EmailFacebookKontakt

Konferencë e studentëve orthodhoksë

Ne dhjetor, në Durrës u zhvillua një konferencë e rinisë studentore orthodhokse, një etapë e rëndësishme në veprimtaritë e shoqatës së rinisë orthodhokse “Bij të Dritës”. Me bekimin e Fortlumturisë së Tij Anastasit, ajo u mbajt në qytetin e bukur dhe të lashtë, pranë valëve të Adriatikut. Një pjesë e programit ishte i zhvendosur në mjediset e Akademisë Teologjike, në Shën Vlash, gjë që e bëri veprimtarinë edhe më interesante.

Gjithçka ishte e mirëorganizuar. At Luka Veroni, i cili pati edhe përgjegjësinë e përgatitjes, u ndihmua edhe nga mjaft të rinj studentë. Programi ishte i ngjeshur dhe i larmishëm, duke ndërthurrur veprimtaritë shpirtërore me ato kulturore e zbavitëse. E veçanta ishte edhe prania e një kleriku orthodhoks mjaft i njohur në SHBA, At Peter Gilkuist, i cili me fjalën e drejtpërdrejtë përcolli tek të rinjtë mesazhe mbresëlënëse.

Të 105 studentët e pranishëm vinin nga zona të ndryshme të vendit, por zemrat ua bashkonte një dashuri e madhe – Dashuria për Perëndinë. Eshtë e mrekullueshme të dëgjosh të njëjtën trokitje tek secila prej tyre.

Gjatë ditëve që qëndruan bashkë, të rinjtë patën mundësi të njohin njëri-tjetrin, të shkëmbejnë përvojat dhe të krijojnë një vizion më të gjerë rreth jetës më Perëndinë. Kjo e fundit ishte edhe motoja e gjithë veprimtarisë: “T’ia kushtojmë jetën Krishtit”.

N. M.