Nga Shën Joan Gojarti
S
ikundër kalon dimri dhe vjen vera e ëmbël, detari me anijen e tij lëshohet në det dhe e çan këtë në të katër anët; ushtari merr armët dhe i fshin, i pastron dhe i bën gati për luftë; udhëtari fillon një udhëtim të gjatë dhe atleti e sportisti zhvishet e u përvishet lojërave të ndryshme, pikërisht, ashtu duhet të veprojmë edhe ne tani që na erdhi koha e kreshmëve, si një verë shpirtërore.
Le t’i bëjmë pra gati armët si ushtarë të vërtetë, le ta mprehim draprin si bujq të kujdesshëm dhe si kapedanë të urtë e të mençur, le të për- ballojmë valët dhe dallgët e dëshirave të dobëta, duke përdorur si armë dëshirat e mira dhe mendimet e urta^; le të fillojmë udhëtimin tonë për në qiell dhe le të përgatitemi e të përvishemi bukur dhe mirë, për të kaluar kreshmët ashtu si duhet…
Kreshmën, vëllezër të dashur, nuk e kuptojmë ashtu siç e kupton shumica e të krishterëve, domethënë largim nga disa gjellë të caktuara.
Jo, kreshmë e vërtetë nuk është të largohesh vetëm nga disa gjellë, po bashkë me këto të heqësh dorë dhe nga ligësitë e mëkatet.
Po, të largohesh nga disa gjellë, por njëkohësisht është e domosdo- shme të largohesh edhe nga mendimet e liga, nga dëshirat e dobëta, nga veprimet e këqija… Kjo është kreshma e vërtetë, vetëm kjo mund t’i shpëtojë ata që e mbajnë.
A e dini ç’thotë Shkrimi i Shenjtë për Kreshmën? “Atleti nuk e merr dot kurorën, po të mos luajë sipas rregullave të pranuara.”
Edhe ne pra që mbajmë kreshmë që të mos rrezikojmë të humba- sim shpërblimin dhe dhuratën që na përket, le të mësojmë se si duhet të mbajmë kreshmë. Se dhe Fariseu i parabolës mbajti kreshmë, po me gjithë këtë doli prej kishës pa ndonjë fitim e dobi për shpirtin e tij. Përku- ndrazi, Kumerqari që nuk mbajti kreshmë, doli më i fituar nga Fariseu. Kjo na tregon se nga kreshmët nuk mund të vijë asnjë dobi, në qoftë se ato nuk shoqërohen me shumë gjëra të tjera.
(Vijon në faqen 2)
Kreshma e vërtetë
(Vijon nga faqja 1)
Mbajtën kreshmë ninevitët dhe tërhoqën mëshirën dhe dashurinë e Perëndisë; mbajtën kreshmë edhe judenjtë, por këta jo vetëm që nuk fituan gjë, por ikën të turpëruar dhe të akuzuar. Këto i thashë, jo që të përbuzim kreshmët, po t’i nderojmë, duke i mbajtur si duhet, dhe i nderojmë këto, duke u larguar jo vetëm nga disa gjellë të caktuara, por edhe nga disa mëkate.
Ai që kujton se kreshma është largim nga disa gjellë, e përbuz kresh- mën. Mban kreshmë? Tregoje me vepra.
Me çfarë veprash?
Kur shikon ndonjë të vobektë, ndihmoje.
Kur takohesh me armikun, të pajtohesh dhe të bëhesh mik me të; të mos shash; të mos shpifësh, të mos vjedhësh, të mos bësh ndonjë padrejtësi, të mos mbash nëpër gojë njerëzit, etj., etj.
Me fjalë të tjera, nuk duhet të mbajë kreshmë vetëm goja, por edhe syri, veshi, këmbët, duart dhe gjithë pjesët e trupit tënd.
Le të mbajnë kreshmë duart, duke mos u ndotur me vjedhje dhe grabitje;
Le të mbajnë kreshmë këmbët, duke u larguar nga rruga që shpie nëpër qendra të liga dhe mbledhje imorale e të dobëta;
Le të mbajnë kreshmë sytë, duke mos u hedhur kurrë në fytyra të bukura me qëllim satanik dhe shtazor, sepse do të ishte një gjë qesharake, sikur gojën ta largosh nga gjellët – që në fund të fundit nuk janë të këqija në vetvete – kurse syve t’u japësh leje të prekin gjërat, që janë të ndaluara dhe që janë vetiu të liga.
Nuk ha mish? Bukuri, por mos i lër sytë të hanë imoralitet dhe paturpësi.
Le të mbajnë kreshmë edhe veshët;
Kur mban kreshmë veshi?
Kreshma e veshit është të mos dëgjojë e pranojë as sharje, as shpifje, as qortime. Se Shkrimi i Shenjtë thotë: “të mos pranosh të dëgjosh të shara dhe fjalë të liga.”
Le të mbajë kreshmë edhe goja;
Dhe goja mban kreshmë, kur nuk nxjerr asnjë fjalë të keqe. Se me të vërtetë ç’dobi vjen, kur nga njëra anë nuk hamë zogj dhe peshq, dhe nga ana tjetër i kafshojmë dhe i copëtojmë vëllezërit tanë?