– Shërbesa u krye nga Kryepiskopi Anastas në prani të qindra e qindra besimtarëve –
Në datën 6 janar, në kishën që ndodhet në qendër të qytetit të Përmetit u festua hareshëm e kremtja e Theofanisë.
Theofania ose Shfaqja e Perëndisë lidhet me ngjarjen e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht prej Joan Pararendësit në lumin Jordan. Gjatë pagëzimit u shfaqën të tre personat e Perëndisë Triadik dhe pikërisht për këtë arsye kjo festë u quajt kështu. Meshën e Shën Vasilit dhe Bekimin e madh të Ujit, që u zhvilluan me këtë rast, i kryesoi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi. Në fjalën e Tij drejtuar besimtarëve orthodhoksë, Kryepiskopi i uroi për një Vit të Ri të Bekuar. “Dita e sotme, vijoi Ai, është një ditë tepër e veçantë sepse Perëndia zbulohet tek njerëzit. Ata, që vendosin të kenë në krah Zotin do të kenë garancinë e suksesit gjithë jetën e tyre, kurse ata që i kundërvihen Atij do të shoqërohen gjithmonë nga dështimet. Kjo festë quhet ndryshe edhe ‘dita e dritave’. Unë uroj që t’ju ndriçojë të gjithëve drita e besimit, shpresës dhe dashurisë”.
Kisha e “Shën Marisë” së Pazarit, në të cilën u krye Liturgjia Hyjnore po përjeton një periudhë të gjatë sulmesh dhe padrejtësish. Qarqe të caktuara përpiqen që të nxjerrin jashtë ndërtesës ikonat dhe objektet e tjera të shenjta për komunitetin orthodhoks të qytetit të Përmetit, duke dashur ta kthejnë ndërtesën në një qendër lojërash fitimprurëse. At Vasil Thomollari, prifti i kësaj kishe, shprehet optimist, duke shpresuar edhe në mbështetjen e një numri shumë të madh besimtarësh, të cilët frekuentojnë kishën për çdo të kremte e shërbesë.
Në vazhdim, Kryepiskopi Anastas kryesoi procesionin, që u drejtua drejt lumit të qytetit, për të kryer sipas traditës orthodhokse hedhjen e kryqit në ujë. Megjithëse moti ishte i ftohtë, disa të rinj të qytetit u krodhën në ujërat e Vjosës për të kapur kryqin, nën vështrimin e të pranishmëve, që ishin mbledhur për të parë këtë ngjarje dhe fitues doli një i ri 16-vjeçar.
Kryepiskopi Anastas shprehu urimin, që ujërat e shenjtëruara nga kryqi, duke rrjedhur nëpërmjet lumit të Vjosës të përhapen dhe bekojnë të gjithë vendin tonë.
Aleks Çuri