Kryepiskopi Anastas, që prej mbërritjes së tij në Shqipëri në vitin 1991, e ka vënë arsimin në qendër të përpjekjeve të tij për rigjallërimin e Kishës Orthodhokse dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. “Pas ringritjes së tempujve, hapi ynë i radhës janë shkollat,” – është shprehur ai, duke nënvizuar rëndësinë e arsimimit për të ardhmen e vendit. Brenda tre dekadave, me vizionin dhe bekimin e tij, janë ndërtuar dhe funksionojnë dhjetëra institucione arsimore, nga kopshtet dhe shkollat 9-vjeçare deri te gjimnazet dhe Kolegji Universitar “Logos”.
Ky angazhim nuk u ndal vetëm te ndërtimi fizik i shkollave dhe kopshteve, por krijoi një rrjet institucionesh që ofrojnë dije, përkujdesje dhe vlera, për të ndërtuar një të ardhme me integritet dhe për të përhapur frymën e dashurisë dhe solidaritetit në shoqërinë dhe vendin tonë. Siç thotë vetë Kryepiskopi Anastas: “Lavdëroj Zotin që kjo ëndërr është bërë realitet.”
Mëposhtë do të lexoni një intervistë me drejtorin ekzekutiv të Fondacionit “Frymë Dashurie,” z. Andi Rembeci, për kontributin e Kryepiskopit Anastas në zhvillimin e arsimit për të rinjtë në Shqipëri.
Cili është kontributi që ka dhënë Kryepiskopi Anastas për arsimin e brezave në Shqipëri?
Fortlumturia e Tij ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në arsimin shqiptar. Ai erdhi në një vend, ku Kisha Orthodhokse kishte mbijetuar vetëm si kujtim. Ai pa nevojën, por mbi të gjitha, pa mundësinë. Me vendosmëri, nisi të ndërtojë jo vetëm tempuj për shpirtin, por edhe shkolla për mendjen. Arsimi u bë misioni i tij, një udhë për të ringritur jo vetëm Kishën, por edhe një brez të tërë të rinjsh të etur për dije dhe të ardhme.
Kontributi i tij është një histori e veprimit dhe shpresës, që fillon në korrik të vitit 1991. Atëkohë, prof. dr. Anastasi erdhi në Shqipëri si Ekzark i Patriarkanës Ekumenike dhe u përball me një realitet të vështirë: Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte tërësisht e rrënuar për shkak të persekutimit të ashpër të regjimit komunist. Mirëpo, zgjedhja e tij si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse në Shqipëri, më 24 qershor 1992, shënoi fillimin e një periudhe ripërtëritje dhe ringritjeje.
Në atë kohë sfidash, u bënë hapa vendimtarë për rindërtimin e Kishës Orthodhokse dhe zhvillimin e saj, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë arsimit, edukimit të brezave të rinj, përkujdesjes sociale dhe kulturës. Nën drejtimin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit Anastas, dhe me nismën e Grupit të Grave Orthodhokse, më 10 tetor 1994 u hap kopshti i parë në Tiranë, i cili u pasua nga hapja e dy kopshteve të tjera në Durrës dhe Korçë, përkatësisht më 5 dhjetor 1994 dhe 14 qershor 1995. Në mars 1997, u çel kopshti në Kavajë pranë Kishës së Shën Nikollës, ndërsa në vitin 1998 një tjetër kopsht nisi aktivitetin në Lushnje, pranë kishës së Shën Gjergjit. Deri në fund të viteve ’90, rrjeti u zgjerua edhe me kopshte në Elbasan, Sarandë dhe Pogradec. Në vitin 2000, në Vlorë u hap një tjetër kopsht në një ndërtesë dykatëshe pranë kishës së Shën Theodhorëve, ndërsa në vitin 2001 filloi të funksionojë kopshti në Përmet. Në vitin 2011, në Shkodër u hap një kopsht në një ndërtesë që ruan arkitekturën tradicionale të zonës. Edhe Berati pati një kopsht që i shërbeu komunitetit për më shumë se 20 vite, pranë katedrales së Shën Dhimitrit. Në Gjirokastër u çelën dy kopshte, një pranë Mitropolisë së Shenjtë dhe një tjetër pranë Kishës së Kryeengjëjve. Kështu, u krijua një rrjet i përbërë nga 23 kopshte, nga të cilat sot funksionojnë 15 të tillë, në qytete dhe ndryshme të vendit. Me një përhapje të tillë dhe kujdes të veçantë për ambientet, standardet dhe programet, këto kopshte kanë mirëpritur deri sot rreth 11,600 fëmijë të moshave 4-6 vjeç. Nga këta, 65% vijnë nga familje me të ardhura të ulëta, 2.5% nga familje me prindër të divorcuar, 2.7% janë jetimë, 4.5% jetojnë me gjyshërit për shkak të emigrimit të prindërve, dhe 45.5% janë fëmijë të nënave në punë. Ky angazhim reflekton vlerat e solidaritetit dhe përkujdesjes për komunitetin, duke u bërë simbol i përkushtimit dhe edukimit.
