EmailFacebookKontakt

Kolokium për kuptimin e ikonës

MOSKË

Kolokium për kuptimin e ikonës.

Instituti i teologjisë orthodhokse “Shën Tihoni” i Moskës organizoi një kolokium mbi problemet aktuale të artit të ikonografisë. Rihapja e një sërë vendesh kulti në Rusi, pas rënies së komunizmit, të ndodhura në një gjendje shkatërrimi total, ngre problemin e zbukurimit të kishave pas restaurimit, që nënkupton pikturimin e afreskeve e të ikonave.

Në këtë çështje ashtu si dhe në çështjet e teologjisë dhe të priftërisë, Tradita e gjallë e Kishës ishte ndërprerë prej shtatëdhjetë e pesë vitesh persekutimi. Ndaj, sot Kisha Ruse ka nevojë të rifillojë përsëri teknikat tradicionale të punimit të ikonave. Ekzistojnë pak qendra të formimit të piktorëve të ikonave në Rusi, si p.sh: në Moskë është hapur një shkollë në fillim të viteve 80-të, në akademinë teologjike në Sergei Posad etj. Instituti “Shën Tihon” ka vendosur të hapë qendrën e tij të përgatitjes së ikonografëve. Por ekzistojnë gjithashtu shumë atelie artistësh të pavarur, të cilat janë shfaqur për të përballuar kërkesat e forta të tregut. Por, në shumicën e këtyre punimeve ka shumë pak përmbajtje teologjike dhe estetike të ikonës. “Megjithatë ikona ka një kuptim dhe një baze dogmatike. Domethënë ajo mund të ndikojë në besimin tonë. Për këtë arsye duhet vënë rregull në mësimin e praktikën e ikonografisë” – theksuan organizatorët e takimit.