EmailFacebookKontakt

Kreshma: Kthimi ynë në Parajsë

Kreshma: Kthimi ynë në Parajsë
At Luka Veronis

Të dielën përpara Kreshmës së Madhe, Kisha kujton dëbimin e Adhamit dhe Evës nga Parajsa. Tema e të qenit të dëbuar nga Parajsa është e një rëndësie thelbësore për t’u kuptuar nga çdo besimtar, sepse kështu ne mund të kuptojmë më mirë se si mund të kthehemi në Parajsë.

Në fillim, kur Perëndia krijoi botën, dëshiroi që Eva dhe Adhami dhe gjithë njerëzimi i ardhshëm të jetonin në paqe e harmoni me Perëndinë, përjetë në Parajsë. Ai u dha njerëzve të parë të gjitha gjërat e bukura të natyrës duke mbushur jetën e tyre me gëzim e dashuri. Porosia e tij e vetme ishte se ata nuk duhej të hanin nga Pema e njohurisë së të mirës dhe së keqes. Me fjalë të tjera, Perëndia u kërkoi Adhamit dhe Evës të mbanin kreshmë dhe të jetonin një jetë të disiplinuar. Kjo jetë e disiplinuar do t’i mësonte njeriut si të përmbante të gjitha pasionet e tij dhe të jetonte një jetë bindjeje për lavdi të Perëndisë.

Sidoqoftë, Adhami dhe Eva dështuan. Ata u mashtruan nga satanai dhe u futën në rrugë të gabuar nga krenaria e tyre. Ata nuk mësuan të disiplinonin veten. Ata refuzuan kreshmën e Perëndisë dhe, duke ngrënë nga fruti, u dëbuan nga Parajsa.

Këtu ne dallojmë një lidhje thelbësore me periudhën e Kreshmës së Madhe që kemi filluar. Periudha e Kreshmës sonë 40-ditore konsiderohet nga Kisha si udhëtimi i kthimit në Parajsë. Megjithëse Krishti hapi derën e Parajsës me vdekjen dhe Ngjarjen e Tij, ende shumë besimtarë mbeten jashtë dyerve të saj për shkak të mëkateve në jetën e tyre. Ne u kemi lejuar veseve tona të këqija, dëshirave tona mëkatare dhe pasioneve tona më të thella të kontrollojnë dhe të drejtojnë jetën tonë. Në vend që veset, pasionet, dëshirat të kontrolloheshin nga Krishti, ka ndodhur e kundërta. Kjo është arsyeja që Kisha ka cakuar një periudhën e Kreshmës.

Ne thërritemi që të dalim me sukses aty ku dështoi Adhami dhe Eva. Ngaqë nuk mundën të mbajnë Kreshmë, ata u nxorën jashtë nga Parajsa. Ndërsa ne përpiqemi të kreshmojmë, përpiqemi të mësojmë disiplinën në jetën tonë, me shpresën se ne mund të kthehemi në Parajsë dhe të qëndrojmë aty përjetë. Së bashku me mësimin e vetëdisiplinimit ka edhe shumë arsye të tjera që e bëjnë Kreshmën të nevojshme. Ajo na kujton nevojën e vartësisë sonë nga Perëndia. Vini re, se Kreshma e vërtetë përfshin uri dhe dërrmim fizik. Kur trupat tona janë të dobëta dhe të lodhura ne kujtohemi se jemi të vdekshëm dhe kështu bëhemi më të gatshëm për t’u kthyer te Perëndia.

Një arsye tjetër për të kreshmuar është krijimi i një atmosfere të tillë, në të cilën Perëndia do të na ndriçojë. Gjatë gjithë historisë periudhat e kreshmës kanë qenë çastet kur njerëzit besimtarë të Perëndisë janë ndriçuar nga Perëndia. Për shembull, Moisiut iu dha ligji i Perëndisë në kohën që ishte duke kreshmuar për dyzet ditë në malin e Sinait. Ilias iu dha drejtimi i Perëndisë gjatë kohës së kreshmës së tij. Apostulli i shenjtë Petri kur ishte duke kreshmuar pa vegim, i cili i dha Kishës së hershme një drejtim të ri (Vep. 10). Shumë shenjtorë dëgjuan Perëndinë t’u flasë kur ishin në kreshmë. Shën Agustini thotë: “A do që lutja jote të fluturojë drejt Perëndisë? Jepi dy krahë – kreshmën dhe lëmoshën”.

Ndaj këto tre pika na e bëjnë të qartë se kreshma nuk është diçka negative (dënim personal), por diçka pozitive që na çon më afër Perëndisë.

Sidoqoftë Praktikimi i një kreshme tërësore – jo vetëm nga ushqimet, por veçanërisht nga mëkatet tona – ka një rëndësi parësore. Le të mos përqendrohemi në dyzet ditë pa mish dhe bulmet, por le t’i kushtojmë vëmendjen tonë dyzet ditëve pa thashetheme, pa mëri, pa urrejtje dhe pa mëkate. Ashtu siç na e përshkruan një himn i bukur i Kishës: “Kreshma dëbim i çdo të lige, kontroll i gjuhës, përmbajtje nga inati, largim nga dëshirat, shpifje, mashtrimi dhe betimi i rremë. Nëse këto i hedhim poshtë atëherë kreshma jonë është e vërtetë dhe e pranueshme nga Perëndia”.

Kreshma e vërtetë nënkupton gjithashtu edhe diçka tjetër – intesifikimin e lutjes në jetën tonë. Gjatë kreshmës le të shkojmë në Kishë më shpesh për shërbesat e ditëve të javës. Le të shtojmë kohën e lutjeve tona personale në shtëpi. Le të fillojmë leximin e përditshëm të Biblës (gjatë kreshmës Kisha përqëndrohet në librat e Gjenezës, Proverbat dhe Isaia). Le të rrëfehemi te një at shpirtëror dhe le të kungohemi shpesh. Le të përpiqemi që njohuria jonë për besimin të rritet dhe angazhimi ynë në praktikimin e besimit në jetën e përditshme të bëhet më i madh!

Le të kombinojmë gjithashtu dhënien e lëmoshës me kreshmën. Profeti Isaia na thotë se kreshmë e vërtetë është të ushqesh të varfërit, të kujdesesh për të sëmurët, të ndihmosh nevojtarët. Dashuria konkrete, dashuria me vepra duhet të jetë gjithmonë pjesë e kreshmës së vërtetë! Kreshma duhet të na bëjë më përdëllyes për nevojtarët. Kur ndjejmë uri nga ushqimet duhet të mendojmë njerëzit e varfër që janë vazhdimisht të uritur. Kur nuk hamë një gjellë të caktuar, le t’i kursejmë ato para dhe t’ua japim të varfërve. Kreshma jonë le të na bashkojë me të varfërit dhe nëpërmjet kreshmës sonë të mund të ndihmojmë afrimin e tyre te Perëndia.

Mbani mend se jemi në udhëtimin e kthimit në parajsë dhe kreshma është një mjet që na ndihmon të arrijmë atje. Nëse praktikojmë kreshmë të vërtetë, atëherë kreshma do të jetë me të vërtetë krah që të na lartësojë në qiell. Zoti na ndihmoftë të gjithëve, në udhëtimin tonë kreshmor!