Keni një temë shumë të rëndësishme, sepse të gjithë flasim për paqen, por paqe nuk ka. Këto janë fjalët e profetit Jeremia, i cili thotë “paqe, paqe thonë të gjithë, por paqe nuk ka!” Nuk ka paqe, sepse nuk ka paqe të brendshme. Nuk mund të ketë dot paqe nga jashtë, nëse nuk do të ketë paqe nga brenda. Dhe tema e kampit që thotë: “Krishti është paqja jonë”, pikërisht këtë gjë tregon, që paqja që vjen nga Zoti është një paqe që na ndryshon të gjithëve. Por paqja nuk do të vijë aq lehtë sa mendojmë, nëse nuk do të kemi një jetë shpirtërore; Njerëzit kanë një ide pak të gabuar për jetën shpirtërore, një lloj misticizmi, romantizmi. Jeta shpirtërore është shumë e thjeshtë. Jeta shpirtërore është një përpjekje e vazhdueshme për të jetuar sipas mësimeve që vijnë nga Zoti. Si i tha Zoti atij djalit të ri që erdhi dhe e pyeti, se çfarë duhet të bëj që të fitoj jetën e përjetshme? Ai i tha: Ndiq urdhërimet, që do të thotë, pra, ndiq mësimin me të cilin i jeni ofruar besimit. Nëse njeriu fillon dhe përpiqet ta përjetojë atë, paqja dalëngadalë do të vijë. Por, nëse nuk përqendrohet dhe çoroditet me histori të ndryshme, njerëzit nuk do të kenë paqe. Nëse do të përqendrohemi në jetën shpirtërore, paqja do të fitohet shumë më lehtë se sa ne mendojmë. Thashethemet, përgojimet, nuk po flas për shpifje e gjëra të tjera, këto e largojnë paqen nga shpirti i njeriut. Natyra njerëzore, ndoshta është e prirur për të dëgjuar thashethemet. Ja, të gjithë, secili nga ju, të fillojë të thotë dikush: Ja, e morët vesh për atë?! Të gjithë veshët hapur për të dëgjuar.
Në fakt nuk mësoni asgjë, edhe sikur të dini të gjithë historinë, duke filluar nga Adami dhe deri tek njeriu i fundit, nuk do të fitoni asgjë shpirtërisht; as paqe nuk do të fitoni. Largohuni sa të mundeni nga bisedat e kota, sepse bisedat e kota e largojnë paqen. Prandaj dhe Shën Efremi, në lutjen që bëhet gjatë Kreshmës së Madhe, thotë për katër gjëra të vogla, që i lutet Perëndisë që mos t’ja japë.
E para, është që mos t’i japë frymë kureshtjeje. Përse, ky mjeshtër kaq i madh i jetës shpirtërore, i kërkon diçka që duket shumë e thjeshtë? Sepse ai e di që gjërat e vogla sjellin probleme të mëdha. Kureshtja e shpërqendron gjithmonë njeriun. Ai do të merret me të tjerët, dhe një njeri që merret me të tjerët nuk do të gjejë paqe, sepse të gjesh paqe, do edhe një lloj përulësie. Vetëm të përulurit merren me veten, krenarët merren me të tjerët, se çfarë do të bëjnë të tjerët. Duke u larguar nga këto, do të fitoni ju. Shpeshherë, njerëzit nuk i japin vëmendje gjërave që janë shumë të rëndësishme, vetëm po të jetë një thashethem, tek ajo gjë përqendrohen.
