EmailFacebookKontakt

Korçë – Kremtim festiv në Kishën e Shën Thanasit

Në një kodër të bukur, në lindje të qytetit të Korçës ndodhet Kisha e Shën Thanasit, prej së cilës ka marrë emrin edhe vetë kodra.

Kjo kishë u rrafshua plotësisht në kohën e diktaturës, u rindërtua në formë të thjeshtë me iniciativën e besimtarëve në fillimet e demokracisë dhe u rikonstruktua tërësisht prej Mitropolitit Joan në vitin 2002 duke marrë pamjen e bukur që ka sot.

Sipas traditës, dita e shenjtit, 18 janari, tërheq në këtë kishë të gjithë besimtarët e qytetit, por këtë vit kjo festë pati një të veçantë, që e bëri më madhështore këtë festë, sepse me bekimin e Mitropolitit Joan dhe nën drejtimin e priftit të kësaj kishe At Spiro Katundit në vigjiljen e kësaj feste, më 17 janar u organizua një koncert madhështor me pjesëmarrjen e korit të fëmijëve, korit dinjitoz bizantin të kësaj kishe, si dhe këngëtarë të muzikës së lehtë dhe aktorë që interpretuan këngë me tematikë fetare dhe poezi të përzgjedhura nga krijimtaria shumëvjeçare e At Spiro Katundit. Koncerti u shoqërua edhe me një film dokumentar për historikun e kësaj kishe, prodhuar me rastin e kësaj feste nga televizioni lokal “Kristal Plus”.

Ditën e diel datë 18 janar, që në orët e para të mëngjesit kisha u gjallërua nga një numër shumë i madh besimtarësh, të cilët ndoqën Liturgjinë Hyjnore të kryesuar nga Mitropoliti i dioqezës së Korçës, Imzot Joani. Mbasi u shpërnda nafora dhe të gjithë morën bekimin e Tij, pjesëmarrësit në këtë ceremoni kaluan në hajatin e kishës, ku u çel ekspozita e nxënësve të talentuar të viteve të para të shkollës artistike “Tefta Tashko” të qytetit të Korçës. Në këtë ekspozitë u paraqitën 28 punime në vaj dhe grafikë të kishave të reja dhe të vjetra me vlerë monumentale të dioqezës së Korçës. Punimet ishin realizuar me shumë mjeshtëri nën drejtimin e mësuesit Llazi Dengo dhe lanë mbresa të thella tek vizitorët. Në shenjë mirënjohjeje, këtyre nxënësve iu dhuruan edhe komplete bojërash të sponsorizuara nga besimtari Vaskë Gjoka.

Ajo që binte në sy në këtë panair të madh festiv ishte organizimi i përsosur, ku nuk mungonin as fletëpalosjet që iu shpërndanë besimtarëve për të gjithë aktivitetin e kryer, të sponsorizuara nga shtypshkronja “Kotti” dhe të shoqëruara me foto nga mjeshtri fotograf Eliano Kalemi.

Në këtë mënyrë kjo festë, duke pasur jo vetëm karakterin madhështor festiv por edhe atë edukativ, është një shembull i mirë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kisha e Shën Thanasit në qytetin e Korçës, e rindërtuar nga themelet

Grigor Mulla,
Thoma Piluri