Për të parën herë orthodhoksët shkodranë përjetuan emocione të veçanta, ditën e bekimit të Dafinës, në një mjedis kishtar, falë bujarisë së Kishës Katolike. Lajmi i bekimit të Dafinës, për orthodhoksët, në kishën e Fretërve Françeskanë u dha gjatë ceremonive fetare në Katedralen e Madhe edhe gëzoi njëherazi të gjithë besimtarët shkodranë, të ftuar nga Këmbanat e kësaj Kishe.
Në këto momente çdokush kujtonte ditët e paharuara të nëntorit të vitit 1990, kur të gjithë shkodranët, të bashkuar, punuan pa njohur lodhje, për të mëkëmbur të parën kishë katolike, mbas heshtjes së gjatë shkatërruese të besimit. Bisedat e tyre kryesore, rrugës për të shkuar në kishë ishin domosdoshmëria e ngritjes së Kishës orthodhokse. Ata njëherazi shprehnin gadishmërinë për të kontribuar për ndërtimin e saj.
Ardhjen e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, besimtarët e pritën me entuziazëm. Ai i bekoi për paqe dhe dashuri midis tyre, durim dhe bashkim. Mes të tjerash Ai theksoi mungesën e Kishës Orthodhokse për Shkodrën, duke kujtuar se nuk vlen një klub apo kinema më shumë se një Kishë. Liturgjia e Shenjtë u përjetua me emocione të veçanta. Në fund, kryepiskopi falenderoi monsinjor Frano Ilian, që krijoi mundësinë e bekimit të Dafinës në mjediset kishtare.
Luiza Vujoshi