EmailFacebookKontakt

Kreshma sipas shën Vasilit të Madh

…Të kujtosh dhe t’i druhesh shembullit të të pasurit të paravolisë (Llukai 16:19-31). Dëfrimet e shumta e drejtuan në ferrin e përjetshëm. Ky i pasur nuk u akuzua për ndonjë të keqe, por për shkak të rehative dhe ushqimit që shijonte, dhe kryesisht indiferencës së theksuar ndaj varfërisë së Llazarit, u dënua kaq ashpër. Përkundrazi, a nuk ishin kreshma dhe durimi në vuajtje ato që i dhuruan prehjen Llazarit? Paravolia nuk përmend të tjera virtyte të tij, përveç këtyre, të cilat, si dy krahë, e lartësuan dhe e prehën në gji të Abrahamit.

Kujdes pra edhe ti, se mos ndërsa tani pi me kënaqësi pije të ndryshme dhe të neveritet uji, më vonë lutesh për një pikë të vetme të tij, ashtu si i pasuri. Askush nuk pësoi gjë nga uji. Asnjëri nuk u deh prej tij, apo nuk ndjeu dhimbje koke e zali. Ndërsa, në të kundërt, dehjet dhe ngopjet e tepërta, që dashur pa dashur i shoqërojnë gostitë, mund të shkaktojnë pasoja të tmerrshme.

Jeta e Shën Joan Pararendësit, Pagëzorit, ishte kreshmim i vazhdueshëm. Nuk kishte as shtëpi, as shtrat, tryezë, toka apo kafshë, as magazina ushqimesh, as ndonjë gjë tjetër nga ato që në jetë konsiderohen të domosdoshme. Prandaj për këtë Zoti shpalli se Joani ishte “më i madh nga sa janë lindur prej nëne” (Mattheu 11:11).

Kreshma e ngriti në “qiellin e tretë” edhe apostull Pavlin, që e numëroi në të mburrurit për vuajtjet e tij (2 Korinthianëve 11:27).

Për të gjithë virtytet, tip, model dhe shembull kemi vetë Zotin. Krishti pra, pas kreshmës 40 ditore nisi veprën e Tij këtu në tokë (Mattheu 4:2). Pas pagëzimit të Tij, fortifikoi dhe armatosi me kreshmë trupin që mori për hirin tonë, dhe më pas pranoi tundimet e djallit.

Në mënyrë të ngjashme edhe ne, me kreshmë, le të përgatitemi dhe paraprakisht le të stërvitemi për luftërat kundrejt armiqve shpirtërorë.

Në një përleshje luftarake të pasigurt, prezenca e një aleati përkrah një ndërluftuesi, përbën humbjen e tjetrit. Pra shpirti dhe trupi janë në gjendje ndërluftuese. Me kë do bashkëluftosh? Nëse do bashkëluftosh me trupin, do të sëmurësh shpirtin. Nëse lufton me shpirtin, do të nënshtrosh trupin. Meqenëse do të bësh të fuqishëm shpirtin tënd, disiplinoje trupin me kreshmë. Apostull Pavli shkruan: “Sa njeriu i jashtëm (dmth trupi) shkon në prishje, aq dhe ai i brendshmi (dmth shpirti) përtërihet” (2 Korinthianëve 4:16).