Që nga shekulli i II pas Krishtit, Kisha Orthodhokse e kuptoi rëndësinë e madhe të edukimit të krishterë të fëmijëve të moshes parashkollore, prandaj, jo vetëm i pranoi ata në gjirin e Saj, por përcaktoi edhe synime të shumëllojshme pedagogjike.
Disa nga këto mënyra edukimi “më Krisht” janë:
a) Bekimi dhe ajazma: Kisha mendon se çdo veprim pedagogjik dhe çdo përpjekje do të jetë e kotë pa bekimin dhe hirin e Perëndisë. Të gjitha librat, mësimet dhe këshillat pedagogjike do të mbeteshin fjalë boshe pa Bekimin Qiellor. Prandaj, Kisha bekon dhe jep hirin e Perëndisë tek njeriu që nga feminia e tij.
Bekimin e parë femija e merr sapo lind, kur bëhen “Uratat për lehona”. Me urata dhe bekime merr foshnja ditën e paraqitjes së parë në Kishë në duart e prindërve, dyzetë ditë pas lindjes. Këto dy bekime përbëjnë përgatitjen e foshnjes për marijen Hirit, që do t’i jepet me pagëzimin dhe Misteret tjera të Shenjta.
b) Tërësia e Mistereve: Kisha Orthodhokse përcaktoi që herët ligjin e pagëzimit të fëmijëve dhe filloi t’i pranojë ata si pjesëtarë të barabartë të saj. Në këtë mënyrë, njeriu, që nga feminia e tij, bashkohet me Trupin e Shenjtë të Krishtit. Bëhet pjesë e këtij Trupi dhe fillon të marrë pjesë në jetën përbashkët të Hirit dhe Mbretërisë së Perëndisë.
Veçanërisht me Misteret e Pagëzimit, të Mirosjes dhe të Kungimit të Shenjtë femija fillon të transformohet e të bëhet një njeri i ri. Ky transformim dhe hyjnizim nis të veprojë që në fillimet e jetës njerëzore.
c) Ligji i jetës së krishterë: Që në lashtësi Kisha përcaktoi rrugët e detyrat për edukimin e fëmijëve, si plotësim të jetës, i cili ka të bëjë me rolin e familjes së krishterë: Asaj iu ngarkua rritja dhe edukimi i fëmijëve me besimin tek Zoti, duke e konsideruar si qelizë të gjallë të Familjes së madhe të Perëndisë. Kjo qelizë lind anëtarë të rinj në Trupin e Krishtit.
Etërit e shenjtë, madje, e quajtën familjen e krishterë “Kishë e vogël” (Shën Joan Gojarti e Shën Agustini), e cila ka detyrimin të kujdeset për edukimin e krishterë dhe mirërritjen e fëmijëve. Në një dokument të hershëm (shek. IV pas Krishtit), prindërve të Krishterë u jepen udhëzime të sakta për të mësuar fëmijët me fjalën e Zotit. “Që foshnja mësohen me Shkrimet e Shenjta… dhe dorëzon tek ata çdo gjë të shenjtë.” (Urdhra Apostolike).
Etërit e një sinodi lokal (Gagra 362-370 pas Krishtit), ligjërojnë sanksione të rrepta për prindërit që braktisin edukimin e krishterë të fëmijës dhe nuk e drejtojnë “siç duhet me besim tek Perëndia”. (Kanoni 15)
E dhëna bazë në strukturën e Kishës (dhe sigurisht, kushti themelor, për të pranuar dhe ligjëruar pagëzimin e femijëve të vegjël), ishte dhe është roli edukativ i familjes së krishterë. Shikojmë se Kisha kuptoi që shekuj më parë psikologjinë bashkëkohore, kuptoi kontributin vendimtar të prindërve në edukimin e femijëve.
d) Atësia shpirtërore: Kisha me hyrjen në shërbesa të pagëzimit të fëmijëve të vegjël, mori masa të tjera për edukimin e fëmijës. Një nga këto është ligji i atësisë shpirtërore, domethënë roli i Nunit.
Nuni, si përfaqësuesi i Kishës, merr pjesë në Katekizimin e femijës parashkollor, i cili bëhet para pagëzimit, dhe garanton pranimin dhe pohimin e besimit orthodhoks nga ana e fëmijës që pagëzohet.
Kështu, nuni, si “at shpirtëror” merr përsipër detyrimin e edukimit të krishterë të fëmijës së tij shpirtëror të zgjedhur.
e) Të reja bashkëkohore: Fëmijët e moshës parashkollore dhe ata që jetojnë në mjedisin bashkëkohor shoqëror e kulturor zhvillohen me shpejtësi dhe fitojnë njohuri të shumta dhe të gjera, që, siç thamë, përcaktojnë karakterin dhe gjithë ekzistencën e tij.
Kishës i duhet sot të sanksionojë metoda të reja bashkëkohore të edukimit fetar të femijëve. Masa të tilla mund të jenë, nga njera anë botimi i librave të veçantë ndihmës për këtë edukim, ndërsa nga ana tjetër organizimi i grupeve enorike të edukimit të fëmijëve (4-5 vjeç dhe 7-8 vjeç) etj.