Vepra hierapostolike e Kishës ka vulosur personalitetin e Kryebariut tonë të dashur, Imzot Anastasit. Për Kryepiskopin tonë Anastas vepra hierapostolike e Kishës është bindje ndaj urdhëresës së Krishtit të Ngjallur. Një urdhëresë që nuk i referohej vetëm 12 apostujve, por të gjithë Kishës, e cila bazohet në porosinë “Shkoni dhe mësoni gjithë kombet dhe i pagëzoni në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë” (Mt. 28:19).
Në vitet 60-të Kryepiskopi i Shqipërisë, Imzot Anastasi, ishte ndër pararendësit që me studimet e tij, me shkrimet e shumta, por edhe me shërbimin e tij në kishat hierapostolike, zgjoi anëtarët e Kishës për detyrimet e tyre në veprën hierapostolike.
Shqetësimet e tij të para për jetën dhe vdekjen, siç ai përshkruan në librin “Urdhëresa e harruar”, filluan që në kohën e pushtimit gjerman, por në moshën e adoleshencës ishin vitet vendimtare për gjithë udhëtimin e tij të mëtejshëm. Brenda besimit të krishterë ai gjeti rrugën më të drejtë për një botë të paqes, lirisë dhe dashurisë. Për këtë vazhdoi studimet e larta për Theologji, një surprizë për shumë njerëz, pasi ishte nxënës i shkëlqyer.
Pas shërbimit ushtarak (1954), u përkushtua në veprën katekitike, me predikimin, me organizmin e grupeve të studimit biblik, me nxënës e studentë.
Brenda këtij ambienti shpirtëror u zgjua tek ai dëshira për dëshminë e krishterë, për veprën hierapostolike. Kryepiskopi Anastas është themeluesi kryesor i Qendrës Hierapostolike “Porefthendes”, e cila u vendos në shtator të vitit 1958 në Asamblenë e Tretë të Përgjithshme të Lidhjes Rinore Mbarorthodhokse “Sindesmos”, si edhe i revistës “Porefthendes”.
Në Lidhjen Rinore Mbarorthodhokse “Sindesmos” Kryepiskopi ynë Anastas ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Ekzekutiv të Hierapostolisë së Jashtme në vitet 1958-1961. Nga vitet 1964-1977 ka pasur funksionin e Zëvendëskryetarit të kësaj Lidhjeje.
Kontributi i Kryepiskopit Anastas në marrëdhëniet ndër të krishtera dhe ndërfetare jashtë vendit
Në vitin 1963, kur ishte hierodhjakon, ai u zgjodh nga Sinodi i Kishës në Greqi përfaqësues i saj në Këshillin Botëror të Kishave (WCC).
Kontributi i tij të do të vazhdonte edhe pas zgjedhjes dhe Fronëzimit si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai ishte një ndër tetë presidentët e Këshillit Botëror të Kishave në vitet 2006-2013. Të gjithë e kujtojmë kontributin e tij në jetën e këtij Këshilli, në ruajtjen e frymës ungjillëzuese dhe hierapostolike. Mesazhi i tij “Liturgjia pas Liturgjisë”, e shpallur në vitin 1975 në Armeni, ku gjithë jeta jonë duhet të jetë një liturgji e vazhdueshme, është bërë lajtmotiv për mbarë botën e krishterë. Ai ka qenë anëtar i Komitetit Qendror të këtij Këshilli (1998-2006) dhe pjesëmarrës në shumë Asamble të tij: në vitet 1968, 1975, 1983, 1991, 1998, 2006.
Kryepiskopi Anastas ka qenë anëtar i shumë komisioneve ndërkombëtare shkencore si: Komisioni gjerman për Hierapostullimin, Komisioni ndërkombëtar për studimet Hierapostolike, i komisioneve ndër të krishtera të WCC, në dialogët me fetë dhe ideologjitë e tjera (1975-1983).
Anëtar i komisionit Miks të Këshillit Evropian të Kishave dhe Asamblesë Episkopale të Romanokatolikëve (1989-1991).
Anëtar nderi i kuratorimit të fondacionit romanokatolik “Pro Oriente”, Vjenë (1989 e vazhdim). Kryetar-moderator i Komisionit të Këshillit Botëror për Hierapostullimin dhe Ungjillëzimin (1984-1991).
Anëtar i Komisionit “Faith and Order” të Religions for Peace (2001-2013).
Anëtar i Këshillit 100, të Forumit Ekonomik të Davosit, 2013.
Nënkryetar i Konferencës Evropiane të Kishave (2003-2009).
Kryetar nderi i komisionit Botëror të “Fetë për Paqen”, nga 2006 e vazhdim.
