EmailFacebookKontakt

Korçë – rezultate shumë të mira të nxënësve të Kolegjit “Platon”

Edhe këtë vit, maturantët e gjimnazit jopublik “Platon” në qytetin e Korçës, pjesë e Fondacionit “Frymë Dashurie”, të Kishës sonë, mbyllën një cikël të rëndësishëm të studimeve të tyre, duke na bërë krenarë dhe shpërblyen punën e palodhur e profesioniste të stafit mësimor duke dalë me rezultate të shkëlqyera në provimet e maturës.

Një moment i rëndësishëm ky, por njëkohësisht dhe refleksioni për ta, pasi tashmë do të nisin një periudhë të vështirë dhe domethënëse për denjësimin profesional dhe formimin e tyre përfundimtar.

Kjo është matura e 7-të e gjimnazit tonë, me kalueshmëri 100 për qind dhe me rezultate shumë të mira nga ana cilësore.

Shkolla kishte 20 maturantë për vitin shkollor 2021-2022, të cilët patën këto rezultate:

Në anglisht: me notë mesatare 9.5, me notën 10, u vlerësuan nëntë nxënës. Në letërsi: me notë mesatare 8.3. Në matematikë: me notë mesatare 8.5, katër nxënës janë vlerësuar me notën 10. Në lëndët me zgjedhje: me notë mesatare 8 dhe dy nxënës janë vlerësuar me notën 10.

Siç dihet, themeli i një vendi është arsimi, një arsim cilësor, i cili është faktor zhvillimi, përparimi dhe prosperiteti, ndaj dhe Fortlumturia e Tij, Anastasi, dhe Kisha Orthodhokse kanë tri dekada që kontribuojnë thellësisht në këtë drejtim.

Mirënjohje dhe falënderim i veçantë shkon edhe për mësuesit për përkushtimin dhe nivelin e tyre gjatë gjithë vitit shkollor, por edhe në vitet e shkuara, që kur shkolla është hapur.

H. Tushi