Në vitin 1998, Kryepiskopi Anastas themeloi fondacionin “Fryma e Dashurisë”, i cili, nën udhëheqjen dhe me mbështetjen e tij, ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e arsimit cilësor në Shqipëri. Fondacioni ka krijuar një rrjet të gjerë shkollash të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, duke përfshirë gjithsej 6,049 nxënës nga viti 2002 deri në vitin 2024. Në Tiranë, shkolla 9-vjeçare “Protagonisti” është hapur në vitin 2002 dhe ka arsimuar 2,143 nxënës, ndërsa gjimnazi “Protagonistët” ka filluar në vitin 2012, duke diplomuar 688 nxënës deri më sot. Në Durrës, shkolla 9-vjeçare “Frymë Dashurie,” e hapur në vitin 2006, ka arsimuar 618 nxënës, ndërsa gjimnazi përkatës, i hapur në vitin 2015, ka regjistruar 226 nxënës. Në Korçë, Kolegji “Platon” i hapur në vitin 2015, ka arsimuar 351 nxënës. Në Gjirokastër, shkolla 9-vjeçare dhe gjimnazi “Frymë Dashurie,” të hapura respektivisht në vitin 2008 dhe 2017, kanë arsimuar 718 nxënës dhe 155 nxënës secila. Në Mesopotam, shkolla profesionale dhe gjimnazi “Frymë Dashurie,” të hapura në vitin 2015, kanë arsimuar 351 dhe 329 nxënës respektivisht. Në Mesopotam, shkolla profesionale ofron 4 drejtime: Informatikë, Infermieri, Termohidraulik dhe Elektrik, të përshtatura për nevojat e tregut të punës në zonë.
Në institucionet arsimore të Fondacionit “Fryma e Dashurisë” sot punojnë 275 persona, duke përfshirë 166 mësues të kualifikuar, 39 edukatore dhe 70 punonjës mbështetës. Ky staf i përzgjedhur siguron cilësinë dhe standardet më të larta në arsim dhe edukim, duke krijuar një mjedis të favorshëm për zhvillimin intelektual dhe shpirtëror të nxënësve dhe fëmijëve tanë.
Në vitin 2000, në Tiranë dhe Gjirokastër u themelua Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie”, nën kujdesin e Kishës sonë dhe me iniciativën dhe bekimin e Kryepiskopit Anastas. Ky institucion kishte për qëllim të ofronte arsim profesional cilësor për të rinjtë shqiptarë, duke i përgatitur ata për tregun e punës në fusha të ndryshme. Gjatë funksionimit të tij deri në vitin 2013, Instituti ofroi programe studimi dyvjeçare në disa drejtime profesionale, përfshirë kuadrin menaxherial, specialistë në llogaritë e kompjuterizuara, informatikë, specialistë në laboratorët mjekësorë, restaurim dhe konservim të veprave të artit, si dhe ikonografi bizantine. Programet mësimore ishin të standardeve evropiane, duke synuar krijimin e një brezi të ri profesionistësh të përgatitur për sfidat e kohës.
Gjatë periudhës së funksionimit të tij, Instituti diplomoi 1,276 studentë vetëm në Tiranë, të cilët u integruan me sukses në tregun e punës. Me ndryshimet e mëvonshme në sistemin arsimor në Shqipëri dhe bazuar në përvojën dhe suksesin e këtij institucioni, në vitin 2008 u themelua Fondacioni “LOGOS”. Ky fondacion ishte baza për krijimin e Kolegjit Universitar “LOGOS”, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, që vazhdoi traditën e arsimimit cilësor në nivel të lartë. Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie” ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri dhe në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës, duke qenë një shtyllë e rëndësishme në sistemin arsimor të vendit.
