EmailFacebookKontakt

“Krishti u ngjall!”

Edhe sivjet Pashkët vijnë t’i zgjojnë shpirtit tonë tërë botën e tij magjike, të ndrydhur për afro 25 vjet rrjesht.

Ditën e Pashkës të gjitha na thonë diçka. Na këndojnë aliluian më të bukur. Të gjitha rilindën në djepin e natyrës së sapozgjuar.

Kush mund të na e mënjanojë madhështinë e tyre? Të na heqë një thesar të tillë? Të na helmojë një gëzim të tillë? Mjerimi i jetës? Eshtë i pafuqishëm. Ligësia e botës? S’është e zonja. Ndikimi i djajve? Ata janë fshehur prej trupit. Pesimizmi ynë? Vuajtjet tona? As ato s’janë në gjëndje. Të gjitha i tejkalon shenjtërimi i ditës. Të gjitha i pastron. I nxit drejt gjërash më fisnike, më të mira, më të shenjta që mund të ekzistojnë.

Jeta del nga varri. Kërcen në freskinë e saj më të kulluar. Pse të kemi frikë? Cka se kish qenë dimri. Lulet me nënqeshjen e tyre të ëmbël, me erën e tyre hyjnore, e çpuan përsëri token që t’u japin kurajo atyre që ndien të lodhur, të japin premtime ndër të gjithë. Pse të rimë të vrejtur si hipokritë? Do ta lëshonin vallë yjet dritën e tyre qiellore përmbi ne, po të kishin të drejtë pesimistët? Kush është aq shpirtlig, aq mosmirënjohës, aq i ulët, aq i pazot, që të thotë se iu rëndua jeta? S’është fjala të jemi të lumtur a fatkeqë, të shëndoshë a të sëmurë, të rinj a pleqë, të pasur a të varfër, por fjala është të kemi dashuri për jetën, besim në të, të jemi të gatshëm për të mirën.

Vetëm atëherë do të tregohemi të denjë të vetes tonë, të denjë të dashurisë që tregoi Perëndia, i cili për njeriun e u bë njeri dhe derdhi gjakun e tij të kulluar mbi Kryqin. Vetëm atëhere do ta ndjejmë gëzimin e Ngjalljes dhe mallëngjimin që na shkakton përshëndetja “Krishti u Ngjall”.

“Krishti u Ngjall” është përshëndetja më e bukur që mund t’i drejtojmë njëri-tjetrit. Eshtë trumbetimi më entuziast i jetës. Atyre që kemi në shtëpi, të sëmurëve, le t’u themi “Krishti u Ngjall”. Atyre që na duan dhe atyre që na urrejnë, le t’u themi “Krishti u Ngjall”, “Krishti u Ngjall” le t’u themi dhe të odekurve tanë. Më në fund, “Krishti u Ngjall” le t’i thotë gjithësecili prej nesh vetes së tij dhe të gjithë bashkë le të këndojmë “Krishti u Ngjall”.

Dhimitër Beduli