(Nga bota e krishtëre)
Jerusalem
“Komision koordinues” për 2 mijë vjetorin e Lindjes së Shpëtimtarit
Kohët e fundit u bë në Jerusalem Mbledhja e Parë e “Komisionit Koordinues, për aktivitetet festive me rastin e mbushjes së 2000 vjetëve nga Lindja e Shpëtimtarit Krisht”. Veprimtaritë për këtë përvjetor të shënuar do të bëhen nën kujdesin e Patrikanës së Jerusalemit dhe me pjesëmarrjen e të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale. Në këtë mbledhje mori pjesë dhe një delegacion i KOASH-it.
U vendos që të krijohen gjashtë nënkomisione (i Ceremonive, ai Shkencor, i Arteve, i Shtypit dhe Marrëdhënieve Publike, i Botimeve, i Financës), që do të kryejnë para-përgatitjet për të gjitha manifestimet. Do të bëhen dy kongrese pesëditore, do të hapen ekspozita të ikonave të hirshme, fotografive etj., do të jepen koncerte të koreve orthodhokse nga vende të ndryshme, do të botohen libra, albume, pulla, afishe etj.
Ngjarja më kulmore do të jetë bashkëmeshimi i të gjithë Patrikëve dhe Kryepiskopëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale në Kishën e Vithlëemit, më 7 janar të vitit 2000 (me kalendarin e vjetër më 25 Dhjetor, në Krishtlindje). Gjithashtu, po aty do të ndërtohet një kishë e posaçme për të përkujtuar dymijëvjeçarin. Viti 2000 do të quhet vit i “Hirshëm”.
U bë e njohur se nga Gjeorgjia do të shkojnë pelegrinë në Jerusalem me këmbë, një udhëtim ky, që do të zgjasë muaj të tërë.