Në të gjitha këto veprimtari ndërkombëtare Kryebariu ynë ka qenë ambasador i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe vendit tonë. Ai ka bërë të përmendet dhe të dëgjohet në të gjitha këto organizata, emri i Kishës sonë të vogël dhe vendit tonë të harruar.
Kontributi i Kryepiskopit Anastas në marrëdhëniet ndër të krishtera dhe ndërfetare brenda vendit
Duhet të theksojmë, së pari, që Fortlumturia ynë ishte ai që pushoi zërat e ndryshëm që dolën në vitet 90-të për mosekzistencën e Autoqefalisë së Kishës sonë. Pranimi i Autoqefalisë së Kishës sonë ishte një nga parakushtet që Kryepiskopi të pranonte shërbesën e Krishtit në Shqipëri.
Së dyti, bëri të mundur ndalimin e krijimit të grupeve etnike orthodhokse, të cilat do të kishin vartësitë e tyre nga vendet anëtare. Ai thekson se: “Në këto orë të vështira do të ishte gabim i madh që të krijohen brenda vendit komunitete orthodhokse të pavarura, të varura nga kishat e tjera”.
Ai u ndesh me kritika të shumta brenda dhe jashtë vendit për shkak të ruajtjes së marrëdhënieve shumë të mira me komunitetet e tjera fetare. Duke ditur specifikat e veçanta të vendit tonë, ai na thoshte që po jua lë si testament, që të ruani këto marrëdhënie të mira bashkëpunimi me gjithë komunitetet: Katolikët, Ungjillorët, Myslimanët, Bektashinjtë. Ai është ndër themeluesit e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në vitin 2007. Së bashku me udhëheqësit e komuniteteve të tjera kanë ngritur zërin në momente kritike e të vështira që ka kaluar vendi ynë.
Kryepiskopi Anastas dhe udhëheqësit e komuniteteve të tjera të vendit, për rolin dhe kontributin e tyre në ruajtjen e harmonisë fetare në vend dhe në gjithë veprimtarinë shpirtërore të kryer, janë nderuar në vitin 2010 nga Presidenti i Republikës me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, dhe me Dekoratë e lartë “Nderi i Kombit”, në vitin 2021.
Kryebariu ynë është gjithashtu një nga themeluesit e Shoqërisë Biblike në Shqipëri në vitin 2009.
Ambasador i Paqes
“Lum ata që përpiqen për paqe, se ata do të quhen bij Perëndie (Mt. 5:9)” Ky lumërim i Krishtit përmbushet plotësisht në personalitetin e Kryebariut tonë të dashur. Por, Ai ka qenë dhe “Bir i Paqes”. Kujtojmë ndërhyrjen e tij në vitin 1993, në krizën e krijuar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Kujtojmë zërin e tij në ngjarjet tragjike të vitit 1997: “Në këto orë të vështira, që kaloi vendi ynë, dëshiroj të them dy fjalë të thjeshta: jo më gjak, jo më luftë, jo armë, jo urrejtje në zemër”. Në tragjedinë e Otrantos të po atij viti të trazuar të 1997-s, Kryepiskopi Anastas u shpreh: “Kush përbuz të pambrojturit, përbuz vetë Krishtin e Kryqëzuar”.
Duam të përmendim veçanërisht kontributin e Kryebariut tonë të dashur në krizën e refugjatëve të ardhur nga Kosova, në vitin 1999. Ka mbetur e paharruar thënia e tij, e cila përdoret tashmë çdo herë që krijohen konfliktet, të cilave duan t’u japin ngjyrime fetare; “Vaji i fesë nuk duhet të përdoret për të rindezur konflikte, por për të shëruar plagët dhe për të paqësuar zemrat”. Në atë situatë, Kryepiskopi ynë, me ndihmën e komuniteteve të ndryshme të krishtera në botë siguroi një donacion prej mbi 12 milion dollarësh, që u ofrua në mbështetje të 33.000 refugjatëve. Për gjithë këtë vepër dhe kontributin për paqen, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë u propozua nga Akademia e Athinës si kandidat për çmimin Nobel për Paqe.
Kërkoj ndjesë nëse është harruar diçka sepse për një periudhë të shkurtër kohe prej 10 minutash është e pamundur të tregosh veprën dhe kontributin 65-vjeçar të Kryebariut tonë të dashur. Por, nganjëherë edhe nga një lule mund të ndiesh aromën e pranverës. Kryepiskopi Anastas është një lule në Pranverën e Orthodhoksisë.
Shumë falënderime dhe mirënjohje, Ati ynë i dashur. Perëndia ju dhëntë vite të shumta dhe me shëndet!