EmailFacebookKontakt

Krishtërimi në Shqipëri gjatë shekujve V-VI

Në mozaikun e dyshemesë së një kishe tjetër është zbuluar një mbishkrim në të cilin lexohet emri “Paktianos”. Ky emër është i njohur sepse përmendet edhe në një mbishkrim tjetër, që është gjetur në fillim të shekullit tonë në rrënojat e kishës së Ballshit. Ky mbishkrim, i botuar nga C. Patsch më 1904, në Vjenë, është i gdhendur mbi një shtyllë monolite prej mermeri të bardhë, në drejtimin vertikal të saj. Mënyra e realizimit dëshmon se mbishkrimi është i njëkohshëm me ndërtimin e kishës, në të cilin bënte pjesë kolona e mbishkruar. Gjurmë të tjera dhe përmasat e kësaj kolone tregojnë qartë se ajo zinte vënd në krahin e djathtë të hyrjes së një altari madhështor. Teksti i këtij mbishkrimi, bën fjalë për ndërtimin e një kishe. Paktianoi pike ju lutur Zotit, së bashku me gruan Agllaia dhe të bijën Pakta, ja kushtojnë këtë kishë Shën Andreas. Zbulimi i këtyre mbishkrimeve na shtyjnë të mendojmë se duke patur një emër të përbashkët, ata i përkasin edhe një kishe të përbashkët. Fakti që nga njëra anë emri i Paktianoit është zbuluar në mozaikun e dyshemesë së kishës së Bylisit dhe nga ana tjetër i njëjti emër është i gdhëndur në shtyllën që u gjet në kishën e Ballshit, tregojnë fare mirë se shtylla e mbishkruar e gjetur në Ballsh është marrë nga rrënojat e kishës së Bylisit për t’u përdorur, në këtë rast, si material ndërtimi. Kjo i vërtetohet gjithashtu edhe nga një fakt tjetër, po në Ballsh janë gjendur panele dekorative dhe shtyllëza të lëmuara me figura njerëzish e kafshë deti, materiale këto që i përkasin një altari tjetër. Në këtë rast duket se artistika dekorative e atyre shtyllëzave, lidhet direkt me idenë që përfaqësohet në skenën e peshkatarëve, të realizuar në mozaikun e dyshemesë së një kishe tjetër që është zbuluar kohët e fundit në Bylis. Kishat paleokristiane të zbuluara në Bylis në tërësi tregojnë se vëmendja kryesore e arkitektit, artistit dhe ndërtuesit ishte e përqëndruar në krijimin, si në anën e jashtme ashtu dhe në atë të brendshme, të një kishe, e cila ishte një monument i vërtetë, ku secili nga besimtarët e krishterë ta ndjente veten se ishte në një mjedis të veçantë e ndikues në botën shpirtërore. Një mjedis ku mund të komunikonte me Frymën e Shenjtë dhe vetë përfytyrimin e kryqëzimit, dhe ngjalljes e Jisu Krishtit.

Këto qëllime kryesore duken se me përpjekje të mëdha janë arritur thuajse në të gjithë kishat e ndërtuara në kohë të ndryshme, por në mënyrë të veçantë do të thoshim se janë arritur në kishat madhështore të zbuluar kohët e fundit në Bylis. Ky qytet, për pasurinë e madhe të vlerave shpirtërore e monumentale që ruhen në truallin e tij, në kohën tonë duhet të konsiderohet e të shpallet si qytet i Shenjtë, ku të organizohen pelegrinazhe e të meshohet në kishat e zbuluara, në ditë të shënuara. Mund të shihet edhe mundësia e restaurimit edhe ringritja në këmbë e kishës, dhe mjediseve përreth, duke shërbyer edhe si manastir. Ky manastir do të ishte me të vërtetë një vend i shenjtë që do tregonte për një rigjallërim të besimit të krishterë për gjithë besimtarët e vërtetë, të cilët, për një kohë shumë të gjatë, në vuajtje të shumta, kanë mundur të ruajnë të ndrydhur në zemrat e tyre besimin e krishterë, të pastër e të papërlyer dhe me dashuri të madhe.

Lidhur me mendimin e shfaqur më sipër për restaurimin dhe ringritjen e ndonjërës nga kishat e zbuluara në Bylis, më e arritur do të ishte, pa dyshim, kisha e cila sipas mbishkrimit që përmendëm i kushtohet Shën Andreas. Kjo kishë është ruajtur në një gjendje mjaft të mirë dhe paraqitet madhështore, si nga ana e përmasave ashtu edhe nga numri i ambienteve të tjerë që i bashkëngjiten. Kisha e Shën Andreas, siç përmendëm, paraqitet e tipit, bazilik. Në krahun jugor dhe në gjithë gjatësinë e murit anësor të kishës, janë zbuluar një kompleks i tërë mjedisesh, ndër të cilat dallohet baptisteri, i cili nga ana funksionale, lidhet direkt me kishën. Mjediset që me sa duket ishin më tepër të destinuar për banim, dallohen në këtë drejtim nga një oborr, i vendosur në mes të tyre. Këtyre mjediseve u takojnë edhe dy stera, depo uji, që janë zbuluar në mes tyre, të cilat gjykuar nga vendi që zënë, njëra i shërbente kryesisht baptisterin dhe tjetra mjediseve të banimit.

Restaurimi dhe konsolidimi i të gjithë pjesëve të trashëguara nga kjo kishë do të ishte detyra kryesore dhe mbi këtë arritje do të bëhet i mundur rindërtimi i vetë kishës dhe mjediseve të tjera, që, sikurse thamë, ruajnë gjurmë shumë të qarta. Ringritja e këtij kompleksi, kishës, baptisterit, dhe mjediseve të tjera të përfshira në një manastir, do të ishte një veprim sa i llogjikshëm e i drejtë, aq edhe i nevojshëm në kondiitat e sotme. Edhe në të kaluarën është vepruar në këtë mënyrë. Në të gjitha kishat e vjetra duken edhe sot gjurmë të dallueshme që tregojnë për dy ose edhe më shumë rindërtime të bëra në kohë të ndryshme, gjë që tregon nga ana tjetër për rigjallërimin në jetë të jetëve të besimit të krishterë.

Koço Zheku