Më 25 Dhjetor, festojmë të kremten e tërëndritshme të Krishtlindjes. Krishti erdhi në botë që të sjellë njeriun pranë Perëndisë, për të restauruar ikonën e shformuar të njeriut nga mëkati.
Në Shkrimin e Shenjtë thuhet: Biri i Perëndisë erdhi në botë “që të prishë punët e djallit” (I Jn. 3:8). Apostull Pavli shpall se: “Jisu Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë” (I Tim. 1:15).
Erdhi që të thotë të vërtetën: “Unë prandaj linda dhe prandaj erdha në botë, që të dëshmoj për të vërtetën” (Joani 18:37), dhe të mposhtë fuqitë e errësirës: “Unë kam ardhur dritë në botë, që të mos mbetet në errësirë kushdo që të më besojë” (Joani 12:46). Apostull Pavli do të na e rikujtojë në apostullin e së kremtes së Krishtlindjes: “Kur u mbush koha, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të marrim birësinë (Gal. 4:4-5).
Në këtë të kremte të shënuar, kishat e Kryepiskopatës e të Mitropolive u mbushën plot nga besimtarët dhe Liturgjia Hyjnore u krye me madhështinë dhe përulësinë e kësaj ditë të shenjtë.
Në Tiranë, Liturgjia panegjirike u krye nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, Episkopin e Bylisit, Astin dhe klerikë të kryeqytetit.
Mesazhi i Fortlumturisë së Tij, që u lexua në përfundim të Liturgjisë, ndër të tjera theksonte: “Dëshira e zjarrtë për paqe, së fundmi është kthyer në dhimbje të përditshme, klithmë dhe përgjërim për qindra mijëra njerëz. Për shkak të luftës së papranueshme katastrofike të Rusisë kundër Ukrainës, mbizotëron një hidhërim i pamasë. Në të njëjtën kohë, konflikte të armatosura ka në Siri, në Jemen dhe, përgjithësisht, në Azi e në Afrikë, dhe sulmet terroriste janë të shpeshta në qendrat e mëdha urbane perëndimore. Botën vazhdojnë ta mundojnë edhe luftërat e një lloji tjetër, ato ekonomike, diplomatike, ideologjike. Dhuna dhe arbitrariteti nuk kursyen së përdhosuri as vendet e shenjta. Për interesat e fuqive të ndryshme, keqinformimi përdoret si armë luftarake për të nënshtruar mendimin dhe ndërgjegjen e shumë njerëzve.
E kremtja e Krishtlindjes thekson jo vetëm kërkesën dhe dëshirën për paqe, por tregon edhe mënyrën se si mund të arrihet ajo…”
Korresp. i “Ngjallja”