E kremtja e Pagëzimit të Zotit tonë Jisu Krisht nga Shën Joan Pagëzori në lumin Jordan, e cila njihet me emrat Theofania, Epifania, Uji i Bekuar, Drita, u festua ndritshëm në të gjithë vendin.
Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, e festoi këtë të kremte në qytetin e Pogradecit. Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, në predikimin e tij drejtuar besimtarëve të panumërt brenda dhe jashtë kishës së “Shën Kollit”, shumë e vogël për festime të tilla, Kryepiskopi Anastas theksoi se në këtë ditë Kisha Orthodhokse “ka traditë të hedhë kryqin në dete, liqene, lumenj; kudo ku ka ujë”, me qëllim që “me simbolin e besimit, simbolin e shpëtimit tonë, të shenjtërohet gjithë Krijesa… dhe në mënyrë të veçantë uji që është element përbërës themelor i jetës. Duhet të bekohet thelbi i jetës… Ky është simbolizmi i madh i Bekimit të Ujit”.
Pasi kreu shërbesën e Ajazmës së madhe me kryqin dhe borzilokun Kryepiskopi spërkati në çdo drejtim me Ujë të Bekuar. Radha e pafundme e besimtarëve, pasi merrte bekimin me Ujë të Bekuar nga Kryepiskopi, vazhdonte drejt liqenit, mes peizazhit mjaft të bukur dimëror të Pogradecit, të veshur me bardhësinë e dëborës.
Ndërkohë, në afërsi të urës ku do të hidhej kryqi, një grua i lutet Kryepiskopit Anastas të ndalonte për disa çaste, sa t’i jepte bekimin Vangjelit të moshuar, i cili vinte duke u mbështetur nga njerëzit e tij pa fshehur dot mallëngjimin e thellë po në të njëjtën kohë edhe keqardhjen për pamundësinë e tij për t’u bashkuar me procesionin e gjatë të besimtarëve që drejtohej për te liqeni.
Të ftohtit e madh të ujërave dhe dëbora nuk linin shpresë se ndokush do të mund të guxonte të hidhej në liqen për të marrë kryqin në një mot të tillë.
Por një masë e madhe të rinjsh përgënjeshtruan aty për aty këtë dyshim, pasi me varkat e tyre prisnin në gatishmëri, në një kohë që disa të tjerë ishin hedhur prej kohe në ujëra, në pritje të hedhjes së kryqit.
Ndërsa masa e besimtarëve së cilës nuk i dallohej fundi ishte rreshtuar përgjatë bregut të liqenit, në pritje të hedhjes së kryqit dhe bekimit të ujërave.
Kryqi i hedhur në ujë u përcoll me emocionet e natyrshme të gjithë të pranishmëve, dhe në veçanti me gëzimin e papërmbajtur të marrësit të tij, i cili duke e puthur dhe duke e ngritur lart u drejtua për tek Kryepiskopi për të marrë bekimin.
Në këtë moment, të gjithë lagnin duart dhe fytyrën me ujë dhe mbushnin shishet, për të marrë bekimin në shtëpitë e tyre.
Fjalët e Kryepiskopit “me dritën e Tërëndritshme të Epifanisë, që shpërndan errësirën, duhet të ndriçohet jeta jonë, shoqëria jonë, mbarë bota, gjithësia”, u shndërruan në motiv të përbashkët të urimeve të shkëmbyera.
Ishte e dallueshme tek të gjithë njerëzit shija e veçantë e gëzimit nga përjetimi i bukurisë së atyre çasteve, dhe një kërkim më intensiv i besimit te Krishti, i Cili “mori natyrën tonë, që t’a ribëjë t’i rijapë vlerën, bukurinë, rëndësinë…”- siç u shpreh Kryepiskopi.
Shumë kohë pas mbarimit të shërbesës, duke u larguar nga Pogradeci ende shihje shumë njerëz të drejtoheshin për tek liqeni, ujërat e të cilit tashmë ishin çuditërisht të qetësuara, tek ura ku u hodh kryqi, për të mbushur Ujë të Bekuar. Brenda vetes nuk kishte se si mos ndjeje gëzim dhe mirënjohje; gëzim për faktin se përditë e më shumë njerëz përqafojnë Krishtin, dhe mirënjohjen për Ujin e Bekuar, ujë i cili nuk prishet për vite pa mbarim, dhuratë kjo e Perëndisë vetëm për Kishën Orthodhokse.
Pogradec, 6 janar