EmailFacebookKontakt

Konferencë Ndërorthodhokse për Kartën e Bashkimit Evropian

Prej disa vitesh në Bashkimin Evropian është ngritur një Komision për hartimin e Kartës së përbashkët Kushtetuese të vendeve anëtare, i cili drejtohet nga ish-Presidenti francez Valery Zhiscard D’Estain. Ndër çështjet e nxehta të kësaj nisme, që janë debatuar ashpër, është edhe ajo e vendosjes apo jo e referimeve rreth trashëgimisë së spikatur të krishterë të Evropës, që qëndron në themelet e botëkuptimit dhe kulturës së popujve që e përbëjnë. Për këtë, ka pasur pikëpamje të kundërta dhe mjaft polemika, ku edhe kishat e ndryshme kristiane, ndërmjet të cilave edhe ato orthodhokse, kanë bërë tashmë të dëgjohet fort edhe zëri i tyre.

Një veprimtari e tillë ishte edhe Konferenca Ndërorthodhokse e zhvilluar nga 18-19 mars, në ishullin e Kretës, të Greqisë, e cila për këtë 6-mujor është kryetarja e radhës e BE. Gjatë saj u studiuan propozimet e ndryshme rreth kësaj çështjeje, duke arritur në qëndrime të përbashkëta, rreth asaj çka mendojnë dhe kërkojnë orthodhoksët për këtë temë. Konferenca u mblodh me nismën Patrikanës Ekumenike dhe u organizua nga kisha lokale.

Pas referimeve nga teologë, juristë, politikanë etj., u kristalizuan disa qëndrime që do t’i përcillen Komisionit përkatës.

Kështu, midis të tjerash, kërkohet që në Kartë të thuhet qartë, se themeli i Evropës është trashëgimia e krishterë; se duhet të njihen e të mbrohen të drejtat e njeriut dhe ato fetare jo vetëm në planin individual, por edhe në atë kolektiv, domethënë, të njihet roli i kishave tradicionale; që të theksohet njohja dhe moscënimi i personit njerëzor, dhe si rrjedhojë të mos lejohet përdorimi abuziv dhe spekulativ i arritjeve në fushën e gjenetikës; që të mbrohen institucionet martesa e familja, si dhe edukimi sipas këtyre parimeve, të caktohen kritere të rrepta ndaj sekteve dhe lejimin e funksionimit legal të tyre vetëm brenda parimeve humane, si dhe të merren masa për ndalimin e prozelitizmit arbitral” etj.

Në këtë Konferencë mori pjesë edhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

Korresp. i “Ngjallja”