EmailFacebookKontakt

Konkursi i pikturës për fëmijë: ‘Krishtlindja dhe fëmija sot’

Fondacioni “Fryma e Dashurisë”, duke treguar besim në personalitetin e fëmijëve, të vegjël në moshë, por të vyer në vlera, u dërgoi një ftesë të veçantë të gjitha shkollave 9-vjeçare të shkollave tona, gjegjësisht fëmijët e moshës 6-9 vjeç, për të marrë pjesë në konkursin e parë të pikturës me temë “Krishtlindja dhe fëmija sot”.

Siç thuhet në njoftim, qëllimi i konkursit ishte të motivonte fëmijët e kësaj moshe që të mendojnë në mënyrë krijuese dhe të shprehin me anën e vijave dhe ngjyrave idetë, ndjenjat dhe përjetimin e tyre për festën e Krishtlindjeve. Na interesonte që përmes pikturave, të kishim një tablo të thjeshtë dhe spontane të emocioneve dhe botës shpirtërore të fëmijëve sot.

Për lehtësinë e mësuesve, fëmijëve dhe familjeve të tyre, ishte përgatitur një histori e shkurtër e Krishtlindjes, me udhëzimet përkatëse. Kërkohej që, në varësi të moshës dhe aftësive, fëmijët të nxiteshin dhe të vizatonin lirshëm atë që dëshironin, por të shmangej kopjimi i vizatimeve, kartave apo figurave të tjera.

Kështu, konkursi i vizatimit për fëmijë arriti te qindra fëmijë të shkollave tona në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Me këtë mobilizim krijues, fëmijët do të lexonin dhe diskutonin me prindërit dhe mësuesit rrëfimin përkatës të ungjillit mbi lindjen e Krishtit, do t’i kushtonin kohë dhe do mendonin mbi ngjarjen e madhe të Krishtlindjes dhe për lidhjen që ajo ka me kohën që jetojmë sot.

Si rezultat, arritëm të kishim në fund mbi 400 piktura nga fëmijët e shkollave. Mësuesit na njoftuan se nuk na i dërguan të gjitha, por vetëm ato që i konsideronin më të vlefshme. Të gjithë atyre që iu përgjigjën me kaq dashuri dhe zell ftesës tonë, i falënderojmë sinqerisht.

Një falënderim i veçantë i takon Jurisë së posaçme, e cila me shumë vullnet shpenzoi kohë të konsiderueshme për të shqyrtuar dhe përzgjedhur veprat më të mira: piktorin dhe intelektualin e njohur z. Lekë Tasi, piktorin dhe ikonografin e shquar z. Kristos Papanikolau dhe mësuesen e artit dhe piktoren e mirënjohur znj. Irini Papamihali. Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj të gjithë mësuesit e artit në shkollat tona për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre cilësor, si edhe të gjithë stafin që ndihmuan në organizimin e këtij aktiviteti.

Siç do të keni mundësinë ta shihni nga ekspozita që do të çelet në fund të këtij aktiviteti festiv, fëmijët vizatuan me të gjitha mjetet: me bojëra, lapsa me ngjyra, bojëra uji, markera etj. Është karakteristike ndjeshmëria, emocioni dhe frymëzimi që ata tregojnë në pikturat e tyre.

Gëzimi i të gjithëve ne është i madh. Në sallë ishin të pranishëm të gjithë fëmijët që u dalluan në konkursin me temë: “Krishtlindjet dhe fëmija sot”, me prindërit dhe mësuesit e tyre nga Tirana, Durrësi dhe Gjirokastra. Siç është paralajmëruar, juria ka zgjedhur 4 çmime speciale dhe disa çmime vlerësuese.

Emrat e të gjithë fëmijëve të dalluar u dëgjuan gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve nga Fortlumturia e Tij Kryepeshkopi Anastas, i cili me dashuri dhe interes të veçantë dha idenë frymëzuese dhe bekimin e tij për këtë konkurs. E falënderojmë përzemërsisht!

Andrea Rembeci
Drejtor ekzekutiv
i Fondacionit
“Fryma e Dashurisë