EmailFacebookKontakt

Kremtohet dita e Profetit Ilia në Gramoz

Dy kanë qenë kishat e Shën Ilisë në Prodan; njëra në afërsi të fshatit, e vitit 1646 dhe ajo në afërsi të majës së Gramozit, në lartësinë rreth 2000 m mbi nivelin e detit, shquar si nga vendet e shenjta nga më të vjetrat, nga më çudibërëset për shërime, për dhuratë ujore (sjellje shiu) e dhurata të tjera shpirtërore e materiale. Prej mëse dy shekujsh ishte krijuar tradita që besimtarët, jo vetëm të fshatit Prodan, por edhe të Rehovës, Borovës, Lengëzit, Gostivishtit e 3 fshatrave grekë Plikat, Fjonjat e Asimohori, festonin bashkërisht ditën e Shën Ilias në këtë vend të shenjtë, duke e gdhirë në mal dhe duke zhvilluar ceremoni fetare: Liturgjinë Hyjnore, shërbesën e bekimit të vogël të ujit pranë koritës së një burimi shumë të pasur lutje shëndeti, lutje për të rënë shi, lutje për prodhime të bollshme. Viti 1942 qe i fundit që ceremonia në këtë vend të shenjtë u bë me prift.

Në vitin 1943, me djegien e Borovës më 6 korrik dhe me problemet që krijoi lufta, nuk u zhvilluan më ceremoni fetare. Pas vitit 1944, duke qenë vend i shenjtë ndodhej në afërsi të vijës së kufirit, mbi klonin, veprimtaritë fetare e grumbullimet e njerëzve u ndërprenë. Mes vështirësive të shumta rifilloi vajtja në këtë vend të shenjtë pas vitit 1990, me prishjen e klonit, duke përjetuar një ringjallje e rilindje të vërtetë. Edhe këtë vit lartësia e madhe, rruga tepër e vështirë dhe moti i vrenjtur nuk pengoi at Jovan Koroveshin e dhjetëra besimtarë të ringjallnin traditën pas 53 vjet ndërprerjeje. Në këtë ceremoni kishin ardhur sipas traditës edhe besimtarë nga Borova, Rehova, si dhe besimtarë nga Tirana e Korça.

Më pas u përcollën historitë e Shëndelliut si dhe gojëdhanat për këtë vend të shenjtë, si gojëdhanat e çuditë e ngritjes së ikonës së Shën Ilias në supet e Kates së Fotos, që çuditi besimtarë e klerikë rreth 2 shekuj më parë, gojëdhanën shenjë të qëndrimit të Shën Ilias në pllakën e këtij vendi të shenjtë rreth 28 shekuj më parë dhe e qëndrimit të një demi në gadishmëri për t’u bërë fli në shenjë mirëbesimi për çuditë e këtij profeti të madh, pararendës dhe parapamës i ardhjes së Shpëtimtarit tonë Iisu Krisht.