Ne intelektualët orthodhokse të qytetit të Durrësit u njohëm me artikullin ordiner të poetit Agim Shehu, i cili për moshën që ka dhe mësimet që ka marrë, është brumosur me ideologjinë marksiste leniniste dhe enveriste dhe, duke vjellë vrer mbi fenë orthodhokse dhe Kryepiskopin e nderuar Anastas, vë në jetë mësimet, që ai i ka në rrënjët e tij…
Ceremonitë e vyera fetare, rindërtimi dhe ndërtimi i kishave, katedraleve, manastireve, Shkollës Teologjike, ambulancave, klinikave, kampeve etj., që zbukurojnë qytetet tona në veri, jug, lindje, perëndim, e në të gjithë Shqipërinë, që autori s’i përmend, janë vepër e besimtarëve tanë të KOASH-it dhe në veçanti e Kryepiskopit Anastas, si dhe ndihmë e orthodhoksisë botërore. Por, artikullshkruesin nuk e gëzon kjo vepër e shenjtë e Orthodhoksisë.
Nuk është vendi të përshkruajmë figurën, veprën dhe shenjtërinë e Imzot Anastasit, kontributi e vepra e të cilit në këto vite të rimëkëmbjes së Kishës Orthodhokse në Shqipëri është e pamohueshme. Këtë e di populli, besimtarët orthodhoksë, personalitetet e vendit dhe të huaj.
Si guxon, o poet, të fyesh besimtarët orthodhoksë dhe Hirësinë e tij, Imzot Anastasin, punën këmbëngulëse të KOASH-it dhe të të dhjetra klerikëve dhe vihesh në mbrojtje të dy personave, “priftërinj” jokanonikë, si Marku e Koja dhe i vendos pas Imzot Nolit. Nolin dhe kolosë të tjerë të orthodhoksisë shqiptare i nderojmë ne besimtarët orthodhoksë dhe gjithë populli. A nuk ishte kuptimplotë celebrimi i Liturgjisë në kishën e Shën Gjergjit në Durrës nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasi, më 5 janar 1997, së bashku me klerikët e Durrësit dhe me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve dhe personaliteteve të qytetit dhe të shoqatës “Fan Noli”, për nder të 115 vjetorit të lindjes së Imzot Nolit, veprimtari që u pasqyrua në televizionin e Shijakut dhe në vetë gazetën “Republika”?
Të gjitha ato ndërtime social-kulturore dhe arsimore, siç është Shkolla Teologjike në manastirin e Shën Vlashit të qytetit tonë, kujt do t’i shërbejnë o poet? Sigurisht, vetëm shqiptarëve dhe orthodhoksisë sonë. Pse të shqetësojnë vetëm ato, kur objekte të tilla po ndërtohen edhe nga komunitetet e tjera fetare, për të cilat sinqerisht gëzohemi të gjithë.
Përsa i përket trojeve të ndërtimit, o poet, për të cilat je shumë i shqetësuar, se zënë vendet kryesore të qyteteve, harron atë, që në traditën e popujve të të gjithë botës dhe të sekteve fetare këto objekte kulti janë ndërtuar me madhështi, art, pasion në vendet më të privilegjuara, sepse përbëjnë thesarin e besimit dhe kulturës njerëzore.
Intelektualët e vërtetë shqiptarë, të çdo besimi qofshin, janë e duhet të jenë promotorë të respektimit të të tri feve tradicionale, që kanë bashkëjetuar në vëllazëri të plotë, duke kapërcyer edhe periudhat më të efrëta të historisë dhe jo të vjellin vrer, siç bën Agim Shehu në gazetën “Republika”…
E vërteta bekohet nga Zoti dhe triumfon.
At Petro Thanasi, At Spiro Toll, Perikli Konomi, Petraq Jorgoni, Lluka Tutra, Stefanaq Boshku, Aleksander Garuli, Petro Xhaferi, Alma Golgota, Kristaq Qesimi, Loni Vava, Elsa Ikonomi, Marika Sholla, Durrës