EmailFacebookKontakt

Kontribut i qenësishëm në përtëritjen e Kishës sonë

– U botua libri i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë –

Me bekimin dhe përkujdesjen e Kryehirësisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Imzot Anastasit, u ribotua teksti liturgjik: “Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse”, i cili është një nga librat më të domosdoshëm e më të përdorshëm për klerin tonë dhe për Kishën.

Ky tekst është përkthyer për herë të parë nga greqishtja në gjuhën shqipe prej të përndershmit At Theofan S. Noli dhe është botuar në Boston Mass, të Amerikës më 1909 dhe ka pasur gjer më sot katër rishqyrtime dhe botime.

Botimi i dytë është bërë më 1930 në Korçë, pasi më parë u kontrollua nga pikëpamja gjuhësore prej një komisioni shqyrtues të përbërë nga Prof. Sotir Papahristo, Kostaq Cipo, Simon Shuteriqi dhe Ik. Mitr. At Vasil Marko, nën kryesinë e Imzot Visarion Xhuvanit, Kryepiskop i atëhershëm i Kishës, pa iu bërë tekstit asnjë ndryshim.

Botimi i tretë është bërë nga Peshkopata e Amerikës më 1941 po në Boston Mass, këtë radhë me një titull të ri: “Uratore e Kishës Orthodhokse”, që i përgjigjet tekstit zyrtar të njohur me emrin “Efhollogjion to mega”. Ky botim është përpunuar rishtaz prej Imzot Nolit, për t’iu përshtatur melodive origjinale bizantine.

Me epuizimin e plotë të tekstit të botuar 1930, i cili, nga pikëpamja e përkthimit, i qëndronte shumë më afër origjinalit, është ndier nevoja e ribotimit të tij. Me vendim të Sinodhit të Shenjtë, më 1958 u formua një komision i përbërë prej z.z. Prof. S. Papahristo, Niko Cane, Dh. Beduli dhe kryedhiakon Sotir Kanxheri, i cili, pasi e rishqyrtoi tekstin nga pikëpamja gjuhësore dhe e plotësoi me pjesë të tjera (Meshën e Shën Vasilit, Meshën e të Parashenjtëruarave e me një sërë shërbesash dhe uratash të ndryshme, të domosdoshme për priftin e për Kishën), më 1961 e dha për botim. Ishte botimi i katërt i tekstit.

Ky botim, pra, që ishte më i miri e më i ploti se të gjithë botimet e tjerë të mëparshëm, u mor si bazë për ribotim dhe janë bërë këto ndryshime, që i lypi nevoja: Është hequr nga teksti hyrja me historikun e përdorimit të gjuhës shqipe në Kishë, e cila, pasi të plotësohet me të dhëna të reja nga autori i saj z. Dhimitër Beduli, mendohet të botohet si broshurë më vete. Janë shtuar: Katavasitë (zbritësit) e vitit, të cilat në të tre botimet e para qenë përfshirë në tekst. Në botimin e katërt qenë hequr, sepse ishin përfshirë në librin e Oktoikut të madh, i cili ishte përkthyer i tëri dhe ishte dhënë për botim, por që, me mbylljen e Kishave në vitin 1967, nuk dihet se ku ka përfunduar.

Për të lehtësuar punën e priftërinjve dhe të psaltëve në zbatimin e rregullit për kryerjen e shërbesave sipas Tipikos së Kishës, janë lënë në tekst dhe të gjitha shënimet tipikonale. Gjithashtu, janë shtuar edhe mjaftë udhëzime të reja, që u panë të domosdoshme.

Siç thuhet në hyrjen e shkruar nga Kryepiskopi Anastas, “Çdo klerik orthodhoks, sa herë që Perëndia do ta bëjë të denjë të përdorë këtë libër për të meshuar, ka për detyrë të përgatitet në mënyrë të përshtatshme, të mendojë dhe të ndjejë kuptimin e thellë të gjërave që kryhen, dhe pastaj, i dëlirësuar trupërisht dhe shpirtërisht, me përshpirtshmëri të fillojë kryerjen e Meshës hyjnore; dhe me lutjen e gjithëshpirtshme, që përmbledh urata e Proskomidhisë së Meshës Hyjnore të Shën Joan Krisostomit (Gojartit): “…Bëna të denjë (o Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm), të gjejmë hir përpara teje që të bëhet e mirëpritur prej teje therorja jonë, dhe shpirti i mirë i hirit tënd të ngrerë tenden mbi ne dhe mbi këto dhurata që ndodhen përpara, dhe mbi tërë popullin tënd”.

Në fund duhet shprehur përgëzim i veçantë për përpjekjet e frytshme të grupit botues, drejtuar nga teologu Dhimitër Beduli, si dhe, motrën Argjiro, që u kujdes për realizimin e botimit.