Gjatë gjithë Javës së Madhe Kisha e Shën Gjergjit në Durrës ishte e pamjaftueshme për besimtarët dhe shumë prej tyre i ndoqën ceremonitë e shenjta jashtë, nëpërmjet altoparlantëve.
Të mërkurën e madhe u zhvillua ceremonia e bekimit të vajit nga at Petro Thanasi dhe at Spiro Tola, ku lyerja e besimtarëve me vajin e bekuar vazhdoi mbi një orë. Të enjten e madhe u lexuan 12 Ungjijtë ku besimtarët përcollën me dhimbje vuajtjet e Zotit dhe Perëndisë tonë të gjithëpushtetshëm. Kisha ishte plot deri të Premten në të gdhirë. Të Premten e Zezë kisha e Shën Gjergjit u bë akoma dhe më e vogël për të organizuar ceremoninë tradicionale fetare të përcjelljes së Epitafit, pasi mijëra njerëz prisnin jashtë kishës për zhvillimin e kësaj ceremonie të shenjtë. Kishin ardhur dhe qindra besimtarë të fesë islame, të cilët me shumë respekt dhe me besë kërkonin të preknin sado pak Epitafin e Shenjtë të Zotit tonë Iisu Krisht. Zërat e ëmbël ëngjëllorë të korit të fëmijëve të kishës shoqëruan këtë kortezh mijëra e mijëra njerëzish.
Të gjithë besimtarët ndaluan për t’u lutur për paqe përpara ish-kishës së Shën Spiridhonit, kësaj kishe shumë të dashur për besimtarët orthodhoksë, por që akoma nuk po u kthehet atyre.
Gjithashtu një ndalim tjetër u bë tek vendi ku është martirizuar Shën Asti, episkopi i dytë i Durrësit, dëshmia më e gjallë për lashtësinë e komunitetit orthodhok, mbaroi kjo ceremoni e bukur në qytetin tonë. Pas përkujtimit me respekt të vuajtjeve, kryqëzimit dhe varrimit të Zotit tonë Iisu Krisht pritej Ngjallja e Tij, ngadhënjimi mbi vdekjen, shpëtimi i të gjithë brezave të njerëzimit. Dhe për të pritur këtë ngjallje të Krishtit dhe tonën nuk mjaftonte më as rruga, por kodra në krah të kishës ishte shndërruar në kate nga mijra qirinj që e stolisnin atë.
Pafundësi, një det i tërë qirinjsh, që tundeshin kur At Petro Thanasi, i shoqëruar nga kori i fëmijëve, thanë lajmin më të lumtur të shekujve “Krishti u ngjall”. Gjithë Durrësi ushtonte nga Kënga “Krishti u ngjall së vdekurësh”.
Kozma Plepi
Korresp. i “Ngjalljes”