EmailFacebookKontakt

Kontribut i madh i Kishës për trashëgiminë kulturore kombëtare

Në Shqipëri ruhet një numër shumë i madh objektesh kulti të besimit të krishterë orthodhoks, duke filluar që nga shekujt e parë të krishterimit e deri në kohët e sotme. Shumë prej tyre, për vlerat e veçanta arkitektoniko-artistike, ishin vënë në mbrojtje të shtetit si “Monumente Kulture” dhe, si të tilla, ato mundën t’i shpëtojnë shkatërrimit të plotë, ashtu si ndodhi me kisha, të cilat nuk u futën në këtë kategori gjatë persekutimit shumëvjeçar të fesë. Por, megjithatë, si pasojë e mosndërhyrjes dhe mirëmbajtjes sistematike, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, nga ndalimi i funksionit për të cilin ato ishin ngritur, kanë bërë që këto monumente të kenë arritur deri në ditët tona në gjendje të degraduar ose të transformuar. Për fat të keq edhe mbas rivendosjes të së drejtës së besimit fetar, kjo gjendje nuk ndryshoi. Interesi shtetëror për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës vazhdon të mbetet ende tepër i zbehtë.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, krahas përpjekjeve kolosale që ka bërë dhe bën në të gjitha fushat për rimëkëmbjen e saj nga gërmadhat, një kujdes të veçantë i ka kushtuar dhe i kushton edhe ruajtjes, evidentimit dhe restaurimit të trashëgimisë së kultit orthodhoks. Deri më sot nën kujdesin e drejtpërdrejtë dhe mbështetjen e plotë financiare të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, prof. dr. Anastasit është bërë e mundur të kryhen ndërhyrje restauruese në shumë monumente kulture, duke i shpëtuar ato nga rrënimi i sigurtë.

Në fushën e restaurimeve të kishave, manastireve dhe objekteve të tjera rezidenca kishtare, që nga viti 1991 e deri në fund të vitit 2002 janë shpenzuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë mbi 3 milion USD.

Ndërsa vetëm për vitin 2003 deri tani janë miratuar nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, për restaurimin e plotë dy kishave 523’400 USD si dhe 29’730 USD për ndërhyrjet emergjente në tri kisha të tjera.

Sipas propozimit të bërë dhe të miratuar nga Kryepiskopi Anastas u krijua bërthama e restaurimit në kuadrin e Fondacionit “Frymë Dashurie”. Kjo tregon edhe njëherë vlerësimin e Tij për traditën dhe vlerat e objekteve të kultit orthodhoks. Kjo bërthamë është krijuar në janar të vitit 2002 nga dy anëtarët e saj ing. rest. Pirro Thomo dhe ark. Joan Stratobërdha dhe ka për detyrë:

1. Rregullimin në baza ligjore të marrëdhënieve me institucionet shtetërore, organizmave dhe individëve privatë për problemet që lidhen me mbrojtjen dhe restaurimin e ndërtimeve historike të kultit orthodhoks.

2. Të kryejë supervizimin shkencor dhe financiar të punimeve të restaurimit në ndërtimet historike.

3. Të kryejë ekspedita sistematike për kontrollin e gjendjes së monumenteve dhe inventarizimin shkencor e fizik të tyre.

4. Të hartojë dhe të sugjerojë programe prognoze për ndërhyrje restaurimi.

5. Të kryejë dokumentacionin shkencor të ndërtimeve historike të kultit orthodhoks, të krijojë dhe të pasurojë arkivin në baza të shëndosha metodologjike dhe teknike.

6. Të ndërmarrë vetë ose në bashkëpunim projekte restaurimi.

7. Të studiojë për kualifikimin profesional individual, si dhe të ndihmojë për shkollimin dhe kualifikimin e bërthamave ose atelieve të vogla të restaurimit në format dhe mënyrat që aktualisht aplikohen sot nga Kisha jonë.

Aktiviteti i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në restaurimet e objekteve dhe në monumentet e kultit orthodhoks, zë një vend shumë të rëndësishëm në monumentet e kulturës që ruhen në Shqipëri, në një kohë që shteti në këtë fushë ka akoma një interesim të vakët.

