EmailFacebookKontakt

Kremtohet në Berat Shën Nikodhimi

Aty ku Kalaja e lashtë i bie ndërkëmbë Osumit si dëshmitare e historisë së kristianizmit, mes guvave të thepisura në lartësinë mbi 100 m ndodhet streha e Shën Mëhillit, ndërtim i shek. XIV. Këtu u martirizua neomartiri nga Vithkuqi i Korçës Shën Nikodhimi.

Ai u martirizua, për t’i rikthyer shpresën besimtarëve orthodhoksë në mes errësirës osmane, duke mbetur simbol i besimit më 10 korrik 1714.

Kremtimi filloi me mbrëmësoren e së premtes. Vazhdoi para dite dhe përsëri me mbrëmësoren e së shtunës. Këtë të kremte të shënuar Liturgjinë e drejtoi Imzot Ignati, i cili shoqërohej nga at Petraqi. Pas Liturgjisë kryebariu i Dioqezës foli për vlerat e Shën Nikodhimit dhe ç’duhet të mësojmë nga vepra e këtij shenjti. Ky veprim që mbetet jo vetëm simboli i besës, por dhe sot më tepër se kurrë është dhe mbetet dhe një apel për brezin e ri që të ndërgjegjëshet për të qenë sa më pranë Perëndisë, sepse ajo është udha e dritës e jetës e së vërtetës, – theksoi Imzot Ignati.

Në fund iu dha besimtarëve, që kishin mbushur plot shpellën, ku prehet lipsani i Shën Nikodhimit – pambuk të bekuar nga lipsani.

Ky pambuk është burim dhe ilaç shërimi i trupit dhe shpirtit.

Beratasit e duan dhe e respektojnë këtë shenjt sepse ai ua plotësoi kërkesat dhe ata e ndjejnë dhe thonë – Shën Nikodhimi i Beratit, i cili mbeti shembull i vetmohimit të sakrificës ndaj Zotit, theksoi Imzot Ignati.

Sotiraq Mishaxhiu