Më 25 dhjetor 2025 u kremtua Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Shërbesa e Mëngjesores dhe e Liturgjisë Hyjnore u drejtua nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan. Sipas traditës, ai lexoi mesazhin e kësaj ditë të madhe drejtuar klerit dhe besimtarëve të shumtë që kishin mbushur katedralen dhe gjithë popullit shpresëtar.
Më pas, në Sallën e Pritjes së Qendrës Sinodike, për të ndarë gëzimin e kësaj feste, u zhvillua pritja zyrtare. Krerë dhe personalitete të shumta erdhën për të uruar Kryepiskopin Joan dhe besimtarët orthodhoksë. Ndër vizitorët e shumtë ishin Presidenti i Republikës, krerë të pushtetit vendor, politikanë, krerët e komuniteteve fetare, ambasadorë, diplomatë, akademikë, drejtues dhe personalitete të mediave, personalitete të shquara të artit, të biznesit dhe të shoqërisë civile, si dhe drejtues të institucioneve të Kishës Orthodhokse, besimtarë, teologë, përfaqësues të enorive të Tiranës etj. Pritja e ngrohtë nga Kryepiskopi Joan dhe klerikët u shoqërua edhe nga këngët e korit të Shën Prokopit dhe tingujt e orkestrës së Radios “Ngjallja”.