EmailFacebookKontakt

Kremtim i hareshëm i Ujit të Bekuar në të gjithë vendin

Berat
Sot shenjtërohet natyra e ujërave

Atmosfera e ndezur festive e kremtimit me madhështi të Krishtlindjeve dhe të Shën Vasilit (Vitit të Ri) shënoi një kulm tjetër më 6 janar, Ditën e Ujit të Bekuar.

Në këtë ditë të madhe shumë besimtarë beratas, qysh në orët e para të mëngjesit ishin të pranishëm në kishë dhe në brigjet e lumit Osum, tek ura e Goricës. Liturgjia Hyjnore u zhvillua në Kishën e Shën Spiridhonit dhe u krye nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati.

Imzot Ignati shenjtëroi ujin e vendosur në një enë të bukur të argjendtë, të vendosur mbi një tavolinë në mes të kishës i shoqëruar nga priftërinjtë Vangjel Xoxe e Petraq Simsia, nga dhjakoni Spiridhon dhe nga psaltët Sotiraq Tapia e Edmond Filipi.

Me vëmendje të madhe të pranishmit dëgjuan fjalën e përshëndetjes, lidhur me kuptimin e madhështisë së misterit të pagëzimit, që mbajti Hirësia e Tij, Imzot Ignati, i cili ndër të tjera, theksoi:

“…Pagëzimi është dera dhe baza e mistereve të tjerë. Në këtë mister vepron dhembshuria e Perëndisë për njeriun mëkatar, të cilin e ngre dhe ia fal mëkatet, nëse ai pendohet dhe pranon porositë e Zotit dhe i zbaton në jetën e tij. Me anën e Pagëzimit bëhemi bij të Perëndisë, vëllezër të Krishtit nga ana shpirtërore. Pagëzimi është shartimi ynë shpirtërisht: nga pemë e egër bëhemi pemë e butë që të japim frytet e shpirtit të shenjtë: dashurinë, gëzimin, paqen, tolerancën, mirësinë, besën, butësinë, vetëpërmbajtjen”.

Pas predikimit, të pranishmit, të udhëhequr nga klerikët e nderuar, me këngën e ditës “Në Jordan, kur pagëzoheshe, o Zot, Falja e Trinisë u shfaq…”, u nisën për në Urën e Vjetër të lagjes Goricë. Rrugës, korteut të besimtarëve të shumtë, iu shtuan me qindra e qindra besimtarë të tjerë. Mbi Urën e lashtë të Goricës kishin zënë vend me qindra qytetarë beratas, por edhe të ardhur nga Tirana, Durrësi, Lushnja, Fieri, Vlora etj. Në të dy brigjet e Osumit ishin rreshtuar njëri pas tjetrit të rinj, të reja, të mitur e të moshuar dhe të besimeve të tjera fetare. Po kështu, mbi Urën e re të Shën Thomait e ndiqnin procesionin me padurim qindra qytetarë të tjerë.

Në orën 10:00 Hirësia e Tij, Imzot Ignati i jep një bukuri të veçantë këtij spektakli mbarëqytetar, që tashmë është kthyer në një traditë shekullore, duke hedhur në ujërat e shumta e të rrëmbyera të Osumit plak, që kishte vërshuar, si asnjëherë tjetër, nga shirat e vazhdueshme të ditëve të fundit, Kryqin e Nderuar, të cilin e kapi i riu beratas nga lagjja Goricë Andi Shtrepi. Ky, i shoqëruar nga dhjetëra të rinj të tjerë, që u zhytën në lumin e ftohtë, pastaj u paraqitën tek Mitropoliti i nderuar me këngën: “Në Jordan, kur pagëzoheshe o Zot…”, i cili i bekoi, në emër të Zotit, për sakrificën që bënë dhe u uroi përzemërsisht të forcojnë dashurinë e pamatë për Krishtin Perëndi.

Qytetarët beratas, u kthyen të lumturuar në vatrat e tyre, duke biseduar gjatë për këtë ngjarje të rëndësishme dhe duke pritur me bujari të rinjtë guximtarë, që u hodhën pa ngurim në rrjedhën e rrëmbyeshme të Osumit për të kapur Kryqin e Shenjtëruar, Simbolin e Krishterimit dhe për ta sjellë në shtëpitë e besimtarëve orthodhoksë, që e puthnin me një ndjenjë të lartë besimi.

Ilia Mihai Zaka

Korçë

Dita e Shfaqjes së Zotit u celebrua në të gjitha kishat e qytetit dhe në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, ku Liturgjia Hyjnore dhe Shërbesa e Bekimit të Ujit u kryen nga Mitropoliti, Hirësia e Tij Joani. Pastaj, mijëra besimtarë, si dhe qytetarë të besimeve të tjera, u mblodhën në qendër të qytetit, pranë shatërvanit, ku u hodh kryqi.

* * *

Elbasan

Në këtë qytet tradita e Ujit të Bekuar ka qenë, që Kryqi i Shenjtë të hidhej në lumin e Shkumbinit. Por, rreshjet e shumta e kishin turbulluar dhe fryrë shumë, duke e bërë të pamundur zhytjen në të. Ndaj, qindra e qindra besimtarë, të grumbulluar në Kishën e Shën Nikollës, u drejtuan për të marrë pjesë në Shërbesën e Bekimit të Ujërave në pishinën e një kompleksi të njohur turistik të qytetit. Kryqi u kap nga i riu Maksim Meçka.

* * *

Fier

Ndotja e madhe e lumit të Gjanicës, që është kthyer madje në problem për ekuilibrin ekologjik të zonës, e ka bërë prej kohësh të pamundur hedhjen në të të Kryqit të Shenjtë. Prandaj, ditën e Ujit të Bekuar, pas Liturgjisë Hyjnore në kishën e Shën Gjergjit, që u drejtua nga At Ilia Bita, klerikët, të ndjekur nga mijëra besimtarë u drejtuan për tek një shatërvan në qendër të qytetit. Kryqi u kap nga 12-vjeçari Lirim Moçka.

* * *

Pogradec

Pas Liturgjisë Hyjnore qindra e mijëra besimtarë dhe banorë të tjerë të qytetit, u drejtuan për nga Liqeni, ku u bë edhe hedhja e kryqit në ujë, i cili u nxor nga një i ri i qytetit. Në ceremoni morën pjesë edhe autoritete lokale, deputeti i zonës etj.

* * *

Tiranë

Mijëra vetë mbushën Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” dhe mjediset jashtë saj. Liturgjia Hyjnore u kryesua nga At Jani Trebicka, Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë. Duke kënduar “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot..”, klerikët dolën në një mjedis të përgatitur enkas jashtë kishës, ku kryen Bekimin e Ujit.

Numri i atyre që kërkonin të mbushnin ujë ishte vërtet shumë i madh dhe ardhja në kishë dhe mbushja e ujit të bekuar vazhdoi deri në orët e vona të pasdites.