EmailFacebookKontakt

“Krishti u Ngjall!” në korrik dhe për gjithë vitin edhe për 30 vjet…

Edhe në vitin 1991, për shkak të vijimit të mentalitetit të izolimit shumëvjeçar dhe persekutimit të besimit, por edhe të psikologjisë këmbëngulëse të bunkerëve dhe mungesës së frymës së vitalitetit, besimtarët Orthodhoksë të Shqipërisë nuk e përjetuan Pashkën dhe Ngjalljen në pranverë së bashku me të krishterët në mbarë botën. Por Ngjallja nuk mund të ndalej më. Më 16 korrik të vitit 1991, me fluturimin e linjës “Olympic” mbërriti në Tiranë udhëtari më i çuditshëm për të dhënat e kohës, Mitropoliti i Andrusës, Anastasi.

Në frymën e ndryshimeve radikale që po ndodhnin në vendin tonë dhe në mbarë Evropën Lindore, duke pasur detyrën dhe kompetencën, Patriarkana u kujdes të dërgonte Ekzarkun për të vizituar Kishën tonë Orthodhokse, për të konstatuar çfarë kishte mbetur nga persekutimi i gjatë në kohë dhe i pamëshirshëm në metoda, por edhe për të kristalizuar rrugën e mëtejshme. Ndërsa janë shkruar shumë se çfarë e pasoi atë vizitë të parë, vlen të theksohet se vizita në vetvete është më thelbësorja dhe përmban dimensionin historik. Pas kaq vjetësh – që nga 1967 – për grigjën Orthodhokse dhe, përmes saj, u kthye për mbarë vendin bekimi kryepriftëror. Pas kaq dekadash izolimi, kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për historinë kishtare, por edhe për realitetin e përditshëm. Në vitin 1945, në Kishën tonë kishin ndodhur dukuri, të cilat preknin aspektin kanonik dhe kjo ardhje na rikthente në raporte të rregullta me botën e Kishave të tjera Orthodhokse.

Fakti që një personalitet si Kryepiskopi Anastas nuk e refuzoi, përkundrazi e pranoi sfidën e detyrës së Ekzarkut fillimisht dhe atë të Kryepiskopit në vijim, ka një rëndësi tepër të madhe. Kryepiskopi e ka përshkruar momentin kur telefonata nga Fanari e gjeti në Nairobin e largët dhe mendja i shkoi menjëherë te privimi i besimtarëve në Shqipëri, në zemrën e Evropës, për të adhuruar Perëndinë. E kishte përmendur në një fjalim të tij në vitin 1989, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit për Ungjillëzimin e Popujve. Ishte ndoshta shtysa kryesore për t’u përgjigjur pozitivisht, përgjegjshmëria, si një nga cilësitë kryesore të një hierarku si Kryepiskopi Anastas, si dhe dashuria – arsyeja bazike që e mbajti atë për të kuruar dhimbjen e pamasë, për të korrigjuar sadopak padrejtësinë që e pa me sytë e tij dhe e preku me shqisat aq sensitive të intelektit të tij, të cilat historia ia kishte bërë popullit dhe vendit tonë. Fjala është për pranimin një vit më vonë të detyrës si Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, pasi ishte zgjedhur nga Patriarkana Ekumenike, duke iu përgjigjur njëkohësisht dhe dëshirës e lutjes së grigjës Orthodhokse.

Në atë pritje modeste në aeroportin më të izoluar të kontinentit, ku ai mbërriti për të kontribuuar si askush tjetër edhe në zbutjen e paragjykimeve të ngrira, dhe në ato pak kilometra deri në qendrën e Tiranës, dhe në atë skenë të masakrës së pashpirtshme në altarin e Kishës martire Orthodhokse, Kishës së Ungjillëzimit, ku me padurim e priste grigja e mbetur shpresëtare, Kryepiskopi Anastas e konstatoi dhimbjen. Prandaj, edhe kur u ngrit nga lutja në gjunjë përpara Tryezës së Shenjtë të improvizuar i ftoi njerëzit – mes tyre kishte edhe klerikë të munduar nga persekutimi – të ndiznin nga një qiri dhe të psalnin së bashku himnin e triumfit: “Krishti u Ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli edhe të varrosurve jetën u fali!”. Atë korrik himni dëgjohej si paradoks… Por Hiri i Perëndisë në personin e Kryepiskopit Anastas, duke e nxjerrë këtë Kishë Orthodhokse në Shqipëri nga vuajtjet e Hadhit, e shndërroi në himn të himneve, në moton e popullit shpresëtar orthodhoks, në troparin e gjithë vitit kishtar. Jo vetëm të atij viti dhe as të viteve menjëherë pas tij, por për 30 vjet resht. Për çdo të Diel. Duke dashur që kurrë të mos përsëritet tragjedia në këto vende dhe për të mos harruar dhimbjet e kryqit në të cilat besimi Orthodhoks u sprovua për kaq dekada, Kryepiskopi ia dedikoi kishat katedrale, dhe jo vetëm, Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht. Sepse, sikundër e thekson vazhdimisht: “Ngjallja nuk është pas Kryqit… ajo është në Kryq!”. Kishat madhështore të Ngjalljes në Tiranë, në Korçë, në Gjirokastër etj., të tilla që as në imagjinatën më të guximshme të vitit 1991 nuk mund të përfytyroheshin, nuk nxisin në një hare të pakuptimtë dhe të zbrazët. Në kujtim të Kryqit të vuajtjes ato na ftojnë për pendesë më thelbësore dhe për falënderim më të ndërgjegjësuar.

“Ishte e vështirë t’u përqaseshe njerëzve që për dhjetëvjeçarë të tërë ishin brumosur me bindjen e sigurt se nuk ekziston Perëndia, as edhe Kisha, as dashuria dhe as e vërteta”. Kjo ishte diagnoza në sintezë nga Kryepiskopi dhe, si e tillë, kishte nevojë për sakrificën e durimit në mirëkuptim. Ai e tregoi atë të plotë, i motivuar nga dashuria për Perëndinë dhe për njeriun. Dhe u shpërblye duke parë frytet e mundit të shumëfishohen si në mrekullitë ungjillore.

U rrit një vresht i bekuar në atë terren që në vitin 1991 dukej i gurtë, i bunkerizuar, armiqësor për të tilla ndërmarrje. Nuk u përgënjeshtrua thjesht ai artikull i gazetës së regjimit që parashikonte se “… pavarësisht që e lejuam të vijë në vendin tonë…, kurrë nuk kemi për ta pranuar…”. Sepse Ai i shkatërroi dyert e Hadhit që mbanin në robërinë e vdekjes dhe hapi rrugën e Ngjalljes. Në korrikun e vitit 1991, në qendër të Tiranës u psal “Krishti u Ngjall”, sepse lipsej që të psalet për gjithë jetën!

O.B