KRISHTI U MUNDËSI!
E Shtuna e Madhe
Shërbesa e parë që i përket të Shtunës së Madhe, quajtur në Kishë Sabati i Bekuar, kryhet në mbrëmjen e të Premtes së Zezë. Zakonisht kryhet mbasdite, për të përkujtuar varrimin e Krishtit.
Para se të fillojë shërbesa, është përgatitur një “varr” (Kuvuklion) në mes të Kishës dhe është zbukuruar me lule. Gjithashtu, një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë (në greqisht epitafios dhe në sllavisht plashanica), ku paraqitet Shpëtimtari i vdekur, është e vendosur në Tryezën e Shenjtë.
Shërbesa e Mbrëmësores, si zakonisht fillon me himne rreth vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit. Pas hyrjes me Ungjillin dhe këndimin e “O Dritë Gazmore”, lexohen pjesë prej Eksodit, Jobit dhe Isaisë 52. Apostulli është I Korinthianët (1:18-31) dhe Ungjilli përbëhet nga pjesët e katër Ungjijve, që tregojnë kryqëzimin dhe varrimin e Krishtit. Paravargu dhe vargjet, që thuhen para këndimeve nga Shkrimi i Shenjtë, janë prej psalmeve, të cilat tashmë janë dëgjuar gjatë shërbesave së të Premtes së Zezë. Ato janë vargje me një kuptim profetik:
Ata ndanë midis tyre rrobat e mia dhe hodhen short për tunikën time (Psalmi 22:18).
Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise (Psalmi 22:1).
Më vunë në gropën më të poshtme, më të errët dhe më të thellë (Psalmi 88:6).
Pas disa himneve që lavdërojnë vdekjen e Krishtit, ndërkohë që kori këndon këngën përlëshuese të Shën Simeonit, prifti, i veshur i tëri me rroba të errëta, temjanis epitafin, i cili ndodhet mbi Tryezën e Shenjtë. Pastaj, pas Ati Ynë, ndërsa populli këndon troparin e ditës (përlëshoren), prifti shkon rrotull altarit duke mbajtur mbi kokën e tij epitafin dhe e vendos tek varri, që ta nderojnë besnikët.
Shërbesa e Mëngjesit e të Shtunës së Madhe, zakonisht bëhet të Premten natën. Ajo fillon me këndimin e Perëndia është Zoti, përlëshoren Bujari Josif dhe troparet pasuese:
Zbrite në vdekje dhe në varr për ne, ti o jetë e pavdekshme, Ferrin të vdekur e shtrive kur ndriçove si Perëndi; edhe kur i ngrite të vdekurit nga fundet e dheut, të gjitha fuqitë qiellore thirrën me zë të madh: O Krisht Perëndia Ynë Jetëdhënës, lavdi më Ty!
Në vend të psalmeve të zakonshëm, lexohet i tërë Psalmi 119, me një varg që këndohet ndërmjet rreshtave, varg që lavdëron Shpëtimtarin e vdekur. Ky psalm i veçantë është ikona verbale e Jisuit, e njeriut të drejtë, jeta e të cilit është në duart e Perëndisë, prandaj dhe ai nuk mund të qëndrojë i vdekur.
Në personin e Jisu Krishtit është unifikimi i përsosur i dashurisë së përsosur të njeriut ndaj Perëndisë dhe i dashurisë së Perëndisë ndaj njeriut. Kjo dashuri hyjnore-njerëzore soditet dhe lavdërohet mbi varrin e Shpëtimtarit. Me përparimin e këndimit, Lavdërimet bëhen më të shkurtra dhe gradualisht, më të përqendruara në fitoren përfundimtare të Zotit, duke ardhur kështu në përfundimin e duhur:
Unë e dëshiroj me mad o Zot, shpëtimin Tënd dhe ligji Yt është gëzimi im (Psalmi 119:174).
Mendja është e trembur nga varrimi Yt i frikshëm dhe i çuditshëm.
Lermë të jetoj, që të të lavdëroj dhe le të më ndihmojnë dekretet e Tua (119:175).
Unë po endem si një dele e humbur. Kërkoje shërbëtorin Tënd, se nuk i harrova porositë e Tua.
Me ngjalljen Tënde fali Kishës paqe dhe popullit Tënd shpëtim.
Pas lavdërimit final të Trinisë së Shenjtë, Kisha ndriçohet dhe kumbon lajmërimi i parë i grave, që po vijnë në varr, nëpërmjet popullit, ndërsa prifti temjanis tërë Kishën. Këtu, për herë të parë, vjen e qartë shpallja e lajmit të mirë të shpëtimit në Ngjalljen e Krishtit.