Duke qenë se ju jeni drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, çfarë ka në fokus ky fondacion?
Fondacioni “Fryma e Dashurisë”, themeluar në vitin 1998 dhe udhëhequr nga Presidenti i tij, Kryepiskopi Anastas, është një institucion thelbësor për promovimin e arsimit, gjithëpërfshirjes sociale dhe zhvillimit shpirtëror në Shqipëri. Që nga krijimi i tij, fondacioni ka pasur në fokus ndërtimin e një sistemi arsimor të organizuar dhe cilësor që reflekton përkushtimin e Kishës Orthodhokse ndaj shoqërisë. Struktura organizative përfshin një bord administrimi, që është organi vendimmarrës dhe një zyrë qendrore që mbështet dhe koordinon institucionet arsimore dhe sociale të lidhura me Kishën.
Një nga aspektet kryesore të veprimtarisë së fondacionit është rrjeti i tij arsimor, i cili, sikundër e përmendëm më lart, përbëhet sot nga 15 kopshte, 3 shkolla të mesme 9-vjeçare, 5 shkolla të mesme dhe 1 shkollë profesionale. Të gjitha këto institucione janë ndërtuar ose rikonstruktuar në godina moderne, të pajisura me laboratorë të teknologjisë së fundit dhe ambiente që sigurojnë një arsim cilësor jo vetëm teorik, por edhe praktik. Për të mbështetur këto shkolla, fondacioni ka angazhuar, siç u përmend më lart, 166 mësues të kualifikuar, 39 edukatore dhe 70 punonjës mbështetës, duke garantuar një mjedis profesional dhe të përkushtuar ndaj zhvillimit të nxënësve dhe fëmijëve.
Për të nxitur pjesëmarrjen dhe për të mbështetur familjet në vështirësi ofrohen bursat “Kryepiskopi Anastas”, që përfshijnë bursa për ekselencë, për talente të veçanta dhe për nxënës që vijnë nga familje me sfida ekonomike, sociale ose shëndetësore. Vetëm në Tiranë, Kryepiskopi Anastas ka dhënë mbi 32 mijë bursa, me një vlerë që tejkalon 5 milionë euro, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm për të garantuar arsimim për të gjithë.
Fondacioni është përkujdesur edhe për tarifat e shkollimit, të cilat janë ndër më të ulëtat e të përballueshmet në tregun e arsimit jopublik parauniversitar, duke ruajtur dinjitetin e familjeve dhe duke garantuar përfshirje sociale. Edhe për ata që nuk mund të përballojnë këto tarifa, përkujdesja e Kryepiskopit Anastas siguron qasje përmes bursave dhe mbështetjeve specifike.
Përveç arsimit, fondacioni drejton edhe shërbimin “Diakonia Agapes”, një program social dhe humanitar i dedikuar për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe për të mbështetur zhvillimin rural. Ky shërbim ka qenë një shtyllë e rëndësishme për përkujdesjen ndaj njerëzve dhe vendit në situata të vështira ekonomike dhe sociale. Një nga kontributet më të rëndësishme ka qenë përkujdesja ndaj 33 mijë refugjatëve kosovarë gjatë krizës së vitit 1999.
Që nga viti 1994, kur nisën bërthamat e para arsimore dhe deri më sot, Fondacioni ka luajtur një rol qendror në përballimin e sfidave të jashtëzakonshme të vendit, duke mbështetur komunitetet dhe duke krijuar hapësira arsimore që kultivojnë jo vetëm dije intelektuale, por edhe vlera shpirtërore dhe morale. Kjo qasje holistike ndaj arsimit dhe ndihmës sociale e bën Fondacionin një shembull të shërbimit dhe dashurisë ndaj gjithë njerëzve, pa dallim besimi, prejardhjeje apo sfide personale. Misioni i tij është një dëshmi e përkushtimit të Kishës Orthodhokse dhe Kryepiskopit Anastas për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë shqiptare në të gjitha aspektet e saj.
Andi Rembeci
Drejtor Ekzekutiv
Fondacioni “Fryma e Dashurisë”