Çdo vit kremtohet në Hoçisht, në kishën që u është kushtuar këtyre shenjtorëve. Edhe 1 korriku i këtij viti ishte i jashtëzakonshëm për nga pjesëmarrja e besimtarëve.
Çuditë dhe bamirësitë e këtyre shenjtorëve në kishën e tyre në Hoçisht njihen nga gjithë njerëzit, edhe nga ata të feve të tjera dhe kalojnë kufijtë e dioqezës së Korçës. Në çdo periudhë të vitit këtu vijnë besimtarë të shumtë. Vendi ku ndodhet kjo kishë dominon mbi fshat dhe si rezultat i përmirësimeve ndërtimore që ka bërë Kryepiskopata dhe vetë besimtarët e fshatit, sivjet janë përmirësuar dukshëm kushtet në fjetoret dhe mjediset e tjera të këtij vendi të shenjtë.
Me mijëra ishin besimtarët e ardhur nga gjithë Devolli, Korça, Kolonja etj., dhe masat organizative nga Dioqeza dhe këshilli fetar i fshatit ishin shumë të mira. Kjo tregon lashtësinë e traditave të hoçishtarëve në festimin e të tilla rasteve. Shumë pjesëmarrës të kësaj feste të orthodhoksisë kishte edhe nga qytetet e tjera.
Liturgjia Hyjnore u celebrua nga At Joan Trebicka, At Pandeli Plaku, At Viktor Ikonomi, At Sotiraq Dinka dhe psaltët nga Bilishti dhe Korça.
Thoma Piluri