EmailFacebookKontakt

Krishtërimi në Shqipëri gjatë shekujve V-VI

Besimi i krishterë, me gjithë vështirësitë e rrymave heretike, mundi të përhapej e të pranohej me bindje të plotë nga e gjithë popullsia e vendit tonë, duke arritur në këtë mënyrë deri në familjet e vogla fshatare e qytetare.

Siç do të shohim në vazhdim, shumë të dhëna historike e arkeologjike tregojnë qartë se besimi i krishterë arriti një zhvillim shumë të madh shpirtëror e kulturor, që vazhdoi për shekuj me radhë.

Iisu Krishti, jeta dhe veprat e tij të përshkruara në katër Ungjijtë e Shenjtë, u bënë udhërrëfyes të drejtë dhe shpresëdhënës në jetën shpirtëtore dhe punën e përditshme për çdo të krishterë.

Institucionet fetare, gjithashtu, kanë qenë të mirëorganizuara e të plotësuara me shërbyes klerikë, që arrinin deri në rangjet më të larta kishtare.

Një nga periudhat më të shkëlqyera që dallohet për ndërtimin e kishave, të trajtuara me madhështinë e monumenteve të vërtetë të kultit të krishterë, që përfaqësohen denjësisht edhe në vendin tonë, është, pa dyshim, periudha ndërmjet shek. V-VI. Kulmi i zhvillimit në fushën e monumenteve të krishterë, sikurse vërtetohet nga të dhëna historike e arkeologjike, është arritur kryesisht në kohën e sundimit të perandorit Justinian, i cili siç dihet ka qenë me origjinë ilire. Vendlindja e këtij perandori ka qenë fshati Tauris në Dardani, i cili më vonë u bë një qytet i madh. Këtu u vendos Kryepiskopi i ilirëve, dhe qyteti në atë kohë quhej Justiniana e parë.

Perandori Justinian, të cilin historia e përmend si një nga perandorët më të rëndësishëm të Bizantit, krahas ndërtimeve fortifikuese, ndërtoi edhe shumë kisha madhështore si Shën Sofia në Konstandinopol, e cila është në këmbë akoma dhe sot. Rrezatime të dukshme të zhvillimit të besimit të krishterë në atë kohë, me qendër në Konstandinopol, kanë arritur edhe në vendin tonë. Sikurse do të shohim më poshtë, në qytetet më të rëndësishëm të Ilirikut, besimi i krishterë ishte bërë besimi i të gjithë popullit dhe kisha e krishtere ishte shumë mirë e organizuar dhe tanimë e pasuruar. Ajo zinte një vënd të rëndësishëm e kryesor në jetën e popullsisë qytetare e fshatare.

Për vendin tonë, qendra kryesore e kishës së krishterë, gjatë shek. V-VI. ka qenë qyteti i Durrësit, i cili në këtë kohë ishte një qytet i fortifikuar, dhe kishte arritur një ekonomi shumë të zhvilluar dhe një kulturë artistike të mirënjohur, si në Lindje ashtu dhe në Perëndim. Gjurmët e vërteta të madhështisë së këtij qyteti janë monumentet që pjesërisht duken edhe në ditët tona. Një pasuri e madhe objektesh arkeologjike kristiane janë grumbulluar në muzeun e këtij qyteti.

Për këtë periudhë, besimi dhe kisha e krishterë përfaqësohen denjësisht si një besim i adhuruar, të cilit i përkushtohej me devotshmëri i gjithë populli. Vetë kisha paraqitet me shumë madhështi e dinjitet, në drejtimin organizativ. Në këtë kohë Durrësi ishte kryeepiskopatë.

Në këtë qytet janë zbuluar gjurmë të kishave madhështore, si ajo e Arapajt, që nga ana ndërtimore, nga formulimi arkitektonik, si dhe nga zbukurimi me vepra arti të gjinive të ndryshme, tregojnë për një zhvillim të madh.

Rrënojat e kishave monumentale si edhe pjesët arkitektonike të zbuluara në Durrës, vërtetojnë se këto kisha ishin të ndërtuara sipas tipeve dhe përmasave të ngjashme me kishat e qendrave kryesore të krishterimit. Nëpërmjet fragmenteve arkitektonike dhe dekoracioneve plastike duket se këto kisha kanë qenë të zbukuruara, brenda e jashtë, me punime e vepra artistike me vlera të mëdha të ekzekutuara nga mjeshtra të talentuar.

