EmailFacebookKontakt

Kremtohet në kishën e restauruar – Gjirokastër

Me një gëzim të madh u festuan Krishtlindjet edhe në qytetin dhe enoritë e tjera të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës.

Besimtarët orthodhoksë kishin mbushur kishën e “Kryeengjëjve Mihail dhe Gavriil” që herët në mëngjes, duke pritur Lajmin e Bekuar.

Për besimtarët gjirokastritë Krishtlindjet e sivjetme kishin për t’u sjelle edhe dy surpriza fatlume. Me hirin e Perëndisë së Tërëshenjtë dhe me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastas, festa e madhe e krishtërimit i gjeti ata me kishë të ristrukturuar dhe gjithashtu me kor të ngritur rishtazi, që psalli për herë të parë atë ditë.

“Gëzimi ishte i gjallë në çdo fytyrë dhe si asnjëherë tjetër besimtarë të shumtë u kunguan” – tregon at Nikolla Theodhori, i enorisë së Kryeengjëjve.

Ndërkaq, për fshatrat ku banojnë besimtarë të kombësisë greke jo në të gjitha u bë Meshë Hyjnore, se në dallim nga vitet e tjera klerikë të Malit të Shenjtë, nga Greqia etj., nuk arritën të sigurojnë dokumenta kalimi të kufirit.

Një ceremoni mjaft e bukur dhe me pjesëmarrje që nuk u pengua nga moti i keq u zhvillua ditën e Theofanisë në Gjirokastër. Pas Meshës Hyjnore dhe Bekimit të Ujit në “Kishën e Kryeengjëjve” të Varroshit një varg i gjatë besimtarësh u nis për te Ura e Lumit, ku at Theodhoriu kreu ceremoninë e bekimit të ujërave të Lumit Drino. Dëbora që kish rënë gjatë gjithë natës së mëparshme jo vetëm nuk i pengoi besimtarët në kryerjen e riteve të ditës, por i dha një bukuri më të madhe ditës së “Pagëzimit të Zotit”. Gjatë gjithë rrugës për te ura kori i ngritur pak kohë më parë vazhdonte të psallte “në Jordan kur Pagëzoheshe, o Zot…” Qindra besimtarë në kishën e tyre krijuan një radhë të gjatë për të marrë Ujë të Bekuar dhe plot të sëmurë dhe të moshuar pinë nga ai Ujë për shërim të Shpirtit dhe Trupit. Festim po aq madhështor i Festës së Theofanisë u bë dhe në fshatin e madh të Dervicianit, ku Epitropi Arkieratik i Mitropolisë, at Mihal Dako, bëri bekimin e burimeve dhe çesmave të porsandërtuara në fshatin e tyre. Njerëzit që kishin ardhur në meshën e këtij fshati ishin edhe epitropë të enorive të tjera që morrën Ujë të Bekuar për të shpërndarë në vijim në fshatrat që akoma nuk kanë klerikë.