EmailFacebookKontakt

“Krishti lindet, lavdërojeni”

Krishti lindet, lavdërojeni! Krishti vjen nga qiejt, shkoni ta takoni. Krishti është në tokë, ngrehuni. Gjithë bota, këndojini Zotit. Le të ngazëllohen qiejt dhe le të gëzohet toka. Errësira kaloi dhe u bë drita. Njerëzit që rrinin në errësirë le të shohin dritën e madhërishme të njohurisë së plotë. Ai që ishte pa trup, u trupëzua. Biri i Perëndisë u bë Biri i njeriut. Iisu Krishti i njëjtë dje, sot dhe përjetë.

Le të flasim në festivalin që quhet Lindja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht. Këtë kremtojmë sot, ardhjen e Perëndisë tek njerëzimi që njerëzimi të mund të kthehet tek Perëndia. Le të heqim natyrën e vjetër, që të mund të veshim të renë. Le të vdesim tek Adami, që të jetojmë në Krishtin. Le të lindemi me Krishtin, si dhe të kryqëzohemi dhe varrosemi me Të, që të mund të ngjallemi me Të. Sepse ai që është i pasur, bëhet i varfër. Ai merr varfërinë e trupit tim, që unë të marr pasuritë e Hyjnisë së Tij. Sepse Ai zbraz vetveten, nga lavdia e Tij për një kohë të shkurtër, që unë të mund të marr pjesë në plotësinë e Tij.

Prandaj, le të kremtojmë festën, jo si pas mënyrës së festivaleve pagane, por në mënyrë të perëndishme. Le të meditojmë ne, adhuruesit e Fjalës së Perëndisë, për Fjalën dhe Ligjet e Tij dhe për historitë e Shkrimeve, të cilat na tregojnë për festivalin e pranishëm.

Sa e pasur është mirësia e tij! Çfarë është misteri që më rrethon! Tani ai merr pjesë në trupin tim, që Ai të shpëtojë shëmbëlltyrën dhe ta bëjë trupin të pavdekshëm. Ai njofton një bashkim të dytë nëpërmjet trupëzimit, i cili është shumë më i mrekullueshëm se bashkimi i parë në krijim. Sepse në krijim, Ai na dha një pjesë të natyrës së Tij të mirë. Dhe tani, në Lindje, Ai merr mbi vete natyrën tonë mëkatare. Lindja është edhe një veprim tjetër i perëndishëm. Eshtë madhështore në sytë e të gjithëve atyre që e kuptojnë.

Pjesë e nxjerrë nga Homelia e Shën Grigor Teologut për Krishtlindjet