EmailFacebookKontakt

Krishti Komunist?

Dora e egër ateiste e komunizmit ra fort edhe mbi klerin orthodhoks. Burgosjet, dënimet me vdekje, e internimet, pasuan vrasjet e disa priftërinjve në vitet e luftës. Një nga këta martirë, të përndjekur për besimin e tyre, ishte edhe At Aleksandër Lipe, nga Përmeti.

Më datën 4 korrik 1946 ai ekzekutohet, pas një gjyqi ushtarak qesharak, ku ishte akuzuar për një numër aq të madh “fajesh”, sa zor t’i mbante dot një njeri i vetëm; si “agjent” i italianëve, gjermanëve e grekëve. Por, arsyeja e vërtetë e vrasjes së këtij kleriku, me aq autoritet në gjithë zonën e Përmetit e më gjerë, ishte mospranimi i doktrinës rrënimtare ateiste, që sillte komunizmi në jetën shqiptare, duke parashikuar me largpamësi, pasojat që do të vinin.

“Fajin” e at Aleksandrit mund ta konstatosh lehtë edhe në radhët e fragmentit të një shkrimi të tij, që po e botojmë në krah.

Krishti komunist?

Jisu Krishti, me predikimet dhe mësimet që u jepte njerëzve, shpesh herë gjendej rast dhe, në mënyrë paravolike, i përcëllonte shumë ashpër të pasurit. Këta, mund të thotë njeriu, i kishin plasur buzën, prandaj thoshte: “Ata që kanë të holla, është shumë zor të hyjnë në mbretërinë e qiejvet”. Edhe vetëm nga këto fjalë, si duket, leu në botën njerëzore ideja, se Jisu Krishti mori inisjativën drejt për drejt kundra kapitalit dhe kështu, të gjithë ata që predikojnë idetë e reja të komunizmit, këto fjalë i përdorin si flamur, për përhapjen e ideve të tyre krejt të gabueshme.

Por ishte me të vërtetë Krishti komunist? Ka mundësi të besohet se Krishti i pranon ato dogma, në emër të së cilavet kryetarët e ideve kryengritëse “të komunizmit të famshëm” duan t’i imponojnë botës parimet e tyre dhe të përmbysin bashkë me të tjerat – dhe bazat e saja ekonomike, mbi të cilat është bazuar që kur se u krijua dhe deri sot?

Ndër sa përmban Ungjilli, një ide e tillë kurrë nuk justifikohet. Që Jisu Krishti nuk ushqen mendje të mirë për të pasurit dhe, që me paravolitë e famëshme të tij kurdoherë i godit keq dhe iu kërcënon mundime e humbje të përjetshme në jetën e ardhme, kjo është e vërtetë. Por në Ungjillin e Tij, idera të tilla as që shkruhen gjëkundi; madje as përshpëritja më e vogël nuk dëgjohet në të, se gjoja bota duhet të kthehet në komunizëm me forcë, që të shpëtojë prej tiranëve të ekonomisë së saj.

Krishti kujton se pasuria – dhe sidomos ajo që vihet me padrejtësi – zakonisht është një pengim i rrezikshëm për njerëzit që duan të arrijnë në gradën e përsosur të idealit dhe të moralit. Prandaj, kur një pasanik i vajti dhe e pyeti, “Mësonjës, ç’të bëj që të fitoj jetën e përjetshme”, Ai, e përcolli duke i dhënë këtë rekomandim: “Shko, shite pasurinë dhe eja pas meje”.

Aleksandër Lipe