EmailFacebookKontakt

Krisht – Lindje!

Natë e bekuar, që me gjuhërat e zjarrta të yjeve që zbukurojnë pëlhurën tënde, shpërndan rrezet e gëzimit në shpirtrat e helmuar.

Krishtlindje! Lajm gazmor, plot premtim për paqe dhe mirëdashje.

Krishtlindje! Ngjarje e Shenjtë, që bashkon Perëndinë me njerëzinë. Nuk ka më mallkim për Adhamin, as përbuzje për Evën: se Lindja e Krishtit i zhduku të dyja këto përgjithmonë.

Krishtlindje! Lindje e çuditshme dhe mister i pagjurmësuar. Kush e beson lartësohet dhe shpirti i gjen qetësi. Perëndia thërret me anën e Engjëllit të Tij dhe kush e beson dhe e dëgjon bëhet përsëri trashëgimtar i Mbretërisë së Tij. Për njeriun, për krijesën e Tij të privilegjuar, Ai foshnjërohet dhe pëson, për t’i dhënë njeriut lavdinë e parë. Ka mister më të madh se ky?!

Ka gëzim më të madh dhe shpresë e ngushëllim për Adhamin e rënë? Prandaj, qielli e dhe të lidhur bashkë marrin pjesë në këtë gëzim mistik, duke kërkuar Perëndinë, i Cili me mirëdashjen dhe urtësinë e Tij të paanë, përgatit mistikërisht shpëtimin e njeriut.

“Lavdi Perëndisë, më të lartat, dhe mbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje”!

I bekuar je, o Krisht Perëndia ynë, që të pëlqeu kështu. Lavdi më Ty!

Shpresëtarja

Korçë, Krishtlindje 1999