EmailFacebookKontakt

Kremtim i bujshëm i Shfaqjes së Perëndisë (Theofanisë)

E kremtja zotërore e Shfaqjes së Perëndisë (Theofania), është prezantimi dhe shfaqja e misterit të Trinisë së Shenjtë para botës dhe njerëzve. Dikur, e kremtja e Lindjes së Shpëtimtarit dhe e Pagëzimit të Tij festoheshin së bashku, si një e vetme, si festa e Theofanisë. Sot, Theofani quhet e gjithë periudha dymbëdhjetëditore nga Krishtlindja deri në ditën e Ujit të Bekuar.

Më 6 janar 2023, kjo e kremte u festua me madhështi e gëzim në të gjithë vendin, sipas traditave shumëshekullore. Mijëra besimtarë orthodhoksë, dhe jo vetëm, u mblodhën në kisha për shërbesat e më pas iu drejtuan vendeve ku u bë hedhja e kryqit në ujëra.

Në Tiranë, Liturgjia Hyjnore u krye në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, e ndjekur dhe Shërbesa e Bekimit të madh të Ujit. Ato u kryen nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, bashkë me Mitropolitin e Amantias, Nathanailin, dhe klerikë të Kryepiskopatës. Nën tingujt e Përlëshores së të kremtes “Në Jordan kur pagëzoheshe…” uji i bekuar u hodh në cisternat e vendosura posaçërisht jashtë kishës, nga ku e morën besimtarët për të pirë e për të bekuar shtëpitë.

Në Berat, siç është tashmë traditë, kryqi u hodh në ujërat e lumit Osum nga atë Joan Qako, dhe u kap nga i riu Vasil Tapia. Më pas, djali bashkë me grupin rinor shkuan me kryqin në shtëpitë e besimtarëve në lagjet Goricë, Mangalem e Kala.

Në Korçë, nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, ku u krye Liturgjia Hyjnore, Hirësi Joani, i shoqëruar nga besimtarë dhe banorë të shumtë, përshkoi rrugën drejt shatërvanit në lulishten “Vangjush Mio”, ku u bë hedhja e Kryqit. Ai u kap nga i riu Evis Rakipi.

Në Vlorë, kryqi i hedhur në det nga atë Kostandin Prifti u kap nga 19-vjeçari Athanas Davidi, në prani të shumë besimtarëve.

Në Sarandë kryqi u hodh gjithashtu në det dhe u kap nga i riu Andrea Baruta.

Në Durrës, kryqi i hedhur në ujërat e portit detar nga Episkopi i Bylisit, Asti, u kap nga 16-vjeçari Vasil Aleksi.

Në Fier, kryqi i hedhur në shatërvanin e qytetit u kap nga i riu Angjelo Davidhi.

Në Gjirokastër, kryqi i hedhur në Drino, u kap nga i riu Enea Kondo.

Në Lushnje kryqi u hodh në ujërat e lumit Seman dhe u kap nga Ornel Bushi.

Në Përmet kryqin e nxori nga ujërat e Vjosës i riu Ari Koxhaku.

Në Elbasan, kryqit u hodh në ujin e një kompleksi pishinash. Ai u kap nga i riu Stefanos Sinani.