Kanoni i Mëngjesores vazhdon lavdërimin e fitores së Krishtit mbi vdekjen me anë të vdekjes së Tij dhe e përdor secilën nga këngët e Dhiatës së Vjetër, si një shembëllesë parafigurative të shpëtimit përfundimtar të njeriut nëpërmjet Jisuit. Këtu, del për herë të parë kuptimi, që ky Sabat – kjo e Shtunë e veçantë, në të cilën Krishti shtrihet i vdekur – është me të vërtetë dita e shtatë e bekuar, një ditë më e mirë se kjo kurrë s’ka ekzistuar. Kjo është dita kur Krishti pushoi nga tërë veprat e tij të rikrijimit të botës. Kjo është dita kur Fjala e Perëndisë, “me anë të cilës u bënë të gjitha gjërat” (Joani 1:3), pushoi në varr, si një njeri i vdekur, duke e shpëtuar botën e krijimit të tij dhe duke hapur varret. Përsëri Kanoni mbaron me notën finale të fitores së Krishtit.
Mos më vajto ti moj Nënë, kur më sheh të varrosur, Birin e dashur, që ke lindur virgjërisht, se do të ngrihem prapë dhe do të lavdërohem dhe do t’i lartësoj si Perëndi, ata që të madhështojnë besërisht (Kënga e nëntë e Kanonit).
Vazhdohet të këndohen vargje lavdërimi. Në kohën kur këndohet dhoksologjia e madhe, prifti i veshur me rroba të errëta, temjanis përsëri varrin e Shpëtimtarit. Pastaj, populli me qirinj të ndezur, duke kënduar në mënyrë të përsëritur himnin Trishenjtor, i kryesuar nga prifti, që mban Ungjillin në duar dhe mbi kokë, mban epitafin, shkon në procesion jashtë Kishës. Ata shkojnë rrotull kishës, duke dëshmuar për fitoren e Krishtit mbi fuqitë e errësirës dhe vdekjes. Kur procesioni kthehet brenda në Kishë, troparet këndohen përsëri dhe profecia e Ezekielit rreth “kockave të thata” të Izraelit këndohet me solemnitet të madh:
Dhe ju do të më njihni që Unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli Im. Do të shtie tek ju Frymën Time dhe ju do të jetoni… (Ezekieli 37:13-14).
Pastaj kemi vargjet fitimtarë të psalmeve, që i thërrasin Perëndisë të ngrihet, të nxjerrë të djathtën e tij, të shpërndajë armiqtë e tij dhe të gëzojë të drejtin. Vazhdohet me këndimet e përsëritura të Aliluiave, me letrën e Apostull Pavlit drejtuar Korinthianëve: “sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijuar për ne” (1 Korinthianët 5:7). Pastaj, përsëri këndohet Ungjilli rreth vulosjes së varrit dhe shërbesa mbyllet me ndërmjetësimin dhe bekimin. Mbrëmësorja dhe Mëngjesorja e Sabatit të Bekuar, e cila vjen pas, formojnë një kryevepër të traditës liturgjike orthodhokse. Këto shërbesa nuk janë aspak një rivënie dramatike në skenë e vdekjes dhe e varrimit historik të Krishtit dhe as një lloj riprodhimi ritual i skenave të Ungjillit. Por, ato janë më tepër depërtimi më i thellë shpirtëror e liturgjik, në kuptimin e përjetshëm të ngjarjeve shpëtimtare të Krishtit, të parë dhe të lavdëruar tashmë me njohurinë e plotë të rëndësisë dhe fuqisë së tyre hyjnore.
Kisha nuk pretendon, sikur nuk e di se çfarë do të ngjasë me Jisuin e kryqëzuar. Ajo nuk dëshpërohet dhe nuk mban zi për Zotin, sikur ajo të mos ishte vetë krijimi i dalë nga brinja e plagosur dhe nga thellësia e varrit të tij. Nëpër tërë shërbesat soditet fitorja e Krishtit dhe shpallet Ngjallja. Sepse vetëm në dritën e ngjalljes fitimtare mund të kuptohet me të vërtetë kuptimi i thellë dhe i përjetshëm i pësimit dhe vdekjes së Krishtit, i cili është vlerësuar dhe lavdëruar në mënyrë të duhur.
Të Shtunën e Madhe, Mbrëmësorja kryhet së bashku me Meshën Hyjnore të Shën Vasilit të Madh.