Për këtë periudhë simboli më i adhuruar, për të gjithë të krishterët, ishte kryqi, i cili ishte i pranishëm jo vetëm në kisha e objekte të tjerë të krishterë, por edhe deri në materialet e ndërtimit, gurë e tulla, në objekte familjare të përdorimit të përditshëm, në monedhat, prodhimet e artizanatit, objektet e zbukurimit, veglat e punës, etj. Nga këto të dhëna del shumë qartë se besimi tek Iisu Krishti ishte mbarëpopullor, i rrënjosur thellësisht tek të gjithë. Simboli i kryqit e përfytyronte Iisu Krishtin të kryqëzuar, që dha shpirt dhe u ngjall për shpëtimin e të gjithë njerëzimit. Kryqi ishte domosdoshmërisht i pranishëm në çdo vepër e veprim për secilin të krishterë që besonte dhe jetonte i ushqyer me frymën e shenjtë të Iisu Krishtit Perëndi.

Një qytet tjetër i lashtë i vendit tonë, ku besimi dhe kisha e krishterë paraqiten me një madhështi të jashtëzakonshme, është edhe qyteti i lashtë i Bylisit, që ndodhet në afërsi të fshatit Hekal të Mallakastrës. Ky qytet është i njohur nga burimet historike, si një qytet shumë i zhvilluar dhe i kulturuar i kohës antike. Për periudhat e mëvonshme, Bylisi, si një qytet i pastudiuar mirë, është konsideruar nga historianët tanë, si një qytet i shkatërruar në mesjetën e hershme dhe i zhvendosur në Ballshin e sotëm.

Në qytetin antik të Bylisit, disa vjet më parë janë bërë gërmime arkeologjike për zbulimin e teatrit antik të këtij qyteti, si edhe për zbulimin e mureve rrethuese të tij. Në vazhdim të këtyre gërmimeve, dolën në dritë edhe gjurmë të monumenteve të tjerë, që vërtetuan qartë për vazhdimësinë e këtij qyteti edhe në periudhën e hershme e të vonë bizantine. Zbulimet më të fundit në Bylis janë të një rëndësie të veçantë dhe me shumë interes për dokumentimin e përhapjes së krishtërimit dhe organizimit kishtar në vëndin tonë, duke filluar nga antikiteti i vonë deri në shek. XII.

Në vazhdim të kërkimeve arkeologjike, në Bylis janë zbuluar pesë kisha paleokristianë, me përmasa të ndryshme, me zgjidhje arkitektonike të tipit bazilikal. Këto kisha janë të shtruara me mozaikë shumëngjyrësh dhe të zbukuruara me skulpturë e elementë arkitektonikë të gdhendur në mermer apo gurë dekorativë.

Në burimet historike bizantine, Bylisi përmendet së bashku me Apolloninë si episkopatë me episkop Feliksin, i cili merr pjesë në Sinodhin e Efesit, që u zhvillua në vitin 431. Në vitin 458 Bylisi përmendet me emrin Validi dhe kishte si episkop Filoharin. Në shek. VI Bylisi radhitet ndër tetë qytetet më të rëndësishëm të Epirit të Ri.

Në mungesë të burimeve historike, për periudhat e mëvonshme, historia e qytetit të Bylisit do të saktësohet më drejtë, pas studimit të hollësishëm në përfundimin e zbulimit të të gjitha kishave, që eventualisht gjendeshin në këtë qendër të madhe të krishterë në vendin tonë.

Në mënyrë paraprake, mund të thuhet se mbishkrimet e shumta që janë zbuluar deri më sot në qytetin e Bylisit vërtetojnë plotësisht se ky qytet, i konsideruar si i shkatërruar dhe i zhvendosur në Ballsh, në të vërtetë ka një vazhdimësi më të njëjtin truall që nga antikiteti, në Mesjetën e hershme dhe arrin deri në shek. X-XI. Sikundër e përmendëm, burimet historike na paraqesin Bylisin si qendër episkopale dhe kërkimet arkeologjike e vërtetojnë këtë gjë me zbulimin e vetë kishës së episkopatës të këtij qyteti. Le ta shikojmë këtë problem pak më me hollësi. Njëra nga kishat e zbuluara, që, siç thamë është e tipit bazilikal me tre nefshe, me absidë gjysmërrethore. Brenda absidës së kësaj kishe është gjetur i ndërtuar një podium në formë unaze me tri këmbë shkallë. Kjo shkallare është elementi kryesor në përcaktimin e funksionit të kësaj kishe si katedrale e episkopatës së Bylisit. Para abdisës dhe në krye të sallës qendrore të kësaj kishe janë ruajtur edhe gjurmë shumë të qarta, që tregojnë për ekzistencën e një altari të trajtuar në formë disi të veçantë. Ky altar veçohej nga salla qendrore nëpërmjet një komande të ulët. Sikurse tregojnë elementë të arkitekturës dekorative, kolonada e altarit ishte me kapitele me përmasa të vogla dhe në pjesën e poshtme lidhej me panele guri të gdhendura mes tyre me kryqe të rrethuar me motive floreale.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Koço Zheku