Më 21 qershor, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, u zhvillua promovimi i librit “2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri”, botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me fondet dhe kujdesin e Kryepiskopit Anastas. Libri është ndërtuar me materialet e Simpoziumit me të njëjtin emër, mbajtur në vitin jubilar të krishterimit. Në veprimtari merrnin pjesë akademikë, intelektualë dhe specialistë të fushave që përfshihen në botim, përfaqësues të komuniteteve fetare, klerikë, besimtarë orthodhoksë etj. Ishte i pranishëm edhe Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi.
Veprimtaria u hap nga Kryetari i Këshillit shkencor që realizoi Simpoziumin dhe njëkohësisht që u kujdes për realizimin e këtij botimi, Prof. Dr. Pirro Thomo, i cili tha ndër të tjera: “Botimi i akteve të Simpoziumit merr një rëndësi të veçantë, sepse këto përfundime të arritura do të jenë pronë e një mase të gjerë lexuesish dhe e opinionit shkencor”. Ai tha gjithashtu, se është përgatitur edhe përkthimi në anglisht i këtyre materialeve, i cili do të bëjë të mundur njohjen me këto rezultate dhe jashtë vendit. Në fund, në emër të të pranishmëve falënderoi veçanërisht Kryepiskopin Anastas, i cili mundësoi si zhvillimin e Simpoziumit ashtu edhe botimin e akteve të tij.
Pastaj e mori fjalën Prof. Dr. Aleksandër Meksi, i cili theksoi ndër të tjera: “Vënia në dorë të publikut të gjerë të vëllimit me aktet e Simpoziumit, të mbajtur nga 16-18 nëntor të vitit 2000, në Tiranë, përbën një eveniment për kulturën shqiptare, ndërkohë që botimet në këto fusha janë shumë të pakta. Në të janë paraqitur të 43 kumtesat, të ndara në 5 seksionet bazë të punimeve: histori-arkeologji; art-arkitekturë; letërsi-gjuhësi; folklor-muzikologji dhe sociologji.
Botimi tregon seriozitetin e kësaj nisme shkencore dhe dobinë në ndriçimin e aspekteve të rëndësishme të jetës materiale e shpirtërore gjatë 2000 vjetëve të historisë shqiptare, besimin e tyre tek Perëndia.
Vëllimi njeh lexuesin dhe studiuesin me këtë pasuri të madhe faktesh të mbledhura, analizuara e paraqitura me nivel të mirë shkencor, ndaj do të jetë i dobishëm për mjaft kohë, si për publikun e gjerë e aq më tepër për lexuesin.
Paraqitja e këtij vëllimi lidhet me një jubile të jashtëzakonshëm… i cili tregon rrënjët historike të përhapjes e përqafimit të fesë së krishterë në trevat e shqiptarëve… Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas duhen përgëzuar që e përmbyllën këtë veprimtari me një libër të bukur, me një libër me vlerë…”
Më pas e mori fjalën drejtori i Muzeut Historik, z. Moikom Zeqo, i cili tha: “Mbaj mend si u organizua simpoziumi dhe merita kryesore për organizimin e tij i takon Kryepiskopit Anastas, si edhe për botimin e materialeve të tij. Ky simpozium ka qenë një akt i madh shkencor njohës, historik, për një traditë dymijëvjeçare, për të zgjidhur disa probleme shumë të rëndësishme lidhur me historinë e Shqipërisë. Pas botimit të korpusit të mbishkrimit të kishave të Shqipërisë, nga i ndjeri dhe i paharruari Theofan Popa, ky botim plotëson në mënyrë shumë të rëndësishme dhe profesionale disa boshllëqe shumë të mëdha, duke hequr tabutë e studimit të këtyre temave gjatë periudhës së sistemit komunist. Mendoj se ky libër, nga librat e shkëlqyer në rafshin akademik, do të ndihmojë jo thjesht shkencëtarët, por të gjithë njerëzit, për të krijuar një koncept më të plotë, më afër së vërtetës për historinë e 2000 vjetëve që Kisha ka ekzistuar, mbijetuar e lulëzon në atdheun tonë, në Shqipëri”.
Ndërsa Kosta Jakumis, nga Greqia, i cili ishte nga referuesit e huaj që morën pjesë në Simpozium, tha: “Të gjitha kontributet na drejtojnë të mendojmë Shqipërinë në kuadrin e saj të përgjithshëm, duke e parë atë të përfshirë në perandoritë e mëdha: Romake, Bizantine e Osmane”.
Prof. Dr. Shaban Sinani theksoi ndër të tjera: “Botimi i akteve është një promovim i vlerave të rëndësishme, të trashëguara në hapësirën shqiptare që prej një kohe shumë të hershme. Kontribut për të bërë atë që po mundohet bota intelektuale shqiptare ta bëjë prej shumë vjetësh, për të paraqitur imazhin e një Shqipërie tjetër, të një Shqipërie që ka vlera shumë të rëndësishme për t’u mburrur dhe konsideruar veten si një hapësirë që ishte gjendur në djepin e qytetërimeve. Një nga kontributet që sjell ky botim është prekja e krishterimt ndër shqiptarët, që në kohën e misionarëve të parë të krishterimit, që është një privilegj i madh i historisë së popullit shqiptar, një privilegj që pak popuj e kanë. Mendoj së një kontribut tjetër është se njerëzit do të kenë mundësi t’i shikojnë në bashkëlidhje shumë prurje të kulturës së krishterë në botën shqiptare… Kjo hapësirë ka qenë gjithmonë një hapësirë ekumenike, një hapësirë që ka bashkuar vlerat, një hapësirë ku konvergjenca fetare është një tipar shumë i lashtë, që nuk ka lindur në periudhën osmane e këtej. Eshtë një gabim i madh i dijes shqiptare, që përpiqet të shpjegojë tolerancën fetare të shqiptarëve si një produkt i pesë shekujve të fundit. Vetë ky libër është një prej dëshmive për këtë…”.
Pastaj të pranishmëve iu drejtua Kryepiskopi, Akademik Prof. Dr. Anastasi, fjala e të cilit botohet në faqen e parë të gazetës. Veprimtaria u shoqërua edhe nga formacioni orkestror i Radios “Ngjallja” dhe u mbyll me një koktejl.
Korresp. i “Ngjalljes”