EmailFacebookKontakt

Krishtlindjet — Meshë e madhe për Krishtlindjet

Të premten, më datë 25 dhjetor, në Kishën e Ungjillëzimit të Tiranës, si në të gjitha kishat e tjera orthodhokse të vendit u celebrua Mesha Hyjnore e Krishtlindjes. Ajo u dha nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, me bashkëmeshëtarë at Gaqin, at Martinin, at Justinin, kryedhjakun Sotirin dhe dhjakun Sotirin.

Psallmodia bizantine u drejtua nga protopsallti z. Dhimitër Beduli. Mesha u shoqërua edhe nga Kori i Kishës së Ungjillëzimit dhe kori i fëmijëve, drejtuar nga z. Milto Vako.

Mesha u ndoq, si asnjëherë tjetër nga mijëra e mijëra besimtarë të krishterë orthodhoksë të kryeqytetit, që sërish me praninë e tyre të jashtëzakonshme bënë të ndihet vogëlsia e Kishës së Ungjillëzimit, për kërkesat që ka, ane neveje, e ndërtimit të objekteve të tjera të kultit.

Mbasdite, po në mjediset e Kishës së Ungjillëzimit, Fortlumturia e Tij, Anastasi dhe sekretari i Këshillit të Përgjithshëm të KOASH, zoti Aleko Dhima, pritën vizita të urimit me rastin e Krishtlindjeve.

Në orën 17.30 erdhi për t’u uruar festën hyjnore gjithë besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë Presidenti i Republikës, zoti Sali Berisha. Në çastin e hyrjes në kishë të Presidentit dhe më vonë, në shenjë përshëndetje, kori i fëmijëve këndoi këngë për këtë ditë të shënuar. Fortlumturia e tij, Anastasi, i uroi presidentit Berisha mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe urimet më të ngrohta me rastin e Festës Hyjnore. Para largimit nga kisha Presidenti bëri një vizitë në kishë mes besimtarëve të shumtë.

Gjithashtu, bënë vizita urimi dhe ministri i Jashtëm, zoti Serreqi, kryegjyshi botëror Bektashian Baba Reshat Bardhi, ministrat z. Vejsiu, z. Manushi dhe z. Konomi, rektori i Universitetit Politeknik z. Halil Sykja, ambasadori i Rumanisë në Shqipëri z. George Miku, sekretari i fesë z. Bardhyl Fico, kryetari i Shoqatës së të burgosurve dhe të përndjekurve politikë z. Osman Kazazi etj.