EmailFacebookKontakt

Krishtlindje e vërtetë

Nga shumë veta theksohet këto ditë që Krishtlindja është ditë e dashurisë dhe e paqes.

Mirëpo, kjo e vërtetë dhe paqja e vërtetë janë dhurata të Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht, të trupëzuar për gjithë ata që përpiqen me pendim, me përulësi, me lutje e bindje te Kisha, të mposhtin egoizmin e tyre.

Kur na sundon egoizmi, as të duam si duhet nuk mundemi, as të kemi paqe të vërtetë me veten tonë e me të tjerët.

Zakonisht, njerëzit e duan dashurinë e paqen, por s’duan të ndeshen me egoizmin e tyre. Prandaj, as dashuri të vërtetë nuk kemi, as paqe nuk kemi, madje as në familjet tona.

Urimi më i mirë, pra, që na bën këto ditë Kisha është të luftojmë të gjithë kundër egoizmit tonë, që të vijë në zemrat tona, në familjet tona, në atdheun tonë, në tërë botën, dashuria dhe paqja e vërtetë e Krishtit dhe që Ai t’i gjejë zemrat tona modeste, të pastra, me besim të plotë, që të banojë përherë në to.

Kështu do ta kremtojmë Krishtlindjen me të vërtetë, sepse Krishti do të rilindet vazhdimisht në zemrat tona, gjë që ndodh, sipas Etërve të shenjtë, çdo herë që ne mbajmë porositë e tij dhe në veçanti, porosinë e dashurisë dhe çdo herë që me mall e besim thërrasim emrin e tij të shenjtë.

Në botën e sotme, të tronditur, që shpesh ndryshon, e vetmja shenjë e qëndrueshme dhe e vetmja shpresë për ne, është Foshnja Hyjnore e Vithleemit dhe Kisha e Tij.

Pas rrëzimit të të gjithë idhujve dhe shkrirjes së të gjitha shpresave mashtruese, Iisui i përulur mbetet e vetmja shpresë për ne.

Le të mos lodhemi kot për të gjetur zgjidhje të tjera. Krishti i përndjekur në Lindje dhe i përbuzur në Perëndim, mbetet i vetmi Shpëtimtar.

Për të kryer shpëtimin tonë, Ai lyp vetëm lirinë tonë, përulësinë tonë, pendimin tonë.

Me këto mendime, “Ngjallja” iu drejton urimet vëllazërore gjithë lexuesve të saj me rastin e Krishtlindjes dhe u kujton të mos harrojnë me lutjet dhe me aktet e tyre të dashurisë, që çdo vëlla yni që ndodhet në hall – është vëlla i Krishtit, është vetë Krishti.

“Redaksia”