EmailFacebookKontakt

Konferencë e rinisë Orthodhokse në prag të Krishtlindjes

Në datën 13 dhjetor 2021, në ambientet e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, me bekimin e Kryepiskopit Anastas, Zyra e Rinisë Orthodhokse pranë Kryepiskopatës zhvilloi një konferencë rinore. Përfaqësitë rinore nga mitropolitë u njohën dhe trajtuan temën: “Lindja e Krishtit i jep botës gëzim”.

Aktiviteti filloi me Shërbesën e Mëngjesores dhe më pas u vazhdua me regjistrimin e pjesëmarrësve, mirëseardhjen, prezantimin e stafit organizativ. Tema e parë ishte nga atë Ilia Mazniku, prift i kishës së “Shën Prokopit” në Tiranë, i cili foli për kuptimin dhe rëndësinë e Krishtlindjes sipas këndvështrimit Orthodhoks. Ndër të tjera ai theksoi: “Lindja e Krishtit nuk është thjesht një ngjarje historike, diçka që ndodhi në një kohë të caktuar, por një ngjarje që e përjetojmë sot… Të gjitha të kremtet duan një parapërgatitje dhe kjo është kreshma që Kisha ka caktuar. Përgatitjet e tjera janë leximi i Shkrimit të Shenjë, lëmosha, lutja, kreshmimi, për të pastruar veten trupërisht e shpirtërisht ashtu si vetë Zoti kreshmoi.”

Programi vijoi më pas me ndarjen në grupe më të vogla, ku të rinjtë diskutuan dhe ndanë përvojat e tyre në lidhje me temën që është moto e aktiviteteve rinore të këtij viti: “Me besimin te Krishti mposhtim frikën dhe indiferentizmin”. U ilustrua me shembuj se besimi te Krishti mposht çdo mëkat dhe frikë.

Aktiviteti vazhdoi më tej me takimin midis koordinatorëve të çdo grupi rinor për mbarëvajtjen dhe organizimin sa më efektiv të aktiviteteve dhe bashkëpunimeve konkrete në të ardhmen, për të fuqizuar grupet rinore dhe për të vepruar si gjymtyrë të një trupi të vetëm që është Kisha.

Në fund, koordinatorët e Mitropolive, si atë Joan Qako, atë Spiro Kostoli, atë Spiro Peci, Theodhor Sadikja, Armand Oga, Ingrida Bida dhe Gabriel Terezi ndanë me të rinjtë përvojat, duke thënë se duhet që të jemi sa më pranë Kishës, ta ndihmojmë dhe të kontribuojmë për të, pavarësisht se jetojmë në kohë të pasigurta. Se duhet të mposhtim frikën dhe indiferentizmin me besimin te Zoti Krisht dhe duke bashkëpunuar ngushtësisht me njëri-tjetrin.

Përgjegjësi i Rinisë Orthodhokse të Tiranës, atë Grigor Pelushi, theksoi në mbyllje të aktivitetit se duhet të ruajmë dhe të përmbushim katër shtyllat që janë gur themeli dhe qëllimi i lidhjeve rinore Orthodhokse: 1. Rritja në njohjen e Krishtit, 2. Miqësia, 3. Shërbimi, 4. Dëshmia. Le të përpiqemi, – theksoi ai, – të shpërndajmë dritën e Krishtit kudo ku jemi dhe jetojmë e të mos kemi frikë. Le ta shpërndajmë këtë dritë që do të lindë në Betlehem në çdo skutë të errët të shpirtrave njerëzorë, duke nisur me veten tonë, familjen, të afërmit, miqtë dhe me të gjithë ata që takojmë çdo ditë. Ky është qëllimi ynë, ky është qëllimi i çdo të krishteri.

Olimbia Pelushi