U kremtua me madhështi edhe këtë vit e kremtja e Shën Joan Vladimirit, në Manastirin kushtuar atij, pranë Elbasanit, në fshatin që mban gjithashtu emrin e tij. Në prani të besimtarëve të shumtë, shërbesat nisën që në mbrëmjen e datës 3 qershor. Të nesërmen ato nisën me Shërbesën e Mëngjesores dhe më pas u krye Liturgjia Hyjnore panegjirike. Ajo u krye nga Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, së bashku me Mitropolitin e Amantias, Hirësi Nathanailin, si dhe me klerikë të tjerë që kishin ardhur enkas për këtë panair nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë, gjithashtu dhe klerikë nga Mali i Zi e Serbia. Besimtarë të shumtë kishin ardhur jo vetëm nga zona të ndryshme brenda vendit, por edhe nga jashtë.
E veçanta e kremtimit të sivjetshëm ishte pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, z. Ilir Meta, i cili iu bashkua procesionit me lipsanet e shenjtorit. Gjithashtu, për urime erdhën edhe autoritete qendrore e vendore, të cilët edhe një herë theksuan rëndësinë dhe bukurinë e këtij panairi, që festohet me madhështi çdo vit.
Në fund, besimtarëve iu shpërnda, sipas traditës, pambuk nga lipsani i shenjtorit.
Panairi i Shën Joan Vladimirit është kremtuar me madhështi prej shekujsh, duke pritur besimtarë nga vendi dhe shtetet përreth. Ai u ndërpre nga komunistët, që nuk e shihnin me sy të mirë masivitetin e tij që para mbylljes së kishave. Në foto: Një nga panairet e para Luftës së Dytë Botërore. Konakët në sfond u shkatërruan nga regjimi ateist