Në datën 15 gusht, Kisha Orthodhokse kremton një nga festat më të dashura e më të ndjera të Vitit Liturgjik – Fjetjen e Hyjlindëses Mari, Nënës së Zotit tonë Jisu Krisht. Sipas traditës të Kishës, Hyjlindësja Mari, pasi kishte mbaruar misionin e saj në tokë, u thirr nga Biri i saj në jetën e pasosur. Apostujt, të mbledhur në mënyrë të mrekullueshme nga skajet e botës, morën pjesë në varrimin e saj, duke u bërë dëshmitarë të lavdisë së Nënës së Krishtit. Çdo 15 gusht, Kisha Orthodhokse kremton me madhështi Fjetjen e Hyjlindëses Mari. Në këtë ditë, kishat dhe manastiret e shumta në vendin tonë shndërrohen në vende adhurimi dhe pelegrinazhi. Të tillë gëzim përjetuan edhe besimtarët e shumtë që mbushën plot e përplot Manastirin e hirshëm të Fjetjes së Hyjlindëses Mari në fshatin Boboshticë të Korçës të cilët morën pjesë në Shërbesat e Shenjta, të drejtuara nga Kryepiskopi Joan.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryepiskopi Joan i ftoi besimtarët t’i luten Hyjlindëses në çdo rast, veçanërisht në këto ditë të rreziqeve të mëdha nga zjarret që po prekin vendin.