Kreshma është ushqimi i shpirtit; ndonëse gjellët e tryezës mbajnë shëndetin e trupit, kreshma i komunikon shpirtit një fuqi të re… Si ta përshkruajmë prehjen dhe qetësinë, dashurinë dhe gëzimin, paqen dhe butësinë dhe gjithë të mirat e panumërta që na premtojmë ardhjen e Kreshmës!… Asnjë të mos duket i trishtuar dhe i pikëlluar, përkundrazi, të gjithë të jenë plot gëzim dhe entuziazëm, të kremtojmë Mjekun hyjnor të shpirtrave tanë, që na hap këtë udhë shpëtimi dhe të presim me ngazëllim lajmin e këtyre ditëve të bekuara!”.
Kreshma e dobëson lidhjen e njeriut me tokën dhe me gjërat e saj dhe forcon lidhjen e tij me qiellin dhe gjërat qiellore. Duke kreshmuar, njeriu ia kushton tërë preokupimin e tij asaj që brenda tij është e pavdekshme, hyjnore, qiellore.
Shën Joan Gojartin na kujton se: “Zoti kreshmoi 40 ditë para se të tundohej, që të na mësojë shembullin e tij se si Ai, duhet të armatosemi me kreshmë dhe të përtërijmë forcat e nevojshme për të luftuar me fitore kundër demonit.” Le të citojmë fjalët ungjillore: “Ky lloj demoni nuk del veçse me lutje e kreshmë” (Matth. 17.21). Për këtë arsye, këto virtyte janë të domosdoshme për shpëtimin e çdo njeriu këtu dhe në të gjitha çështjet e Kishës Orthodhokse, Perëndinjeriu është kriteri i vetëm dhe suprem. Etërit e shenjtë dhe Sinodet Ekumenike, e kanë caktuar këtë kreshmë apostolike dhe hyjnore-njerëzore. Etërit e institucionalizuan në mënyrë të pandryshueshme dhe për të gjitha kohët. S’ka shenjtor të mos ketë kreshmuar. Kreshma është apostolike, ungjillore, orthodhokse, patristike.
Në çdo rast duhet kreshmuar me dallueshmëri, sipas forcave, duke pasur parasysh se sipas Etërve duhet të vrasim pasionet e jo trupin. Shën Pais Veliçkofski shkruan për këtë: “Secili ka ndërgjegjen e tij si masë dhe zotëri të brendshëm. Nuk duhet të ketë vetëm një rregull dhe një asketizëm për të gjithë, sepse disa janë të fortë dhe disa të dobët, disa si hekuri, disa si bakri e të tjerë si dylli. Një kreshmë e matur dhe e arsyeshme është themeli dhe kryetari i të gjitha virtyteve”. Kreshma nuk është vetëm heqja e disa ushqimeve, qëllimi i saj është pastrimi i shpirtit dhe për këtë duhet të shërbejë.
Shën Joan Gojarti shpjegon: “A mjafton kreshma dhe shenjat e jashtme të pendimit? Jo! Duhet të ndryshojë jeta. A doni një provë? Dëgjoni ç’thotë profeti. Pasi foli për zemërimin hyjnor dhe kreshmën e Ninevitëve, ai na mëson se Perëndia i foli dhe na e thotë motivin. Perëndia i pa veprat e tyre (Jona 3.10), thotë ai. Cilat vepra? Kreshmën e tyre? Veshjet e pendimit? Asgjë nga këto; madje nuk flet fare për këto. Të gjithë – thotë profeti – i braktisën udhët e tyre të prishura, dhe Zoti u pendua që i kërcënoi me fatkeqësi kaq të mëdha. Ju e shikoni, nuk është kreshma ajo që i nxori nga rreziku, por ndryshimi i jetës, i cili e qetësoi Zotin dhe i kurseu ata. Nëse ju them këto gjëra, nuk kam për qëllim që ta përbuz kreshmën, por që ta vlerësoni më shumë. Atë që kreshma ka si synim nuk është privimi nga ushqimi, por largimi nga mëkati. Po ta shikojmë kreshmën si privim ushqimi, do të thotë ta përbuzësh. Nëse vërtet kreshmoni, tregojeni me vepra! Cilat janë këto vepra do më pyesni ju? Nëse shikoni një të varfër, përdëllejeni; nëse shikoni armikun tuaj, pajtohuni me të; nëse miku juaj kryen një vepër të denjë për lavdërim, mos e kini zili; nëse sytë tuaj shikojnë një grua të bukur, mos e dëshironi atë. Nuk duhet të kreshmojë vetëm goja, por sytë tanë, veshët, këmbët, duart tona, gjithë gjymtyrët. Le të kreshmojnë duart, domethënë të jenë të pastra nga çdo vjedhje dhe lakmi. Le të kreshmojnë këmbët, domethënë të mos shkojnë në udhë të paligjshme. Le të kreshmojnë sytë tanë duke mos hedhur kurrë vështrime të pahijshme, të mos tërhiqen me kureshtje nga objekte joshëse […]. Le të kreshmojnë veshët duke mos dëgjuar thashetheme, shpifje. Mos i dëgjoni diskutimet e kota (Eksodi 23.1) thotë Shkrimi i Shenjtë. Le të kreshmojë goja duke mos thënë fjalë të pandershme dhe të përlyera. Ç’vlerë ka të privohemi nga mishi i shpendëve dhe i peshqve kur kafshojmë njëri-tjetrin?”.
Kreshma bëhet farisaike kur shkëputet nga lutja, dashuria, pjesëmarrja në Mistere dhe veprat bamirëse. Shën Nikolla Velimiroviç thotë: “E madhe është kreshma, por dashuria është edhe më e madhe; nëse i dëbojmë demonët me anën e kreshmës, i zbutim pasionet, trupin e qetësojmë, i vëmë një rregull frymës, nga dashuria Perëndia banon te njeriu. Vetë Zoti nënvizoi rëndësinë e kreshmës, por Ai e ngriti dashurinë në rangun e urdhërimit të parë…”.
Metanitë e vogla e të mëdha janë pjesë e rëndësishme e jetës liturgjike, aq më tepër gjatë Kreshmës së Madhe. Shën Vasili shpjegon se “sa herë i përkulim gjunjët dhe ngrihemi, e tregojmë me vepër se nga mëkati u hodhëm përtokë dhe dashuria e Krijuesit tonë për njerëzit na ka thirrur në qiell”.
Lutja shfaqet si një nga “aktivitetet e përbashkëta të shpirtit dhe trupit”, sipas shprehjes së shën Grigor Pallamait. Kështu, ushtrimi i trupit dhe rregulli i lutjes liturgjike gjatë Kreshmës plotësohet, dhe bashkëdepërtojnë, që shpirti dhe trupi të marrin pjesë në marshin progresiv, i sprovuar me mençuri dhe i mbikëqyrur nga Etërit e Shenjtë drejt një pjesëmarrje gjithnjë më intensive e më të thellë në misterin e Krishtit.
Marrë nga “Le Triode du Carême” (Triodi i Kreshmës)
Përktheu: Eleni Pani