Në shekullin XVIII-të traditën e pikturimit në krahinën e Elbasanit e vazhdoi Kostandin Shpataraku, veprat e të cilit u studiuan për herë të parë më 1954. Mund të themi gati me siguri se të gjitha veprat e piktor Kostandinit që ruhen deri më sot në Shqipëri janë zbuluar, përveç ndonjë ikone që mund të ndodhet edhe pa u diktuar në ndonjë shtëpi private.
Kostandin Shpataraku duket se ka qenë ikonograf (piktor ikonash), mbasi deri më sot, gjatë kërkimeve të zhvilluara gati në të gjitha kishat e Shqipërisë së Mesme e të Jugut, nuk është gjetur asnjë afreskë e pikturuar prej dorës së tij.
Mbi jetën e piktor Kostandinit dihet fare pak, mbasi deri më sot disponohen të dhëna fare të pakta mbi të. Mbishkrimet që gjenden në ikonat e tri kishave të pikturuara prej tij kanë të njëjtën përmbajtje: “Dora e hierodhiakon Kostandinit prej Shpati”. Emri i këtij piktori gjendet edhe në një kodik të Kishës së Shën Kollit në Elbasan me datën 31 maj 1759. Gjithashtu piktor Kostandini përmendet edhe në disa akte arkiviale të Arkivit të Shtetit në Tiranë, nga të cilat rezulton se ai ka pasë pikturuar shumë ikona në Kishën e manastirit të Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit, të cilat për fat të keq u dogjën kur u dogj kisha aksidentalisht më 14 mars 1944.
Në një tjetër shënim të Arkivit të Shtetit Tiranë regjistrohet një gojëdhanë e Elbasanit, sipas të cilës ikonat e manastirit të Shën Joanit i ka pikturuar Dhiakoni i Seltës (katund i Shpatit të Sipërm) Nikodhimi. Një ikonografi tjetër me emrin Nikodhim deri tani nuk është gjetur dhe ndofta as që do të ketë përveç të njëjtit hierodhiakon, por Nikodhim do të jetë emri i tij para se të bëhej murg. Duke u bërë murg Nikodhimi duhet të ketë ndërruar emrin në Kostandin sipas zakonit të Kishës Orthodhokse.
Për vendlindjen e piktor Kostandinit gojëdhënat nuk flasin njëlloj: njëra thotë se është prej Selte, tjetra prej Vlashi ose Pashtreshi, por në mënyrë të përgjithshme pajtohen në mes tyre edhe me mbishkrimet e vetë Kostandinit që e shkruan qartë prejardhjen e tij “Ek Spathias” – prej Shpati.
Mbi datën e lindjes dhe të vdekjes së piktorit nuk ka ndonjë burim të drejtpërdrejtë, prandaj këto data nuk mund të dihen me siguri. Por mbas datave të pikturimit që gjenden në ikonat e punuara prej tij viti 1736 në ikonat e Shën Joan Vladimirit që u dogjën, dhe 1767 viti në ikonat e kishës së Shën e Premtes në Çikalesh jashtë Kavajës duhet që ikonograf Kostandini të ketë lindur në fillim të shek XVIII-të dhe të ketë vdekur nga fundi i po atij shekulli.
Shpati në kohën kur ka lindur piktori ynë, ka qenë një nga krahinat që i ka pasë qëndruar më fort okupatorit turk në Shqipërinë e Mesme ashtu siç ka qenë dhe Grabova, Langa, Vithkuqi, Shipska, Voskopoja, etj.
Veprimtaria artistike e piktorit
Piktori ynë, mbasi lindi në Shpat, duhet të jetë zhvilluar e të ketë mësuar mjeshtërinë e pikturimit të ikonave prej ndonjë mjeshtri më të vjetër, siç ka qenë traditë e piktorëve tek ne ose në ndonjë nga manastiret e Malit Athos në Greqi.
Në Kishën e manastirit të Ardenicës shohim se viti 1744 i pikturimit të afreskeve prej vëllezërve korçarë Kostandinit dhe Anastasit është i njëjtë me vitin e pikturimit të ikonave prej Kostandin Shpatarakut në ikonostasin po të kësaj kishe. Ky fakt vërteton se Kostandin Shpataraku duhet të ketë pasë qenë shok dhe të ketë pasë punuar bashkë me piktorët vëllezër korçarë.
Veprimtaria në pikturë e piktorit tonë shpatarak ka qenë mjaft e madhe. Vepra arti të punuara prej dorës së tij, që janë ruajtur deri më sot kemi: 3 ikona në ikonostasin e Qimiterit të manastirit të Shën Petrit në Vithkuq, të gjitha ikonat e Kishës së Shën e Premtes në Kavajë (gjithsej 4 të mëdha, nga të cilat njëra mungon dhe 24 të vogla nga të cilat 4 mungojnë, tabllonë me apostuj shenjtorë dhe Deisin 43 copë, secili person në format 20×10 cm), një ikonë të Shën Joan Vladimirit si dhe një ikonë e madhe e Krishtit. Kjo e fundit e gjetur në kishën e Shën Prokopit në Verdovë të Pogradecit (sipas gojëdhënës me prejardhje nga Shpati i Elbasanit).
Përveç këtyre ikonave që ruhen deri më sot, dimë me siguri se piktori shpatarak ka punuar dhe ikonat e ikonostasit dhe një prosnqinitari në Kishën e manastirit të Shën Joan Vladimirit, gjithsej 24 copë.
Gojëdhëna thotë se Kostandini ka pasë stolisur me vepra arti dhe kishat e Shpatit, të Llangës e të Grabovës, të cilat nuk janë ruajtur deri më sot. Në ikonostasin e Kishës së manastirit të Ardenicës janë tri ikona të Kostandinit me mbishkrime ku thuhet se janë dhurata nga esnafët e bakajve, të bakraxhive dhe të mjeshtërve të Voskopojës, duket se piktori ynë do të ketë pasë porosi prej voskopojarëve të pasur për të stolisur me ikona edhe kishat e tyre të mëdha e të shumta, megjithëqë sot në Voskopojë nuk gjendet asnjë ikonë e pikturuar prej dorës së tij.
Tematika e piktorit
Tematika që ka përdorur Kostandin Shpataraku është tematika që mund të quhet e ikonostasit, e cila është përdorur ndër kishat tek ne qysh prej shekullit XVII-të ikonat e mëdha dhe të vogla të ikonostasit me gjithë dyert dhe kryqin mbi ikonostas. Ikonat e mëdha që janë pikturuar në madhësi natyrale kanë temat: Krishtin dhe Shën Marinë, Joan Pagëzorin si engjëll, Mbledhjen e engjëjve, Apostuj ose hierarkë të mëdhenj dhe ikonën e festës së kishës. Ikonat e vogla përmbajnë festat kryesore të Krishtit dhe të Shën Marisë, dyert e bukura janë në miniaturë. Ungjillëzimin dhe hierarkët që kanë shkruar meshët; dyert e veriut e të jugut, kanë nga një ëngjëll, zakonisht Shën Mëhillin dhe Gabrielin. Kryqi në ikonostas ka Krishtin të kryqëzuar.
Përveç këtyre temave piktori ynë shpatarak ka dhe disa tema të tjera interesante në miniaturë siç janë: Krishti në tri fytyrë të cilën e ka trashëguar nga Onufri bashkatdhetar i tij, skenat në miniaturë rreth ikonës së Shën Joan Vladimirit që përmbajnë ngjarje nga jeta legjendare e shenjtit, si dhe Karl Topinë si ktitor të Kishës së manastirit të Shën Joan Vladimirit pranë Elbasanit.