Për bërthamën e restaurimit
Ark. Joan Stratobërdha

Shën Gjergji Libofshë – Fier.
1. Janë kryer punime konsolidim konstruksioni dhe restaurimi i elementeve arkitektonikë.
2. Konservimi i pikturës murale.
3. Konservimi i tavanit dekorativ të naosit.
4. Sistemimi i territorit të jashtëm.
5. Instalime elektrike.

Manastiri i Shën Mitrit, Qeparo
1. Restaurimi i kishës dhe konakëve.
2. Shtesë e re në anën perëndimore të kishës (narteksi).
3. Sistemimi i territorit brenda dhe jashtë manastirit.
4. Instalime elektrike në të gjithë manastirin.

Kisha e Taksiarkut Mihail, Bodrishtë-Gjirokastër.
1. Ndërhyrje restauruese në konstruksion dhe arkitekturë.
2. Konservim i pikturës murale.
3. Sistemime të jashtme.

“Shën Maria” Vrahogoranxi – Gjirokastër
1. Konsolidimi i konstruksionit.
2. Restaurimi arkitektonik.
3. Sistemimi i jashtëm.
4. Punime konservimi të ikonostasit.
5. Kompletimi me pajisje druri të interierit.

Kisha e profetit Ilia, Lekël – Tepelenë.
1. Restaurimi arkitektonik dhe konsolidimi konstruktiv.
2. Sistemime të jashtme.
3. Instalime elektrike.

Kisha e manastirit të Shën Kozmait, Kolkondas – Fier.
1. Gërmime masive për të arritur kuotën e dyshemesë.
2. Drenazhimi i thellë dhe krijimi i stacionit të pompimit të largimit të ujërave.
3. Konsolidimi komplet i strukturës së katolikonit dhe restaurimi arkitektonik.
4. Rindërtimi i narteksit sipas gjurmëve të vjetra.
5. Zbulimi dhe konsolidimi i pikturës murale të kishës së Shën Marisë.
6. Gjetja, shkëputja dhe ruajtja e afreskut të Shën Kozmait në paraklisin e shenjtorit.
7. Ribërja e ikonostasit sipas gjurmëve të pjesëve të gjetura.
8. Instalime elektrike në të gjithë manastirin.
9. Ndërtimi i rrugës automobilistike me gjatësi 3.3 km që lidh manastirin me rrugën kryesore.

Manastiri i Zvërnecit.
1. Ndërtimi i urës së drurit që lidh ishullin me tokën, me gjatësi 240 m e gjatë.
2. Restaurimi i plotë i konakëve.
3. Instalime elektrike dhe sanitare.
4. Restaurimi konstruktiv dhe arkitektonik i kishës.
5. Riintegrimi i afreskut.
6. Konservimi i ikonostasit.
7. Sistemime të jashtme.
8. Instalime elektrike.

Manastiri i Ardenicës
1. Ndërhyrje restauruese në të dyja kishat dhe konakët si në arkitekturë dhe konstruksion.
2. Gdhendja e ikonostasit të paraklisit të “Shën Triadhës”.
3. Instalime elektrike dhe hidraulike.

“Shën Maria” Leusë – Përmet
1. Përforcimi dhe drenazhimi i terrenit.
2. Sistemimi i territorit.
3. Restaurimi arkitektonik dhe konstruktiv.
4. Restaurimi i pikturës murale.
5. Restaurimi i pjesëve të drurit; ikonostasi, tavan dekorativ, fron despoti, amvoni etj.
6. Punime elektrike.

Kisha e Shën Nikollës dhe paraklisi i Shën Marisë në Grabovë – Gramsh
1. Ndërhyrje restauruese dhe konsolidimi statik.
2. Drenazhimi dhe hidroizolimi.
3. Konservimi i tavanit dekorativ.
4. Pastrimi, desinfektimi dhe petrifikimi i pjesëve dhe pajisjeve të drurit.
5. Konsolidimi i pikturës murale.
6. Instalime elektrike.