Më 15 dhjetor 2025, në të kremten e Shën Elefterit, Episkopit të Vlorës dhe Ilirikut, si edhe të Shën Anthisë, nënës së tij, besimtarë të shumtë u mblodhën në kishën e Shën Theodhorëve në Vlorë. Liturgjia Hyjnore u drejtua nga Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, së bashku me të cilin meshoi edhe Mitropoliti i Korçës, Hirësi Anastasi, klerikë të tjerë dhe besimtarë të shumtë nga Vlora, Fieri, Durrësi dhe Akademia Teologjike në Shën Vlash. Të gjithë nderuan një pjesë relikeje (lipsani) të Shën Elefterit.
Gjatë Liturgjisë Hyjnore u krye dorëzimi në dhjakon i z. Foti Sallmone nga Orikumi. Në fund të Liturgjisë u krye edhe një përshpirtje për ish-Mitropolitin e lumur të Beratit, Hirësi Visarionin. Hirësi Asti falënderoi Hirësi Anastasin, klerikët dhe të gjithë besimtarët që ishin të pranishëm në panair, i cili me kalimin e viteve është bërë i dashur për të gjithë. Tryeza e dashur e mikpritjes mblodhi të gjithë pjesëmarrësit për të ndarë gëzimin e panairit.
Më 20 dhjetor, në Katedralen e Shën Dhimtirit në Berat u krye Liturgjia Hyjnore në nder të Shën Ignat Hyjmbajtësit. Në këtë ditë u përkujtua ish-Mitropoliti i ndjerë, Hirësi Ignati, i cili festonte emrin. Së bashku me Hirësi Astin, kësaj përkujtimore iu bashkua edhe Hirësi Anastasi. I përjetshëm kujtimi i tij!
Ndërsa më 23 dhjetor, besimtarë të shumë të qytetit të Beratit së bashku me Mitropolitin e tyre u mblodhën pranë grazhdit, përballë Katedrales së Shën Dhimitrit dhe shpallën Lajmin e Lindjes së Krishtit. Kolendra u zhvilluan edhe nga grupet e katekizmit, nga grupi rinor dhe nga grupi i burrave të qytetit.
Kolendrat (gr ta kalanda, lat. calendae), janë urime, lavdërime apo kënge festive që këndohen në Vigjilje të Krishtlindjes, të shën Vasilit të Madh (1 Janar), dhe të Theofanisë (Pagëzimit të Krishtit – 6 Janar). janë këngë të shenjta tradicionale, të cilat këndohen në prag të festës së Lindjes së Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jisu Krisht. Ato shpallin Mishërimin e Birit të Perëndisë nga Virgjëresha Mari, për shpëtimin e njerëzimit. Me gjuhë poetike, kolendrat dëshmojnë misterin e madh të Ekonomisë Hyjnore dhe përulësinë e Perëndisë që bëhet njeri. Në to përmendet ylli i Bethlehemit, engjëjt që lajmërojnë barinjtë dhe gëzimi i gjithë krijesës për ardhjen e Krishtit. Janë thirrje gëzimi shpirtëror dhe përgatitje të zemrës për takimin me Shpëtimtarin. Ato përcjellin paqen dhe dashurinë që Krishti sjell në botë, duke ndriçuar errësirën e mëkatit. Në traditën orthodhokse, këndimi i tyre është një akt dëshmie dhe besimi të gjallë. Kolendrat, këngët dhe gatimet e këtyre ditëve lidhin të vërtetat hyjnore me jetën e përditshme të besimtarëve. Ato mbartin frymën e Ungjillit dhe trashëgiminë e shenjtë të Etërve.
Liturgjia Hyjnore kremtuese e Krishtlindjes u kryesua nga Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, në bashkëmeshim me klerin e qytetit, me pjesëmarrjeje të gjerë të popullit.
Më pas, në ambientet e Mitropolisë, Hirësia e Tij mirëpriti urime të shumta nga besimtarë, si edhe nga autoritete fetare dhe përfaqësues të jetës publike.