Do t’ju tregoj një histori shumë të bukur që vjen nga antikiteti, për të mësuar se si vepron natyra jonë njerëzore. Demosteni, orator i famshëm i antikitetit, u përpoq që t’ju shpjegonte banorëve të Athinës në atë kohë, për rrezikun maqedonas, sepse Filipi, mbreti i Maqedonisë po fillonte pushtimin e Greqisë së Veriut dhe po zbriste poshtë. Ai fliste dhe askush nuk e dëgjonte. Një herë mendoi që të përdorte një truk, që t’i mbante njerëzit afër dhe u thotë: Burra të Athinës, do t’ju tregoj një histori. Disa veta ndaluan dhe ai vazhdoi të tregonte historinë,… një athinas donte të shkonte në Korinth, por nuk kishte gomar dhe shkon tek njëri dhe i thotë, më jep gomarin, dhe ai i tha, ta jap me qera, por duhet të vij dhe unë me ty. Mirë! – i tha ai. Njerëzit filluan dhe u grumbulluan edhe më shumë. Duke ecur rrugës në drekë, në vapë të madhe, ndaluan për të pushuar dhe ky që kishte marrë gomarin me qera, donte të rrinte në hijen e gomarit. Tjetri thoshte: – Jo, unë të kam dhënë gomarin me qera, hija me takon mua! Sheshi ishte mbushur plot.
Kur pa sheshin plot, ai filloi t’i fliste pikërisht për gjënë e rëndësishme, për rrezikun. Dhe njerëzit filluan dhe thërrisnin: – Po lëre rrezikun, por kush qëndroi në hijen e gomarit, atë na thuaj! Dhe sikur ta dinin se kush qëndroi, asgjë nuk do të fitonin.
Shpeshherë, e njëjta gjë ndodh edhe me shpërqendrimet tona. Përqendrohemi në gjëra që nuk kanë asnjë lloj vlere dhe jo në paqen thellë brenda nesh. Duke mos pasur përqendrim, nuk kemi as paqe dhe nuk mund të vendosim paqe me të tjerët. Një sherrxhi, nuk mund të përhapë paqe. Zoti na kërkon jo vetëm të jemi njerëz paqtorë, por na kërkon pak më tepër. Tek lumurimet nuk thuhet “lum paqtorët”, por thuhet “lum paqebërësit”; ata njerëz që jo vetëm thjesht kanë paqe brenda, por e përhapin dhe tek të tjerët. Ne nuk mund të drejtojmë tek të tjerët, diçka që është shtrembëruar tek vetja jonë. Pa pasur paqe vetë, s’mund të përhapim paqe tek të tjerët. Prandaj bota nuk ka paqe. Dhe Zoti thotë në Ungjill: “Unë do t’ju jap paqen time, jo siç e jep bota”. Ai flet për paqen e brendshme, që është dhurata më e madhe që një njeri mund të ketë në jetë.
Thënia e famshme e shumë etërve, e shumë shenjtorëve, e thënë në forma të ndryshme, pak a shumë thotë këtë gjë: “Paqtohu me veten dhe do të paqtosh me mijëra njerëz rrotull teje”. Ne nuk përhapim paqen, sepse nuk kemi paqen brenda vetes; dhe paqja me Zotin, është një dhuratë jashtëzakonisht e madhe. Nëse do ta kemi atë paqe, jeta jonë do të ndryshojë dhe një njeri që ka paqe të brendshme, nuk tronditet as nga fjalët që i thonë, as kur e shajnë dhe as kur shpifin kundër tij, sepse ai ka arritur një paqe me Zotin dhe nuk tronditet nga gjërat e kota.
Është si një oqean i thellë, sado të ketë stuhi jashtë, thellë brenda tij është i qetë. Dhe një njeri që është i thellë shpirtërisht, pikërisht këtë gjë realizon. Realizon një qetësi shumë të madhe e cila i jep jetës së tij gëzim. Por nuk mund të ketë paqe atje ku është e keqja. Unë citoj shpesh një varg të Profetit Isaia, që thotë: “Nuk ka paqe për të paudhët!” Çfarë do të thotë që nuk ka paqe për të paudhët? Nuk ka paqe atje ku është e keqja. Nëse do të kemi diçka të keqe brenda vetes sonë, nuk do të kemi paqe. Një njeri që grindet me të tjerët, tallet me të tjerët, nuk do të ketë as paqe në jetën e tij. Që të kërkosh paqe brenda, kërkohet një shpirt i pastruar. Fjala paqe, hebraisht, ka edhe kuptimin e një përparimi shpirtëror; ka kuptimin edhe të gëzimit, sepse nëse nuk do të kemi paqe brenda, nuk do të kemi as gëzim.
