I.S. Turgenjev (1818-1883)
KRISHTI
– Skicë –
… E pashë veten të ri, thuajse djalë, në një kishë të vogël e të ulët fshati.
Përpara ikonave të vjetra mezi mbaheshin gjallë si njollëza të kuqe qirinjtë e hollë prej dylli.
Errësira mbretëronte në kishë. Megjithatë dalloja përpara meje mjaft njerëz: koka flokëverdhë, kristiane. Herë pas here ato tundeshin, binin, ngriheshin përsëri, si kallinjtë e pjekur që përshkohen nga puhiza verore. Papritur dikush u afrua nga pas dhe qëndroi pranë meje.
Nuk u ktheva nga ai, por në çast e ndjeva se ky njeri ishte Krishti.
Mallëngjim, kërshëri, frikë më pushtuan njëherësh. Shtrëngova veten dhe pashë fqinjin tim.
Një fytyrë si e të gjithëve – fytyrë e ngjashme me të gjitha fytyrat njerëzore. Sytë shihnin pak lart, me vëmendje dhe qetësi. Buzët të mbyllura, por jo të shtrënguara; buza e sipërme sikur prehej mbi të poshtmen. Mjekra jo e dendur, e ndarë në mes. Duart të kryqëzuara dhe të palëvizshme. Edhe rrobat si të të gjithëve.
“Si mund të jetë ky Krishti?! pyeta veten. Kaq i thjeshtë, njeri i thjeshtë? Nuk mund të jetë”. U ktheva prapa. Por nuk arrita ta shkëpus vështrimin nga ai njeri, kur përsëri ndjeva se qëndronte Krishti pranë meje.
Përsëri shtrëngova veten. Dhe përsëri pashë po atë fytyrë të ngjashme me të gjitha fytyrat njerëzore, po ato tipare të zakonshme, megjithëse të panjohura. Bejas u drodha dhe u përmenda. Vetëm atëherë e kuptova që pikërisht një fytyrë e tillë, e ngjashme me të gjitha fytyrat njerëzore – ajo është fytyra e Krishtit.
Përktheu nga rusishtja Elona Naqo