EmailFacebookKontakt

Kremtim dhe hirotoni në dhjakon në Mitropolinë e Gjirokastrës

Ditën e diel, 3 dhjetor 2023, u festua plot gëzim në kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, e kremtja e Shenjtorëve të kësaj Mitropolie, si dhe 17-vjetori i Kryepriftërisë (2006-2023), të Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrit.

Që herët në mëngjes, Katedralja ishte mbushur me besimtarë të shumtë të qytetit dhe nga zona të tjera përreth. Mëngjesorja dhe Liturgjia Hyjnore u kryen nga Hirësi Dhimitri, bashkë me klerikë të Mitropolisë.

Këtë ditë e zbukuroi më tepër dhe hirotonia në dhjakon e z. Pandeli Zeneli. Ai ka kryer studimet në Akademinë Theologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash. Gjithashtu është diplomuar edhe në nivelin Master Shkencor në Histori, në Universitetin e Tiranës. Pasi kontributit për disa vite në Zyrën e Katekizmit të Kryepiskopatës, dhjakoni i ri u kthye në Mitropolinë e tij, bashkë me dhjakoneshë Irinin dhe vajzën e tyre të vogël, Marinën.

Në fund të Liturgjisë Hyjnore, besimtarët uruan Mitropolitin e tyre, i cili prej shumë vitesh drejton me përkushtim dhe dashuri grigjën që i ka besuar Perëndia.

Në fund, ndoqën një program festiv të përgatitur nga të gjitha institucionet arsimore të Mitropolisë së Gjirokastrës, i cili mbylli kremtimet e kësaj dite të veçantë.

G P.