Perëndisë,
Gjith botën për me shpëtu,
Lind Njeri prej Virgjën-Marisë
Me emrin Zoti Iisu.

Lavdi në Ty që na dhuron
Dritë dhe paqe e çdo mirësi;
Ëngjej, barinj këto fjalë këndojnë
Në qiell, në tokë, në gjithësi.

Prej Persie tre mbretër shokë
Nga një dhuratë po i sillnin:
Një Yll i bukur dritëplotë
Prin udhën që s’e dinin.

Këta pyetën në Jerusalim:
– Ku lindi Shpëtimtari?
Por Ylli bukur para prin
Me dritë si rrëze ari.

Irodhi, q’ishte mbret n’atë vend,
Për Iisu Krishtin sa mori vesh,
U trondit dhe bëri një kuvend,
Pastaj i thërret me buzë t’u qeshë.

U thotë Magëve me mirësi:
Iisuin e kërkoni,
Dhe, si ta gjeni, faljuni,
Por vendin ma tregoni.

Ylli qëndroi në Vithleem,
Aty ku kishte lind Iisuj,
Si i vobeku me gjith mend.
Por këta të tre i ran në gjuj.

I u falën me përulësi,
Pse ishin tepër dijetar.
Një ëngjëll u dha porosi,
Kur t’iknin tjetër udh’ me marrë.

Ushtrinë Irodhi urdhëroi,
Preu katërmbëdhjetë mijë fëmijë,
Por Zoti, Krishti – vetë shpëtoi
Dhe ç’kishte thënë i plotësoi.

Për shumë vjet, zonja, zotërinj,
Këtë dit të shenjtë kremtoni,
Me plot shëndet e lumtëri,
Zoti ju dhëntë ç’të doni.

Aleks Pjetri

Kënduar për herë të parë për Krishtlindje në Durrës me 1928, sipas melodisë kishëtare bizantine të Dërgimësores “Ju gra, dëgjoni” “Gjineqes akutisthite”.