Ja, jeta e sotme e njeriut modern, dallohet pikërisht se nuk ka as paqe dhe as gëzim. Edhe miliarder të jetë dikush, nuk ka gëzim. Njerëzit, kur nuk kanë shumë pasurira, mendojnë se po t’i kenë ato, do të realizojnë gjithçka. Por praktika dhe realiteti tregon se nuk është e vërtetë. Nëse njeriu nuk ka Zotin brenda vetes së tij, dhe kur themi që nuk ka Zotin, do të thotë që nuk bën një jetë sipas mësimeve të Perëndisë, nuk do të ketë paqe dhe pa paqe nuk do të ketë gëzim! Prandaj u flas shumë njerëzve për paqen.
Septuaxhinda, që është përkthimi i të 70-të përkthyesve, është përkthimi i parë që është bërë i Dhiatës së Vjetër.
Kur Diaspora hebraike e kishte humbur gjuhën hebraike dhe në Aleksandri flisnin të gjithë greqisht, menduan të përkthehej Bibla hebraike në greqisht dhe ky është përkthimi i parë. Sipas traditës u përkthye nga 70 vetë, prandaj quhet i të 70-ve. Dhe fjalën “paqe” nuk e kanë përkthyer paqe, por “gëzim”: Nuk ka gëzim atje ku është e keqja, sepse gëzimi është një dhuratë që vjen nga Perëndia, dhe nëse nuk do të kemi paqe në shpirt, nuk do të kemi as gëzim.
Prandaj, mundohuni t’u largoheni thashethemeve të kota dhe sherreve, sepse shpirti juaj do të trazohet dhe nuk do të ketë paqe. Paqja nuk është thjesht një ndjesi, është një shpëtim, kur njeriu realisht realizon atë për të cilën është krijuar. Të krishterët besojnë në diçka shumë të rëndësishme, po ashtu edhe antropologjia e krishterë e shpjegon njeriun kështu: Njeriu është një qenie e rënë, por njeriu është krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe ikona mbetet aty, mund të deformohet, mund të nxihet, por ikona aty mbetet.
Detyra e njeriut është që ta restaurojë këtë ikonë, sepse nëse restaurojmë ikonën, që të fillojë të ndriçojë përsëri, do të kemi dhe paqe dhe shpëtim dhe gëzim. Gjithë botën të sundosh, gjithë pasurinë të kesh, po nuk pati njeriu gëzim, jeta e tij fillon dhe thahet. Paqja mund të vijë vetëm kur njeriu ka një dimension të përjetësisë. Sepse ne e shikojmë jetën vetëm të kësaj kohe. Sa mund të jetojmë, 70 apo 80? Një ditë kjo mbaron dhe dimensioni i përjetësisë e ndihmon njeriun të ketë një jetë shpirtërore dhe të largohet nga çoroditjet e kota, fjalët e kota dhe të përqendrohet tek thelbi i jetës. Shpeshherë gjërat që do t’i fitoni në këtë moshë, do të mbeten gjithmonë tek ju. Rruga që do të zgjidhni do të mbetet gjithmonë.
Shpesh ju porosis, mos i bëni zakon përgojimet, thashethemet, talljet për të tjerët, sepse nga këto vjen çorientimi, dhe çorientimi nuk sjell paqe, por gjithmonë do të sjellë konflikt. Njëri do të ofendohet për fjalën që ke thënë, do të filloni të grindeni dhe shpeshherë mund të marrin përmasa të mëdha; dhe sa më shumë trazohet shpirti, aq më shumë mendja nuk është më e ndriçuar. Madje dhe shumë gjëra po të kuptoheshin lehtë, do të thjeshtësoheshin. Është në interesin tuaj të filloni që tani të kultivoni dimensionin e paqes.
