Me bekimin dhe mbështetjen financiare të Kryepiskopit Anastas, u organizuan nga datat 11-15 qershor 2004 dy kampingje verore për fëmijët kosovarë. Ato u zhvilluan në shkollën e Carallukës, në komunën e Malishevës dhe në fshatin Banja, po të kësaj komune.
Kampi në Caralluk quhej “Mirësi”. Nëpërmjet këtij emërtimi dëshironim të përcillnim një mesazh tek fëmijët. Dëshironim të nxisnim fëmijët të mendonin se si mund të jemi të mirë në jetën e përditshme me njerëzit që na rrethojnë dhe me këdo, madje dhe me armiqtë tanë. Gjatë kësaj kohe në kamping fëmijët patën mundësi të merrnin pjesë në disa aktivite, si lojëra zbavitëse, punë krijuese dhe aktivitete argëtuese. Në këtë kamp morën pjesë rreth 500 fëmijë.
Ndërsa kampi në Banja mbante emrin “Miqësia”, kjo për arsye se në këtë fshat ishte hera e parë që zhvillonim një kamp dhe mesazhi që dëshironim të përçonim tek fëmijët ishte pikërisht miqësia jonë, e cila po ndërtohej në atë kamp, por jo vetëm kaq, por dhe fakti se si të jemi miq me të gjithë. Edhe ky kamp kishte aktivitete zbavitëse dhe argëtuese. Në këtë kamp morën pjesë rreth 300 fëmijë.
Gjatë organizimit të këtyre kampeve skuadra shqiptare e përbërë prej 21 personash bashkëpunoi dhe me ata kosovarë. Kjo na dha mundësi të lidhemi më shumë me ta dhe në të njëjtën kohë me shembullin tonë të japim një mësim pa përdorur fjalët dhe gjithashtu të ndajmë përvojën.
Ne gjejmë rastin t’i falënderojmë jo vetëm bashkëpunëtorët tanë atje por edhe të gjitha familjet e fëmijëve pjesëmarrës, të cilat lejuan që fëmijët e tyre të ishin pjesë e këtij aktiviteti. U larguam nga Kosova me dëshirën për t’u rikthyer sërish atje vitin tjetër, për të forcuar më shumë miqësinë tonë, si dhe për të vazhduar këtë traditë tashmë të filluar që prej 3 vjetësh.
Gabriela Bezhani