Kështu shkruanin Shkrimet e para, që të krishterët janë një racë paqësore, që do të thotë se përhapin vazhdimisht paqe. Kush ka frikë Perëndinë, nuk i ka frikë njerëzit, por është paqtor. Ata që nuk kanë frikë Perëndinë, tremben nga njerëzit. Nëse do të arrini një paqe të thellë brenda shpirtit tuaj, nuk do të keni frikë. Është koha që secili nga ju do të vendosë se çfarë do të ndjekë në jetën e tij; do të fillojë udhëtimin e tij. Kisha beson se jeta e njeriut është një udhëtim dhe ky udhëtim presupozon se ka një destinacion përfundimtar, që ka një dimension të përjetshëm, që ka diçka që ne nuk e mbarojmë vetëm me jetën këtu, por e vazhdojmë edhe më pas. Nëse çorientohemi nga shqetësimet e kësaj bote, çoroditjet, zbavitjet dhe e neglizhojmë këtë dimension, as këtë kohë nuk do ta gëzojmë dot. Sado që mund të duket si paradoks, por njerëzit që e shikojnë përjetësinë dhe e jetojnë atë, e gëzojnë dhe këtë kohë të përkohshme, ndërsa ata që nuk e kanë këtë dimension të përjetësisë, as këtë kohë nuk e gëzojnë dot.
Ndoshta për ju nuk janë akoma këto shqetësime, por nëse nuk mbillet fara e mirë që tani, nuk do të japë fruta kur të rritet, sepse çfarë do të mbjellim, do të korrim. Mundohuni të mbillni farat e mirësisë. Në kuptimin e krishterë, të jesh i mirë ose i keq, nuk është çështje vetëm etike, por teologjike, sepse më tepër i bëjmë keq vetes sesa të tjerëve. Duke shpikur për të tjerët, duke tallur të tjerët, duke ofenduar të tjerët, më shumë dënojmë veten tonë, sepse nuk na lejon që të kemi një jetë shpirtërore dhe pa një jetë shpirtërore, nuk mund të kemi dot paqe, prandaj dhe paqja është kaq e rëndësishme. Të gjithë luten për paqe, të gjithë duan paqe, por pak përpiqen për të. Së pari, për të paqtuar veten dhe, së dyti, për të transmetuar atë paqe dhe tek të tjerët që janë rrotull. Prandaj dhe është shumë e rëndësishme për secilin nga ju të bëhet një punëtor i paqes.
Tema e paqes e cila thotë “Krishti është paqja jonë” është shumë e rëndësishme, sepse është ndryshe nga paqja e botës, jo nga mungesa e luftës, por është një gjendje e thjeshtë shpirtërore dhe një gëzim i thellë shpirtëror që vjen nga prania e Zotit në jetën tonë; dhe prania e Zotit në jetën tonë është dhe vjen kur shpirti ynë është në paqe; një shpirt i trazuar nuk mund të gjejë dot paqe.
Do të doja që gjithsecili nga ju të përpiqet ta kultivojë paqen, sepse si çdo gjë, nëse nuk kultivohet, nuk rritet; dhe ajo do të thahet. E njëjta gjë është dhe me virtytet e mëdha që njerëzit duhet të mbjellin në shpirtin e tyre. Ata duhet të përpiqen dhe t’i rrisin ato virtyte, sepse njeriu nuk është një qenie statike, është një qenie dinamike. Në jetën shpirtërore do të thuhen gjithmonë këto fjalë: nëse nuk do të rritemi shpirtërisht, nuk do të thotë se do të qëndrojmë neutral, por do të fillojmë të biem. Prandaj, nëse nuk jemi duke u rritur, do të jemi duke rënë. Nëse nuk do të jemi paqtorë, do të jemi më shumë agresivë dhe duke u bërë konfliktual me njerëzit rrotull. Një jetë me konflikte dhe me sherre, do të sjellë probleme të mëdha.
Prandaj, do t’ju uroja të gjithëve të përpiqeni për paqen dhe le t’i merrni seriozisht ato fjalë që “Krishti është paqja jonë”, sepse realisht Ai është paqja jonë. Vetëm nëpërmjet mësimit të Tij, mund të realizojmë një paqe që mund të qëndrojë vazhdimisht. Edhe sikur të ketë sherre, përsëri nëse do të keni paqen e brendshme, përsëri do të keni paqe. Mundohuni t’i kultivoni këto fjalë, sepse mund të mbillni, por nëse nuk kultivoni, nuk do të prodhoni. Përpiquni për këtë, sepse të parët që do të përfitoni do të jeni ju, por jo vetëm ju, por dhe shumë njerëz rrotull jush.